U padit nga PD për falsifikim, nis hetimi për Komisionerin e Vetting-ut.

0
507

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet ne lidhje me dokumentacionin e dorëzuar nga komisioneri i Vettingut, Lulzim Hamitaj, në kohën kur aplikoi për t’u përzgjedhur si një nga njerëzit që do të pastronte sistemin e drejtësisë në vend.

Verifikimet e Prokurorisë nisen pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike, sipas të cilës, komisioneri, Lulzim Hamitaj dyshohet se ka falsifikuar dokumentin për njohjen e gjuhës angleze.

Më konkretisht, sipas PD, Hamitaj në vitin 2017, kur aplikoi për pozicionin e komisionerit në KPK ka dorëzuar mes dokumenteve të tjerë edhe dëshminë për njohjen e gjuhës angleze të nivelit të përparuar C1, dëshmi të cilën e kishte marrë në vitin 2015.

Ndërkohë që në vitin 2016 në dosjen e tij të aplikimit për pedagog në një universitet privat, dëshmia e gjuhës angleze është e nivelit B1, pra një nivel më fillestar se C1 që kishte dorëzuar dhe që e kishte marrë që në vitin 2015.

Burime pranë Prokurorisë së Tiranes janë shprehur se kanë nisur verifikimet përkatëse për këtë rast nëse kemi të bëjmë me një dokument të falsifikuar apo subjekti, objekt verifikimi, ka vlerësuar që në një vend të dorëzojë dëshminë B1 dhe në tjetrin C1.

Gjithashtu prokuroria do të verifikoje edhe pretendimin tjetër të PD, që në kohen kur është lëshuar dëshmia e gjuhës angleze e nivelit C1 në prill të viti 2015, Lulzim Hamitaj rezulton të ketë qenë jashtë vendit.

Për shkak të sekretit hetimor, prokuroria e Tiranës nuk jep detaje nëse nga verifikimi i nisur ka ndonjë fakt konkret për dyshimet e hedhura mbi falsifikimin dëshmisë se gjuhës angleze për komisionerin e KPK, Lulzim Hamitaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here