Universiteti i Tiranës plotëson 85 për qind të kuotave, regjistrohen rreth 17 mijë maturantë

0
991

Në universitetet e vendit vijon të ketë vende vakante. Procesi i regjistrimit në 38 universitete private e publike mbyllet këtë javë, ndërkohë që do ketë dhe një raund të tretë. Janë mbi 8000 aplikantë që kanë aplikuar për raundin e dytë, që janë ish-aplikantë nga raundi i parë, maturantë që përfunduan Maturën Shtetërore në vjeshtë dhe ata që u çregjistruan në datën 13 shtator. Arjan Xhelaj, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar tha dje në një media televizive se janë rreth 24 mijë aplikantë në total.

“Kemi në dispozicion edhe dy ditë të tjera dhe pas kësaj mbyllet procesi i dy raundeve të para të regjistrimit. Në total, për të dyja raundet kemi rreth 24 mijë e 400 aplikantë. Deri në ditën e sotme janë regjistruar mbi 17 mijë maturantë”, tha ai. Nëse do të bënim një renditje të programeve më të kërkuara, Ekonomiku vazhdon të zërë vendin e parë, me rreth 21% të aplikantëve, të dytin e mbajnë shkencat politike dhe sociale dhe të tretin mësuesia. “Nëse do të bënim bashkë inxhinieritë dhe shkencat ekzakte, do të zinin vendin e parë”, tregon Xhelaj. Universiteti i Tiranës, ndër më të kërkuarit, ka ezauruar deri tani rreth 85% të kuotave. “Janë ezauruar plotësisht kuotat e mjekësisë së përgjithshme, kanë ngelur 6 kuota në farmaci dhe 3 stomatologji; te Drejtësia kanë ngelur vetëm 20 kuota, ndërsa te Ekonomiku më pak se 10% e kuotave”, deklaron Xhelaj.

Pak kohë më parë reaguan dekanët e fakultete kryesore në Tiranë. Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë tha: “Degët tradicionale Historia, e Gjeografia, Gjuhë Letërsia kanë pasur ecurinë më të mirë. Në këto degë zgjidhin ata që e kanë të sigurt që do të fitojnë”. Ndërsa Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë deklaroi: “Kjo si procedurë ka një panik të brendshëm dhe ky është një panik për universitet publike sepse në universitetet jopublike nuk e kanë panikun, ata që kanë aplikuar nuk ikin nga lista. Të jenë të sigurt që 850 pikë e sipër në Biznes u vjen radha”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here