Abaz Hado: Galeria Kombëtare e Arteve të ketë një koncept tjetër, jo çdo artist mund të hapi aty ekspozitë

0
757

Piktori grafist Abaz Hado në vijim të krijimtarisë së tij në art, ka nisur punën për një tjetër ekspozitë personale. Një ekspozitë me grafika të realizuara prej tij në harkun kohor të një viti, që do të prezantohen për herë të parë për publikun. Një aktivitet i vlerësuar ndër vite me artin dr. Abaz Hado tregon se këto kohë po punon jo vetëm për ekspozitën me grafika, por dhe me një monografi për portretin shqiptar. “Mjeshtër i Madh”, dr. Abaz Hado në aktivitetin e tij është një artist shumëdimensional piktor, grafist, studiues dhe menaxher arti. Si artist, dr. Abaz Hado ndalet dhe në problemet që janë sot në jetën artistike. Sa i takon aktivitetit të Galerisë Kombëtare të Arteve ai shprehet se sot ky institucion duhet të ndryshojë në koncept. Për dr. Abaz Hadon nuk qëndron problemi që janë pak ekspozita për GKA, por me rëndësi është që të bëhet më e mira për atë institucion. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një linjë muzeale, dhe sipas tij nëse marketohet dhe menaxhohet mirë kjo mundet që të shtojë publikun që vjen në galeri. Dr. Hado pohon se duke qenë e vetmja mund të bëjë dhe edukimin, përmes atyre që shpjegojnë veprën e artit, mund të përfitohet dhe me vizitat nga shkollat, studentët, grupe të tjera që mund të jenë pjesë e GKA dhe me vizitat e tyre ta bëjnë më funksionale këtë institucion. Në intervistën për “SOT” ai tregon dhe për punën e tij si këshilltar i kulturës në Bashkinë e Tiranës, si dhe projektet që priten të zbatohen në vijim të jetës artistike. Dr. Hado tregon se po punohet që dhe në Tiranë të ketë një galeri të kryeqytetit, por dhe të tjera veprimtari nuk mungojnë. Një projekt për skulpturën në vende publike gjithashtu është në plan për Tiranën. Si artist, Hado ka marrë pjesë me punimet e tij grafike në ekspozita vetjake dhe kolektive brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke filluar nga viti 1983. Nderuar dhe me vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” si dhe urdhrin “Naim Frashëri” piktori grafist Abaz Hado ka qenë pjesëmarrës edhe në disa veprimtari ndërkombëtare arti (Bienale): Hamburg (Gjermani), Lubjana (Slloveni), Kajro (Egjipt), Tuzla (Bosnje), Varna (Bullgari), Catalania (Spanjë), Maribor (Slloveni), Bitola (Maqedoni), Nagoi (Japoni), Norvegji, Poloni, USA, Rumani, Lituani, Emiratet e Bashkuara. Punimet e artistit Hado ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve -Tiranë, dhe në mjaft galeri e koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, Greqi, Angli.

-Si po vijon këto kohë krijimtaria juaj në art?

Unë vazhdimisht kam një intensitet pune, dhe jam një njeri që shfrytëzoj maksimalisht kohën e punës, pushimit, të asaj që më duhet të shkurtoj dhe nga impenjime të tjera për të realizuar disa objektiva, që unë i kam vënë vetes si qëllim siç janë dhe realizimi i detyrave që kam për të bërë në punë si dhe për të bërë një ekspozitë me grafika. Unë po punoj në mënyrë intensive deri në orët e vona për të mbaruar një monografi, që jam në përfundim e sipër të portretit me pikturën shqiptare. Janë këto punë, që besoj i përfundoj brenda dy muajve dhe ekspozita do të jetë gati. Unë i kam gdhendur grafikat, kam bërë provat e para dhe në shtyp besoj janë gati. Në fillim të vitit tjetër unë do të hap ekspozitën me gdhendjet e reja në grafikë. Pra linoleumet e rinj krijimet e reja në grafikë, që do të shoqërohen me disa vizatime që janë të karakterit filozofik, që janë më shumë me familjen, Eva dhe Adami, krijimi i botës, i familjes, marrëdhënia e femrës me mashkullin. Besoj do të jetë një ekspozitë, që do të ngjalli interes. Mendoj se çdo artist e kupton mirë veten se ku e ka pikën e fortë. Pra edhe unë kam kuptuar, që me punën në grafikë kam sukseset dhe arritjet e mia si artist, dhe kam dhe kërkimet e mia më të forta. Besoj që do të jetë një ekspozitë, që do të ketë kuriozitetin e vet. Janë të gjitha punimet që janë për herë të parë për publikun. Kam idenë që përveç grafikës të jetë dhe katalogu, ndërkohë që disa nga ato vepra do të jenë të stamposura në bluza, por dhe duke bërë disa pjatanca me grafikën brenda. Kam folur dhe me skulptorin që bën qeramikën, do të krijojmë disa qeramika dhe me grafika. Pra do të jetë një ekspozitë komplekse.

-Në çfarë harku kohor janë realizuar punimet për ekspozitën?

Do të jenë të gjitha punimet e realizuar brenda këtij viti në ekspozitë. Siç pohova janë të gdhendura, janë të përfunduara një pjesë e tyre dhe po pres dhe problematikën aktuale të botës, që është emigracioni, por një emigracion i cili më lidh mua dhe me atë të Kosovës, emigracionin e të parëve të mi të Çamërisë nga masakra greke. Pra është një emigracion, që lidhet me këtë të sotmen që vjen nga Lindja, por unë e kam parapëlqyer që ta vesh këtë dhe me një sens jo vetëm historik por dhe filozofik të lëvizjes së njerëzve në kohën e sotme.

-Vendi ku do ti prezantoni këtë herë grafikat tuaja për ekspozitën personale?

Ende nuk e kam vendosur si vend, ku do ta çel ekspozitën. Por mund të jetë te Muzeu Historik Kombëtar, galeria FAB te Universiteti i Arteve apo dhe ndonjë galeri tjetër arti.

-Jo vetëm me aktivitetin krijues në Shqipëri, por ju keni ftesa për të prezantuar dhe jashtë punët tuaj në art. Keni pohuar për një ftesë në një aktivitet në Spanjë, për çfarë bëhet fjalë? 

Unë kam dhe aktivitete të tjera për krijimtarinë time. Kam një ftesë së fundmi për në Spanjë për të marrë pjesë në Bienalen e Grafikës në Katalanja, që do të zhvillohet në pranverë, në mars të vitit që vjen. Janë aktivitete, që mua më tërheqin shumë. Për mua ka pasur ngjarje ky vit, jo vetëm sa më takon mua, por dhe zhvillimit të artit në përgjithësi. Ka shumë ngjarje dhe aktivitete që publiku është shumë i sensibilizuar këtë vit që po vjen dalëngadalë drejt përfundimit, kur ka mbaruar pjesa kryesore dhe kanë mbetur dhe disa muaj. Ka pasur problematika, të cilat edhe unë kam qëndrimin tim. Kam kontributin tim për të realizuar disa objektiva, që janë në të mirë të publikut të Tiranës nëpërmjet artit.

-Jeni i njohur dhe i vlerësuar në punimet me grafikën. Si e shikoni krijimtarinë tuaj ndër vite?

Unë mund të them që kam gjithë jetën, që jam marrë me grafikën. Kam mbaruar Liceun Artistik për grafikë. Në shkollën e lartë jam diplomuar për pikturë monumentale, por që kishim pedagogë të mirë të grafikës, një vit kemi bërë grafikë dhe mësuam dhe më tej. Por baza për mua ka qenë nga Liceu Artistik në grafikë, ku kam mësuar me pedagog Skënder Lakon, më pas me Andon Kuqalin. Në 8 vjeçare më herët kam mësuar me pedagogun Agim Faja dhe Shpresa Beqiri. Pra kanë qenë këta pedagogë që mua më kanë formuar, që të jem një grafist, që ta kuptoj se çfarë ndodh dhe ta kuptoj shumë mirë grafikën ashtu si kundër kam bërë dhe kërkime shumë të hollësishme në të gjithë artistët e botës, por dhe aktualë si dhe të traditës. Kjo duke filluar që nga grafistët japonezë, kinezë dhe europianë. Pra këto më kanë bërë të kuptoj se si është dhe ku qëndron forca e grafikës.

-Si e shikon zhvillimin e artit pamor në Tiranë?

Unë dhe për hir të punës që bëj kontaktoj përditë me artistë dhe në këtë sens unë mund të them që Drejtoria e Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke i stimuluar dhe duke e futur sistemin dhe në artin pamor, duke zgjeruar atë kontribut për artistët. Jo vetëm për veprimtaritë me grupe të artistëve, por dhe për artistë të veçantë. Janë disa artistë të veçantë përveç atyre që janë ngjarje, si Bienalja e Akuarelit apo dhe të tjera aktivitete, që ne kemi menduar ti ndihmojmë. Përmend dhe Brezat në Artet Figurative, apo siç jemi të hapur dhe për artistë të tjerë, që vazhdimisht plotësojnë projekte në Bashkinë e Tiranës. Nga kjo pikëpamja Bashkia e Tiranës ka pasur ndikimin e saj në fushën e artit pamor ashtu si dhe në fusha të tjera. Por meqë po flasim për fushën e artit ka pasur shumë ndikim. Por ne gjithashtu po iniciojmë dhe një projekt shumë të madh, i cili do të bëhet për herë të parë në Shqipëri.

-Ju jeni dhe këshilltar për artin dhe kulturën në Bashkinë e Tiranës. Çfarë do të përmbajë ky projekt që ju pohoni?

Ky projekt do të përfshijë krijimin e skulpturave në vende publike. Kjo do të thotë që ne jemi duke kristalizuar projektin që ka të bëjë me disa vende publike në Tiranë, si bulevardi, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Medreseja, sheshi, etj, do të krijojmë skulptura që janë të afrueshme me publikun. Skulptura, që disa prej tyre do të jenë dhe personalitete të artit, kulturës dhe shkencës, por që janë prezent nëpër mjediset publike. Po ashtu jemi duke iniciuar dhe projektin për të ngritur për herë të parë galerinë e Tiranës, dhe ne jemi koshientë që si çdo kryeqytetet i botës që kanë galeritë e tyre edhe ne do ta kemi. Ideja është që të rrisim impaktin dhe kujdesin për turizmin, sepse është një formë që afron turistët dhe në aspektin tjetër do ti ringremë dhe një herë në vëmendje publikut disa figura historike që përbëjnë kuriozitet për qytetarët e Tiranës, si dhe turistët që vijnë. Ne po mendojmë dhe për muze shtëpinë e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, ashtu si po iniciojmë të kemi një muze të shtëpisë së periudhës së socializmit. Pra turistët që do të vijnë në Tiranë të shohin dhe se si kanë jetuar në kohën e komunizmit. Fakti që ne sot po kemi atraksione turistike në Tiranë, njerëzit nuk vijnë më që të ikin brenda dy orësh, por ne na rezulton që në Tiranë tashmë dhe kapacitetet e shtretërve janë të tejmbushura në këtë periudhë, sepse kanë më kuriozitet për të parë, pasi janë disa pika. Por ju e keni parë që kemi aktivitete. Projeksioni ka qenë një aktivitet në ditë, por ne e kemi kaluar këtë, dhe kemi raste që shkojmë dhe katër aktivitete në ditë. Pra ky është një program ambicioz i Bashkisë së Tiranës për sa i takon artit dhe kulturës. Ne besojmë që një qytet të ndërtohet, emancipohet dhe zhvillohet pa dyshim që kjo shkon dhe në zhvillim të fushës së artit. Mund t’ju them që në amfiteatrin e Tiranës te liqeni pothuajse bëhen aktivitetet çdo ditë. Ka dhe koncerte, që ofrojnë shumë publik dhe ka kërkesa të jashtëzakonshme për kalendarin artistik, duke kërkuar dhe zhvillim veprimtarish dhe për vitin që vjen dhe pse po mbyllet kalendari këtë vit. Kjo tregon që ai jo vetëm afron publik, por afron dhe mundësi për artistët e huaj ndërkombëtar për të dhënë koncerte. Në më pak se një vit ai amfiteatër mori përmasat e një institucioni ndërkombëtar, që kërkohen të vijnë artistë të njohur për të zhvilluar koncerte, të cilat janë dhe të nivelit të lartë, por dhe që të jenë me publik. Pra në Tiranë po gjallërohet jeta artistike dhe kulturore.

-Në ekranin e televizionit ju keni qenë i pranishëm dhe me emisionin tuaj “Art dhe art”. Kur do të fillojë?

Unë jam duke strukturuar disa pjesë të programit, sepse kjo e bën atë më dinamike dhe të afërt me publikun. Do ti japim rëndësi dhe anës gazetareske dhe informacionit. Është menduar, që do të ketë disa informacione edhe çfarë ndodh në Shqipëri dhe në botë, pra edhe informacione për figurat e shquara të artit në botë. Por nuk do të lëmë pa prekur edhe artistë nga Kosova dhe Maqedonia. Pra programi do të zgjerojë shtrirjen dhe interesin e tij për të marrë sa më shumë artisë për ti trajtuar dhe ti bërë të njohur te publiku. Është një emision shumë elitar. Këto lloj emisionesh në të gjithë botën kërkojnë dhe një përgatitje, formojnë dhe edukojnë publikun dhe emisione të tilla unë mund të them që sot janë shumë pak që bëhen për artin dhe kulturën në televizionet tona. Duke shpresuar që kjo të jetë si një lloj mënyre që televizionet dhe pse jo të ketë dhe detyrime. Megjithëse kam edhe dy oferta të tjera për emisionin që po i rishikoj, por unë e preferoj televizionin publik.

 -Ju folët për aktivitetin tuaj si artist, projektet në vijim të krijimtarisë suaj. Si e shikoni sot Galerinë Kombëtare të Arteve. Një institucion që po akuzohet nga artistët, deri tani vetëm dy ekspozita?

Mund të them që për Galerinë Kombëtare të Arteve po flitet shumë dhe në media. Por unë duke qenë dhe ish drejtor i GKA në një situatë tjetër, besoj që ka ardhur koha dhe këtë duhet ta pranojnë dhe artistët që galeria kombëtare në Shqipëri të ketë një koncept tjetër. Dhe ky koncept që drejtori aktual po e afishon po tregon që ka kërkesa për një nivel të lartë. Pra për ta çuar Galerinë Kombëtare të Arteve në ato kërkesa të një institucioni, që shkon paralel me të gjithë ekspozitat dhe galeritë nëpër vendet evropiane dhe më tej. Kjo është gjë pozitive. Mbaj mend që kur kam hapur ekspozitën time me grafika në Galerinë Kombëtare të Arteve, kujtoj që jam shprehur që kjo është e fundit ekspozitë që bëj për arsyen e thjeshtë sepse në GKA është nder i madh të ekspozosh në atë institucion. Ashtu sikundër nuk më duket e drejtë që të trysnohet Galeria Kombëtare e Arteve nga çdo lloj artisti për të hapur ekspozitë. Ashtu si nuk mund të pranoj që një artist të hapi në GKA ekspozita, kushdo qoftë ai. Artisti mund të hapi një ekspozitë kur ka akumuluar vlerë dhe ka sjell një risi dhe formë që vërtetë i duhet sot artit, dhe është pjesë e kërkesave për nivel të lartë. Unë e përkrah këtë drejtor, që është tani në GKA për tendencën që ka ai për ta çuar galerinë kombëtare në një standard tjetër. Kjo është gjë e mirë. Gjithashtu besoj që GKA do ti bënte mirë dhe linja tjetër që janë botimet, diskutimet, që janë lektoriumet. Pra të jenë sa më të shpeshta format edukuese në galeri ashtu siç ka dhe atelienë. Por Galeria Kombëtare e Arteve duhet të ketë synimin që të shtojë vizitorët e saj.

-Për ju, si duhet bërë kjo?

Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një linjë muzeale, që nëse marketohet dhe menaxhohet mirë kjo mundet që të shtojë publikun që vjen në galeri. Sepse duke qenë e vetmja mund të bëjë dhe edukimin, përmes atyre që shpjegojnë veprën e artit, mund të përfitohet dhe me vizitat nga shkollat, studentët, grupe të tjera që mund të jenë pjesë e GKA dhe me vizitat e tyre ta bëjnë më funksionale këtë institucion.

-Artistët të ndryshëm kanë kërkuar, që veprat e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve duhet të ekspozohen?

Kjo varet nga programi i ekspozimit, sepse ajo mund të bëhet dhe mbi bazën e një kurimi, mbi bazë të tematike të caktuar. Përshembull portreti i periudhës historike apo i periudhës së realizmit, ose lufta. Pra mund të bëhen kurime të këtij karakteri. Ose se si bëhej festa, dasma, dhe si pasqyrohej ajo në pikturën shqiptare të viteve të komunizmit. Kemi dasma shkodrane, por janë disa autorë që kanë trajtuar festën, dasma në kohën më parë. Të ketë një lloj rishikimi të veprave të krijuara në periudhën e komunizmit me një sy tjetër më aktual. Pra mund të ketë disa lloj mënyrash për të tërhequr sa më shumë publik.

-Po ashtu është pohuar se duhet të ketë edhe më shumë botime nga GKA?

Galeria Kombëtare e Arteve realisht ka pasur botime për artistët. Kjo bëhet në periudhë kur ka përvjetore, mund të ketë ekspozita retrospektive, simpoziume, monografi, sigurisht për artistët që janë më në zë. Mund të botojnë dhe përqasjet me artet dhe rrymat. Pra ka shumë aspekte, ku mund të preket kjo gjë në fushën e botimeve.

-Deri tani nuk ka asnjë njoftim edhe për konkursin “Onufri”. Çfarë mund të na thoni?

Kryesorja është që ai po mendon të bëjë një aktivitet të madh për Galerinë Kombëtare të Arteve. Unë ju tregova që dhe ne po mendojmë që të kemi galerinë e artit të Tiranës, dhe mund të marrim dhe ne përsipër disa aktivitete të karakterit kombëtar. Pra unë nuk e quaj problem, sepse është akoma herët. Unë mendoj, që drejtorit të ri të Galerisë Kombëtare të Arteve duhet ti lihet e gjithë hapësira e duhur për të krijuar konceptin e tij në raport me kohën që ai po drejton GKA. Pra është ai që po e mendon si më të mirë. Ai është njohësi më i mirë i praktikave të tilla dhe në të drejtën e tij është, që në mandatin që ka të mendojë të bëjë si e sheh më të mirën.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here