126 zyrtarë përplasen me ILDKP, refuzojnë të paguajnë gjobat për fshehjen e pasurisë, hyn në lojë përmbarimi

0
441

Zyrtarët e lartë të cilët janë kapur në shkelje të ligjit për fshehje të pasurisë janë futur në “sherr” me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Në rastet kur ILDKP konstaton se zyrtarët nuk kanë deklaruar ashtu siç duhet pasurinë, gëzon të drejtën e gjobës. Përgjatë tetë-mujorit të parë të vitit 2018, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ka vendosur plot 40 gjoba, duke bërë që të përfitohen të ardhura në vlerën e 6.600.000 lekësh.“Të ardhurat nga veprimtaria e ILDKPKI, vijnë kryesisht nga: Arkëtimi i gjobave të vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, gjatë zbatimit të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të Disa Nëpunësve Publikë” i ndryshuar, parandalimit dhe goditjes së korrupsionit në sektorin publik e privat, në përputhje me ligjin nr. 60/2016, datë 2.6.2016 «Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve nga subjekte në sektorin publik dhe privat. Për 8-mujorin e vitit 2018 janë gjithsej 40 raste, në vlerën 6,600,000 lekë”, thuhet në një dokument që gazeta “SOT” ka arritur të sigurojë nga ILDKP. Por zyrtarët e lartë të gjobitur për fshehje të pasurisë ka raste që refuzojnë të paguajnë gjobën dhe në këto kushte nevojitet ndërhyrja e Zyrave Përmbarimore. Futja në lojë e Përmbarimit bën që gjobat të vilen me detyrim, pasi është kaluar edhe procesi gjyqësor, i cili ka vendosur kundër zyrtarëve të gjobitur. Nisur nga kjo, janë plot 126 raste kur zyrtarët e gjobitur janë përplasur me ILDKP dhe nuk kanë pranuar të paguajnë, duke bërë të nevojshëm ndërhyrjen e përmbarimit. Nga ana tjetër, në dokumentin e siguruar nga gazeta bëhet me dije se janë edhe 26 raste të tilla të cilat janë në proces likuidimi. “Të ardhurat nga veprimtaria e ILDKPKI, vijnë kryesisht nga Ekzekutimi i detyrueshëm nga Zyrat Përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë të vitit janë ekzekutuar tërësisht gjithsej 126 raste, në vlerën 19,621,561 lekë, nga të cilat 100 raste në vlerën 15,521,561 lekë, kanë kaluar në llogari të të ardhurave të ILDKPKI. Arkëtimi në favor të ILDKPKI i 26 rasteve të tjera, të cilat përbëjnë vlerën 4,200,000 lekë, është në proces likuidimi”, thuhet në dokument.

Shuma e të ardhurave të ILDKP

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ka arritur të sigurojë në total 22.168.121 lekë për tetë-mujorin e parë të vitit 2018. Një pjesë e këtyre të ardhurave janë siguruar nga gjobat, një pjesë nga ndërhyrja e Zyrave të Përmbarimit për vjeljen e gjobave, ndërsa pjesa tjetër nga zbatimi i ligjeve organike mbi të cilat funksionon ILDKP. “Të ardhura të tjera të cilat për periudhën respektive, janë në vlerën 46,560 lekë.Gjithsej të ardhurat të arkëtuara për 8-mujorin e vitit 2018, janë në vlerën 22,168,121 lekë. Të gjitha këto të ardhura, të realizuara në zbatim të ligjeve organike mbi të cilat funksionon Inspektorati i Lartë dhe të VKM nr. 432 dt. 28.06.2006 “Mbi të ardhurat në Institucionet Buxhetore”, kalojnë në Buxhetin e Shtetit në masën 100%.Bazuar në nenin 34 të ligjit nr. 12/2018, ILDKPKI gjatë procedurës së vlerësimit të pasurisë vë në dispozicion të gjitha informacionet që disponon, si rezultat i deklarimit të punonjësve, të cilët kanë pasur detyrimin për deklarimin e pasurive sipas ligjit përkatës”, sqarohet në dokument.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here