Gati infrastruktura për Byronë e Hetimit, ndërkombëtarët inspektojnë godinën e re, FBI dhe BE pajisje dhe asistencë teknike

0
32

Godina dhe pajisjet për Byronë Kombëtare të Hetimit janë gati. Sapo Këshilli i Lartë Gjyqësor të ngrihet, menjëherë do nisë puna për të ngritur Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimeve. SPAK do të vendoset në ambientet e Krimeve të Rënda, ndërsa BKH do të ketë si godinë ambientet e ish-Ministrisë së Shëndetësisë, ngjitur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Kjo godinë është restauruar dhe është gati për Byronë Kombëtare të Hetimit. Gazeta ka mësuar se momentalisht aty është instaluar njësia qendrore e “Forcës së Ligjit”, e ngritur nga policia dhe prokuroria. Në godinë janë instaluar të gjitha pajisjet e nevojshme, ndërsa zyra u janë dhënë dhe ekspertëve të FBI, PAMECA dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Europian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje ditën e djeshme në këtë godinë ka mbërritur Zv/president i BKA (Zyra Federale Kriminale) e Gjermanisë, Peter Henzler. I shoqëruar nga ministri Fatmir Xhafaj, ai ka parë nga afër të gjitha ambientet e godinës së re, ndërsa ka premtuar më shumë mbështetje nga Gjermania. Gazeta e ndoqi nga afër këtë takim dhe ka mësuar se godina është me standarde europiane. Siguria aty është maksimale, ndërsa janë instaluar shumë pajisje speciale që momentalisht po ndihmojë njësinë Task Forcë të godasë bandat kriminale. Por sapo të grihet SPAK, do hapet menjëherë gara për punonjës të Byrosë së Hetimit dhe pasi të kalojnë procedurat ata do e kenë çdo gjë gati. Në këtë aspekt do ketë vetëm zëvendësim stafi, pasi godina, infrastruktura dhe pajisjet janë të gjitha gati. Por ajo që do të ndryshojë është se Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë në fokus të saj pushtetarët e korruptuar, ndërsa njësia speciale aktuale po përqendrohet te bandat e armatosura. Momentalisht kjo njësi po asistohet nga ekspertë të FBI, ekspertë gjermanë, francezë, belgë etj, të cilët do vijojnë të japin asistencë dhe kur Byroja e Hetimit të jetë gati. Sinjalet janë se sapo SPAK dhe BKH të marrin jetë, do ketë reprezalje në politikë dhe në radhët e krimit të organizuar.

Procedurat për ngritjen e BKH

Sapo të jetë ngritur KLGJ dhe KLP do bëhen shpalljet për vendet vakante në këto organe. Fillimisht SPAK pritet të punojë me rreth 10 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa më pas stafi do të shtohet. Ndërkohë Byroja e Hetimit do jetë një tjetër organ, i cili do hetojë vetëm zyrtarët e lartë, pasi SPAK do ketë në vëmendje dhe krimin e organizuar. Më herët në Tiranë kanë mbërritur disa agjentë të FBI dhe ata janë duke trajnuar disa të rinj për t’i bërë anëtarë të Byrosë së Hetimit. Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Po ashtu çdo dy vjet hetuesit do kalojnë në testim dhe kush ngel, largohet nga detyra. Pra, kjo do të thotë se Byroja e Hetimit do jetë mjaft e përgatitur dhe rol shumë të madh do kenë të huajt. Një agjent i FBI do qëndrojë aty për më shumë se dy vite dhe do japë udhëzime për luftën ndaj korrupsionit. FBI do këtë një zyrë të vetën që do bëjë trajnime. Nga ana tjetër edhe në SPAK, SHBA-BE do kenë zyrat e tyre. Elementi tjetër është që fokusi i saj do jetë vetëm korrupsioni në nivele të larta, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, etj.

Kliti Topalli

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj