Dervishi: Mjekët kanë “tradhtuar” pacientët, kanë trafikuar të dhënat nga spitalet publike tek ato private

0
29

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi ka dhënë ditën e djeshme alarmin se mjekët shqiptarë nuk ruajnë privatësinë e pacientëve. Duke folur në aktivitetin me temë “Rregullat në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin e kujdesit shëndetësor”, Dervishi bëri me dije se mjekët kanë trafikuar të dhënat e pacientëve nga klinikat publike drejt atyre private, madje sipas tij, shpërndajnë të dhëna personale që lidhen me diagnozën si dhe numrin e telefonit. “Mund t’ju ketë ndodhur që pasi keni bërë një vizitë mjekësore në sistemin publik t’ju kenë telefonuar nga ndonjë klinikë private me të cilën ju nuk keni kontaktuar herë tjetër dhe çuditërisht ata kanë siguruar jo vetëm numrin tuaj të telefonit, por dhe për çfarë shkoni ju më shpesh tek mjeku. Ne këtë mënyrë ju ofrojnë të shkoni në atë klinikë ku mund të përfitoni edhe ndonjë ekzaminim falas. E kjo, është shkelje e hapur e privatësisë apo mos ruajtjes së të dhënave personale, e cila është një e drejtë themelore e pacientit”, deklaroi ai.

Më tej, komisioneri Dervishi raportoi për shumë raste nga institucionet publike dhe ato private. “Kemi zhvilluar në dy vitet e fundit 300 hetime administrative, 40 prej të cilave janë të përqendruara në sektorin e shëndetësisë. Ka pasur shkelje të karakterit: Dosje shëndetësore të pacientit, të dhënat që gjendet në institucionin publik gjendjen papritur në një spital privat”, shprehet ai. Po ashtu, ai vuri në duke se qytetarët shqiptarë nuk kanë shumë informacion për ruajtjen e të dhënave të tyre personale pasi rastet janë të pakta. “Na vijnë nga të gjitha llojet e ankesave, që nga mos ruajtja e të dhënave personale deri tek filmimet dhe keqpërdorimi i tyre”, u shpreh ai. Ndërkohë, Komisioneri i Ruajtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi deklaroi se sistemi i shëndetësisë është një nga fushat më të rëndësishme për sa i përket mbrojtjes se te dhënave personale për numrin e madh të përpunimit të tyre por edhe natyrën sensitive të këtyre të dhënave. Në këtë kontekst, Dervishi theksoi se zyra e komisionerit e ka në vëmendje këtë sektor duke nxitur investimin në burime njerëzore të kualifikuara dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave personale.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj