Ministria e Drejtësisë zbardh planin, mbi 900 zyrtarë rrezikojnë arrestimin në vitin e parë të SPAK, tërmet në radhët e të korruptuarve

0
706

Viti 2019 pritet që të sjellë furtunë si në Kroaci e Rumani sa i takon luftës ndaj korrupsionit. Gazeta “SOT” pak ditë më parë publikoi një dokument të Ministrisë së Drejtësisë mbi planin për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Po kjo ministri ka hartuar një tjetër plan, mbi synimet dhe pritshmëritë gjatë viteve 2019 dhe 2020 sa i takon luftës antikorrupsion. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me përfaqësues të Bashkimit Europian, të SHBA dhe ekspertë të fushës, kanë hartuar “Pasaportën e Treguesve”, në kuadër të strategjisë antikorrupsion. Kjo pasaportë ka brenda statistika për luftën ndaj korrupsionit në të gjithë sektorët, por dhe planin për vitet në vijim. Në pasaportë i është kushtuar një rëndësi e madhe numrit të kallëzimeve për korrupsion, si dhe numrit të personave të dërguar në gjykatë dhe atyre të hetuar. Sipas dokumentit, gjatë vitit 2017 kanë shkuar në gjykatë 813 zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Bëhet fjalë për zyrtarë të të gjitha niveleve. Këtu përfshihen kallëzime të bëra nga vetë individët, por dhe kallëzime nga institucione shtetërore, si KLSH, ILDKP, ministri, etj. Por në raport është theksuar se me ngritjen e SPAK, pritet të ketë një trend rritës me 5 për qind të luftës ndaj korrupsionit dhe sipas planit, synohet që të dërgohen në gjykatë rreth 897 individë, nga 1073 të akuzuar. Çdokush mund të ngrejë pyetjen se si mund të planifikohen arrestimet, pasi duhen hetime e prova? Në Pasaportë është dhënë dhe formula që është ndjekur. Sipas dokumentit, janë marrë treguesit statistikorë të zyrtarëve të akuzuar dhe të përfunduar në gjykatë që prej vitit 2015. Për 3 vitet e fundit është parë trendi i kallëzimeve, i personave të hetuar dhe i atyre të dërguar në gjykatë. Mbi bazë të këtyre shifrave, në vitin 2019 synohet që të ketë një rritje, duke qenë se do të nisë punën SPAK. Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë mendon se do përballen me drejtësinë rreth 900 zyrtarë.

Shembulli kroat e rumun

Në vitin 2017 rezultojnë të dërguar në gjykatë plot 813 zyrtarë. Por bëhet fjalë për individë kryesisht të niveleve të ulëta e të mesme. Shumica janë të kallëzuar nga KLSH, që janë drejtorë drejtorie dhe agjencish shtetërore. Ndërsa një pjesë janë kallëzuar nga vetë ministritë, drejtoritë, etj., pasi kanë kryer afera. Por ka dhe nga ata që janë denoncuar nga qytetarët përmes platformave online apo në prokurori e polici. Por në 2019 kësaj shifre do i shtohen dhe zyrtarët në nivele të larta. Synimi është që të shkohet te pushtetarët, duke nxitur kallëzimet dhe denoncimet nga individët dhe institucionet. “Hetimet, të zbatuara nga agjencitë e zbatimit të ligjit nën koordinimin dhe udhëheqjen e Prokurorisë, do të sjellin hartimin e kallëzimit nga Prokuroria dhe paraqitjen e tyre në Gjykata. Pritet rritja e efektivitetit të hetimeve, duke sjellë rritjen e numrit të kallëzimeve. Një vlerësim i plotë do të marrë në konsideratë si rastet ashtu edhe personat. Performanca do të vlerësohet duke matur rritjen e numrit total të kallëzimeve për korrupsion. Treguesi do të matet si nga numri i rasteve ashtu edhe nga numri i personave të përfshirë në kallëzime”, thuhet në dokument. Aty është publikuar dhe formula se si do shkohet te treguesit për korrupsionin në nivele të larta. “Është përfshirë një nën-tregues shtesë, për të vlerësuar performancën në kontekstin specifik e të ashtuquajturave “raste të korrupsionit të nivelit të lartë”. Në këtë kuadër, “çështjet e nivelit të lartë” përkufizohen ato që lidhen me nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal. Llogaritja e raportit do të kryhet si më poshtë: Raporti i kallëzimeve për “korrupsion të nivelit të lartë” pjesëtuar me numrin total të kallëzimeve për korrupsion, shumëzim 100%”, thuhet aty. Viti 2019 do jetë viti i parë i SPAK, ndërsa në vitin e dytë, pra 2020 synimi është që të shkojnë para drejtësisë 940 persona. Nëse ndodh kjo, atëherë duket se do shkohet drejt shembullit kroat e rumun, ku janë arrestuar ndër vite me dhjetëra mijëra zyrtarë të korruptuar./ Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here