Pavlo Shkarpa: Bota ruan dhe një tullë, te ne po dhunohet trashëgimia kulturore

0
45

Problemet me trashëgiminë kulture vijojnë, edhe pse nga Ministria e Kulturës prezantohen projekte për specialistët bëhet pak për monumentet. Specialisti Pavlo Shkarpa pohon se edhe vendimi për dhurimin e ikonës për 60 vjetorin e Shqipërisë në UNESCO është i nxituar. Njëkohësisht dhe drejtues i shoqatës “Antipatrea”, që merret me trashëgiminë kulturore, Shkarpa pohon se Ministria e Kulturës tregon që nuk po mbron vlerat. Në intervistën për “SOT” specialisti Pavlo Shkarpa ndalet dhe në problemet, që ka qendra historike e Beratit. Ai tregon se në trashëgiminë kulturore mungojnë ndërhyrjet restauruese, mungojnë projektet themelore, ku nuk ka pak rrezik dhe nga zjarri për monumentet e kulturës. Inxhinieri dhe restauratori akuzon Ministrinë e Kulturës që po lë në rrënim monumentet e kulturës dhe sjell shembuj dhe për objektet, që janë në Tiranë. Sipas tij problem mbetet që sot në Ministri të Kulturës mungojnë specialistët e trashëgimisë.

– Pse e kundërshtoni vendimin e dhurimit të ikonës për 60 -vjetorin e Shqipërisë në UNESCO?

Unë kam reaguar dhe jam kundër vendimit për dhurimin e ikonës “Ngjallja e Llazarit” në UNESCO, sepse janë vlera kombëtare. Unë e quaj turp, që është marrë një vendim i tillë nga qeveria, dhe më vjen keq që edhe propozimi është bërë nga Ministria e Kulturës. Ministria duhet të mbrojë të gjithë trashëgiminë kulturore të kombit shqiptar. Unë e them dhe e i bëj thirrje kryeministrit dhe ministres së Kulturës të tërhiqen nga ky vendim. Nëse shkon në UNESCO ne do të mblidhemi si specialistë dhe do ti shkruajmë të mos e pranojë. Ikona duhet të jetë në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës. Por ky fond që është në muzeun e Korçës është marrë vite e vite më parë që nga koha e Partisë së Punës në Shqipëri kur Manush Myftiu mbulonte kulturën nga Berati dhe është dërguar në Korçë. Unë kam bërë dhe një shkrim, ku kam thënë që nuk ka vend kultura e Beratit në Korçë ashtu si dhe ajo e Korçës në Berat. Korça dhe Berati janë qytete të vjetra shqiptare, por e vërteta duhet të thuhet. Ikona “Ngjallja e Llazarit”, është bërë nga shkolla e Onufrit. Problemi ikonografik në Shqipëri është më madhor. Kjo sepse vitet e tranzicionit shqiptar ka pasur abuzim me ikonografinë shqiptare. Në Berat mungojnë ikona për shkak të tranzicionit pas viteve ‘90. Ju e dini që më 1967 u prishën kishat dhe xhamitë. Familjet shqiptare, familjet beratase dhanë ikona. Edhe familja ime ka dhënë ikonë, por ajo ishte 600 vjeçare dhe ia ka dorëzuar qeverisë së asaj kohe, por sot ku mund të jetë? Edhe po të ngrihen të tëra familjet të pyesin se ku janë ikonat nuk dihet. Ndër vite dihet që ka pasur trafik të veprave të artit, dhe sot ikonat po na ikin me vendim qeverie. Pas 1990 janë zhdukur vepra, dhe në vend që qeveria të merret me këtë, ti hetojë, të merret me këtë problem, por ajo nuk e bën. Qeveria së fundmi bën vendime që dhuron ikona. Për mua kjo ikonë duhet të qëndrojë në fondin e veprave të muzeut në Korçë, madje duhet që të anullohet ky vendim. Nëse duan t’ia dhurojnë për 60 vjetorin e Shqipërisë në UNESCO, le të bëjnë një imitacion të saj dhe t’ia japin, por origjinali duhet të ngelet në fond. Nëse drejtori i UNESCO-s  ikën me mbarimin e mandatit, kush do ta marrë ikonën? Po kur të vijë 70- vjetori i Shqipërisë në UNESCO do të dhurojë sërish qeveria ikonë? Po në 80- vjetor do të çojmë sërish?  Kjo ikonë do ti mungojë trashëgimisë sonë, nuk mund të dhurohet.

-Jeni drejtues i shoqatës “Antipatrea”, por më herët ju reaguat dhe për trashëgiminë kulturore të Beratit?

Sot po trumbetohet me të madhe që turizmi në Berat i ka kaluar 100 mijë vizitorë. Mua më vjen mirë nga kjo. Problemi është a janë kënaqur ata? Unë di që turistët i drejtohen mureve të kalasë për të kryer nevojat personale, mungojnë banjot publike. Ku janë paratë, që mbledh ky qytet? Unë se njoh ligjin e ri të trashëgimisë, por atë të vjetrin po. Ligji i vjetër thoshte, që çfarë mbledh monumenti hidhen po aty. Nëse këto para që mbledh kalaja, muzetë, sepse kjo është infrastruktura e tij historia, ku shkojnë? Unë nuk shikoj që të ketë projekte themelore në Berat. Ministria duhet të jetë transparente. Të na thërrasë në mbledhjen e KKR për Beratin. Unë jam përfaqësues i një shoqate, që mbulon trashëgiminë dhe kërkoj llogari për çfarë ndodh me trashëgiminë. Por ne shikojmë që është një ministre e fasadave.

-Pse?

E kam thënë edhe më parë, që ministrja e Kulturës vazhdon të jetë ministre e fasadave, sepse vetëm poston ndonjë gjë në Facebook. Shkon ndonjëherë në Berat. Është ministre e fasadave dhe jo e punës. Të më tregojë punët që ka bërë në Berat. Nëse bie një zjarr në kalanë e Beratit, me çfarë do ta shuajmë? Nëse zonja Kumbaro të ketë dëshirën që të ulet në nivelin e një specialisti, dhe mos ta mbajë veten shumë lart si ministre sepse sot është nesër nuk do jetë, të më thotë ejani t’ju tregoj çfarë kemi bërë në Berat. Unë do të jem dakord, nëse do të ketë realizuar projekte themelore dhe do t’i them më fal. Por nuk kanë bërë projekte themelore. Berati është i rrezikuar nga zjarri, jepen leje ndërtimi dhe janë prishur hamamet e arkitekt Kasemit në kohën e perandorisë osmane. Nëse zonja ministre do unë jam gati të përballem me atë për prishjen e trashëgimisë apo gjërat që janë bërë gjysmake. Është e rrezikuar nga zjarri kalaja, edhe Gorica edhe Mangalemi. I mungojnë hidrantet e ujit. E kemi thënë dhe më parë, që mungojnë. Nëse bie një zjarr në Mangalem, ku do vihet tubi i ujit? U dogj dikur godina e Myzeqarëve, por nuk vinin dot deri atje, nuk vinin dot tubat për të shuar zjarrin, derisa u shkrumbua e gjitha. Falënderoj perëndinë që u shpëtua nga zjarri dikur dhe Muzeu Ikonografik Onufri. Morën flakë disa banesa mbi këtë muze dhe zoti i madh e shpëtoi muzeun. Unë jam dhe drejtues i shoqatës “Antipatrea” që mbulojmë gjithë kulturën e Beratit dhe nuk di të kemi pasur konsultime as për ligjin e trashëgimisë. Ne jemi dhe specialistë të fushës, por as na kanë pyetur. Shoqata jonë ka kontribuuar për Beratin të jetë në UNESCO dhe as na kanë pyetur ndonjëherë. E kam thënë më parë, një ministre një ditë do iki nga ajo karrige që është ulur sot, por kultura dhe trashëgimia jonë do të mbesë.

-Po restaurimet, si janë ndërhyrjet në banesat monument kulture?

Ka bërë një punë të mirë DRKK në Berat, ku drejtori po mundohet të tregojë se është i përkushtuar dhe e ndjek situatën, por ama edhe ai ndjek linjën e fasadës së ministres së Kulturës. Kam parë dhe elementin para dhe pas restaurimit, edhe pse drejtori i DRKK ka treguar përkushtim, por ai kaq mundet të bëjë jo më shumë. Problemi i tij është që të bëjë projekte, sepse duket sikur po merret me shumë më trashëgiminë shpirtërore, në vend që të merret me trashëgiminë materiale. Do të thotë të restaurojmë një ikonë, por ama të punohet për të gjetur ku janë dhe ato që nuk janë prej vitesh. Unë i kërkoj shtetit të ngrejë një taks forcë për të gjitha ikonat, që nuk janë më pas viteve ‘90. Këto janë probleme, që duhet të kenë vëmendjen e qeverisë.

-Ju keni firmosur dhe kundër ndërtimit të Bypass në Gjirokastër. Çfarë mund të na thoni pasi deri tani nuk ka një vendim zyrtar për anullimin e tij?

Unë kam firmosur ashtu si dhe të tjerë specialistë. U thirra prej tyre dhe unë e mbroj atë që kam firmosur. Bëj apel që mos të prishet trashëgimia kulturore për një Bypass. Sot është koha e mbikalimeve dhe e nënkalimeve. Turp të prishet trashëgimia në Gjirokastër për ndërtimin e Bypass. Të vjen keq. Nuk do ta na e fali nesër brezi, që do të vijë. Ka të rinj të apasionuar që po vazhdojnë arkitekturën, restaurime dhe e duan vendin e tyre. Një ditë ata nuk do të na e falin nëse bëhet ai projekt. Sërish e ftoj ministren e Kulturës në debat dhe do t’ia them në sy të gjitha problemet. Ama unë di një gjë, që nëse është e vërtetë është turp që punësohen atje njerëz, që nuk janë profesionistë dhe në atë institucion merren me trashëgiminë. Nëse në ministri do të vihej njeriu adapt që i dhemb shpirti për trashëgiminë edhe ai propozim për dhurimin e ikonës në UNESCO nuk do të ishte bërë.

-Ju e akuzoni, por janë publikuar projekte restaurime urash, kishash nga ministria?

Kemi këtu në mes të Tiranës një monument kulture, që mbrohet nga shteti dhe është dhunuar. Privatit i jepet leja për ndërtim, ndërsa monumentin e kanë lënë në mëshirë të fatit. Ajo që unë shikoj monumentet po shkatërrohen. A është mungesë fondesh, mungesë dëshire unë se di, por po shkatërrohen. Nëse unë do të isha në trashëgimi nuk do të rrija, por do të trokisja në çdo derë të organizmave ndërkombëtare për monumentet, sepse Berati ka tashmë pasaportën e UNESCO-s. Do ti thosha shikoni monumentet tona, na duhet ndihmë, me të drejtën e pasaportës ndërkombëtare të UNESCO-s. Por UNESCO po të pa që ti punon të ndihmon, nëse fle gjumë të lë aty ku je. Unë kam luftuar që Berati të futej në UNECO, kemi bërë ekspozitë deri në Këshillin e Europës që të futej dhe Berati në sitin e Gjirokastrës. Ku është sot Muzeu i Bashkëjetesës Fetare në Berat? Ku është Muzeu i Babë Dud Karbunarës? Është e dhimbshme, që po dhunohet trashëgimia kulturore dhe përgjegjësi mbajnë të gjithë. Nuk mund të bëhen vendime qeverive e ministrie pa transparencë. Bota ruan dhe një tullë, por ne i shkatërrojmë dhe nuk i ruajmë. Përgjegjësia jonë janë monumentet. Unë shikoj që për restaurime venë fondet edhe atje ku nuk duhet, dhe nuk restaurohen edhe ato që kanë vërtetë vlera.

Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj