Komedia “Tag”, sonte në mbrëmje për publikun te “arTurbina”

0
36

Vepra “Tag” shkruar nga Bashkim Hoxha me regji nga Andia Xhunga sonte në mbrëmje te “arTurbina” për publikun. Sezoni artistik i Teatrit Kombëtar nisi me një vepër teatrore shqiptare, dhe me regjinë e Andia Xhungës. Teatri Kombëtar bën me dije se shfaqja është mirëpritur nga publiku, ndërsa publikon dhe foto gjatë netëve kur shfaqja është në skenë. Kjo komedi shqiptare ishte e para në skenë dhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit. Vepra ka në role aktorë të Teatrit Kombëtar, por dhe jashtë tij. Për të sjellë këtë vepër teatrore shqiptare regjisorja Andia Xhunga ka zgjedhur aktorë si Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muça, Naun Shundi, Mehdi Malka, Ardian Cerga, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku, Artan Imami, Genti Deçka. Skenografia i është besuar skenografit Genc Shkodranit, ndërsa atmosfera e fshatit në kostume vjen nga Berina Kokona.

“Tag” është një vepër e shkruar për realitetin tonë. Është një fshat i dhënë pas “Facebook”-ut, i cili ka punët dhe angazhimet e veta, por përpiqet që të gjejë veten diku larg, duke kërkuar profile të ndryshëm për komunikim me të gjithë botën, duke harruar në të njëjtën kohë gjërat që ka shumë pranë. “Tag” është një nga veprat e lexuara në “Netët e dramës shqipe”, e cila fitoi të drejtën për t’u ngjitur në skenën e Kombëtarit dhe për të qenë pjesë e repertorit të tij. Në mënyrë ironike, autori Bashkim Hoxha i ka vendosur ngjarjet në një fshat, i cili i ka harruar të gjitha punët dhe është zhytur në “Facebook”. Gjithçka mund të presë, edhe mbjellja dhe korrja e arave, edhe lopa e lidhur në haur, por jo komunikimi me miqtë virtualë.  I vendosur në kontekstin e fshatit, ky diskurs teknologjik krijon një “rrjet” ngatërresash dhe situata qesharake mes personazheve që komunikojnë virtualisht, edhe pse jetojnë fare pranë njëri-tjetrit. Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë me radhë vepra si “Heronjtë e Viagrës”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero”, “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, etj. Bashkim Hoxha në krijimtarinë e tij shquhet për gjetje origjinale dhe këndvështrime interesante.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj