Komisioni i Jashtëm përfshihet nga debatet për fondet “IPA II”, Fino dhe Kodheli kritika për projektligjin: Nuk ka detaje

0
20

Komisioni për Politikën e Jashtme është përfshirë ditën e djeshme nga debatet. Shkak është bërë ratifikimi i marrëveshjes për bashkëpunimin ndërkufitar, pjesë e programit IPA 2, edhe pse bëhet fjalë për para të Bashkimit Europian të ardhura në Shqipëri dhe Kosovë. Fillimisht, ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino i cili ka kërkuar nga drejtorja e programeve IPA në ministrinë e Jashtme, më shumë detaje nga këto financime në mënyrë që ligjvënësit të jenë më të informuar për atë që votojnë.

“Këto alokime të 2016 ku janë, ku shkuan dhe çfarë është bërë, cilat janë listat e investimeve? Unë nuk i kam”, deklaroi deputeti socialist, Bashkim Fino. Ndërkohë shqetësimit të Finos iu bashkua dhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli. Gjatë fjalës së saj para ligjvënësve socialistë, deputetja Kodheli deklaroi se nëse këto financime janë të dështuara atëherë deputetët nuk kanë pse ti votojnë. “Autputi që del nga këto projekte mund të lënë për të dëshiruar. Nuk ta miratoj këtë 15% më”, deklaroi ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ndërsa drejtorja Daniela Çekani u shpreh se Parlamenti miraton vetëm rregullat dhe fondin e përgjithshëm, por nuk mund të ketë më shumë informacion sepse sapo është hapur thirrja për aplikime dhe nuk dihet se ku do shkojnë financimet. “Sigurisht që miratohen më parë alokimet vjetore dhe më pas janë projektet që përzgjidhen”, deklaroi Daniela Çekani.

Megjithatë, në fund deputetët socialistë edhe pse me rezerva e miratuan këtë pr/ligj. Më pas, Komisioni miratoi edhe pikat e tjera të rendit të ditës. “Miratimi i procesverbaleve të datave 18 dhe 19 Shtator 2018; Miratimi i kalendarit tre javor të punës së komisionit; Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin 2005 të Konventës për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Lundrimit Detar, aderuar me ligjin nr.8850/2001, dhe Protokollin 2005 të Protokollit për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Platformave Fikse në Shelfin Kontinental, aderuar me ligjin nr.8850/2001”; Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2016”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj