Ndizet beteja për pikat e basteve, mazhoranca e pasigurt për numrat në Parlament, biznesmenët tentativa për të blerë deputetët

0
558

Nisma e kryeministrit Edi Rama për të shfarosur pikat e basteve në vend, duket se nuk do të jetë aq e lehtë. Zhvendosja e kazinove duhej të ishte bërë dy vite më parë dhe disa deputetë e shtynë procesin me dy vite. Për këtë arsye në mazhorancë ka nisur frika se mund të mos sigurohen votat e nevojshme në Parlament. Qeveria ka dërguar në Parlament ndryshimet në ligj, ku përcaktohet mbyllja e të gjitha pikave të basteve dhe shumë shpejt drafti do kalojë në komisione e më pas në seancë plenare. Po gazeta ka mësuar se kryeministri Rama është i shqetësuar se deputetë të caktuar mund të bojkotojnë seancën, votojnë kundër apo të bëjnë veprime të tjera që kjo nismë të mos miratohet. Frika është se bosë të krimit dhe biznesmenët që kanë pikat e basteve mund të blejnë individë të caktuar. Për këtë arsye dje Rama u ka dërguar nga një mesazh të gjithë deputetëve, ku ja u ka bërë të qartë se kjo nismë duhet të miratohet. Madje ai e ka bërë të ditur se individë të ndryshëm kanë nisur presionet ndaj deputetëve. “Kanë nisur t’ju çojnë lumenj mesazhesh nëpër telefona kundër mbylljes së basteve! Janë të orkestruara nga burgu e nga llagëmet e atyre që fshihen pas kompanive, prandaj mos e vrisni mendjen dhe mos dëgjoni as shpifjen për “monopol online” sepse s’do të ketë asnjë lloj monopoli”, ka thënë Rama në mesazhin që u është shpërndarë të gjithë deputetëve. Pra duket se derisa nisma të miratohet në Parlament, do ketë një betejë të fortë brenda mazhorancës. Deputetët brenda saj janë akuzuar shpesh se kanë aksione në kompani bastesh e kazino. Të tjerë akuzohen për lidhje me pronarët e kazinove. Kjo duket se do e vështirësojë nismën e kryeministrit, i cili që tani ka nisur lëvizjet për të forcuar radhët në PS, pasi numri i votave në Parlament mund të mos sigurohet ditën që do hidhet në votim nisma.

Paralajmërimet e Ramës

Një ditë më parë kryeministri foli për shfarosjen e basteve. Ai ju përgjigj dhe kritikëve, të cilët e kanë akuzuar se po favorizon kompanitë e basteve online. “Paratë e zeza të basteve po derdhen kazanëve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Këtë për çudi s’e paska Taulanti. Mos u lodhni kot, bastet s’i shpëtoni dot më! Edhe bastet edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri. Amanet dëshmitarin X”, tha Rama. Më herët kryeministri e bëri të qartë se nuk do të lejojë më kazino në qytet dhe pika bastesh, të cilat sipas tij, po rrënjosin familjet shqiptare. “Duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare. Ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati, 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati. Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin për ligjin ekzistues, me metodat që e çanë koalicionin qeverisës kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare, sqaroj dhe një gjë tjetër, që Lotaria Kombëtare nuk do ketë asnjë element të kazinove elektronike, ose siç njihen në gjuhën zyrtare VLT”, tha Rama pak ditë më parë, kur dhe shpalosi nismën për mbylljen e basteve sportive.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here