Panuçi s’ka ndërmend të dorëhiqet, shtypi i huaj ironizon keqas kuqezinjtë

0
580

Trajneri Kristian Panuçi refuzon të japë dorëheqjen. Ai ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë të drejtojë skuadrën, duke menduar për sfidat e radhës. Polemikat këtë herë nuk kanë pasur vend, sepse ekipi luajti mirë në Beer Sheva, por kuqezinjve tanë u mungoi finalizimi. Ishin 65% me 35% epërsi në mbajtjen e topit, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera, si goditje në kuadrat, goditje drejt portës kundërshtare, goditje këndi, raste të krijuara për gol etj, dominuam bindshëm dhe mediat izraelite e kishin pranuar këtë fakt. Por mungon rezultati, ai që është më i rëndësishmi dhe disfata 2-0 e nxjerr Shqipërinë pothuajse nga gara e një kalimi të mundshëm të Ligës C, madje rrezikojmë të biem në Ligën D.

Panuçi pritej të jepte dorëheqjen por nuk e ka bërë, duket se me këtë qëndrim është pajtuar edhe qeveria e futbollit, pra FSHF, ndoshta me synimin për t’i dhënë trajnerit mundësinë ta mbyllë këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe për tanët angazhimi mbyllet më 17 nëntor kur të presim në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”, përfaqësuesen e Skocisë. Pra Panuçi nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe s’ka pse ta bëjë. Ai e ka “qepur” mirë kontratën dhe një shkarkim do të bënte që ai të paguhej rregullisht në bazë të firmës që ka bërë me FSHF-në, ndërsa kjo e fundit do të ekspozohej e shtrëngohej për të gjetur një trajner tjetër, duke paguar dy herë për drejtimin e skuadrës. Tashmë dëmi është bërë dhe Panuçi do të presë mbylljen e ndeshjeve në Ligën e Kombeve, për të marrë një vendim. Por nga qëndrimet e tij të deritanishme është lënë të kuptohet se ai po mendon ta drejtojë Shqipërinë edhe në kualifikueset e Europianit të vitit 2020. Ndërkohë, shtypi sportiv europian dhe më gjerë ka ironizuar mjaft humbjen e kuqezinjve kundër Izraelit, duke marrë shembull golin e parë të izraelitëve, një gol mjaft i çuditshëm që ndodh rrallë në fushat e futbollit. Të pësosh një gol si ai që na shënoi të dielën në mbrëmje Izraeli është shumë e rrallë dhe këtë e kupton nga fakti se pamjet e këtij takimi kanë bërë xhiron e botës të shpërndara nga media të ndryshme europiane dhe më gjerë. Duke filluar nga prestigjiozja franceze “L’Equipe” e për të vazhduar më pas me media të ndryshme në Itali, Greqi, Zvicër apo Holandë, të gjithë shkruanin për golin e realizuara nga Hemed si një gjë shumë e rrallë. Nuk ndodh shpesh që një top i pasuar nga rivënia fundore në një distancë mbi 70 metra të kapet nga sulmuesi “pykë” dhe ai të realizojë me një manovrim perfekt golin. Padyshim që një realizim i tillë ndodh për shkak të saktësisë absolute të skuadrës dhe lojtarëve që kanë në këmbët e tyre topin, pro edhe për mangësitë që ka skuadra mbrojtëse, në këtë rast ekipi ynë, ku lojtarët ishin të rreshtuar keq, të pavëmendshëm dhe portieri që kishte dalë nga porta dhe ishte në pozicion krejt të papërshtatshëm dhe aspak në linjë me lojtarët e tjerë. Me pak fjalë Izraeli realizoi një gol të rrallë në mënyrë perfekte e të thjeshtë, kurse skuadra jonë u bë objekt ironie në shtypin sportiv botëror, teksa u mor shembull negativ për mbrojtjen e rreshtuar gabimisht dhe të përgjumur në mënyrë vajtuese.

Në fakt, të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se një gol i tillë është i rrallë për faktin se mbrojtësit zakonisht nuk u japin liri sulmuesve kundërshtare të shkojnë aq thjesht drejt portës pas rivënies fundore, siç në rastin e kombinimit Harush-Hemed. Ndaj përgjumja e prapavijës kuqezi ishte shumë e veçantë dhe i krijoi Izraelit mundësinë të shënonte një gol të rrallë, të cilin vështirë se do ta shohim përsëri shumë shpejt në nivele profesioniste. Kjo pasi profesionistët nuk mund të lejojnë gafa të tilla siç ndodhi me mbrojtjen e përfaqësueses tonë. Mbetet të shihet çfarë do të ndodhë me Panuçin dhe me skuadrën në ditët dhe javët e ardhshme, por shanset që ne të zëmë vendin e parë në grup janë vetëm matematikore, por aspak praktike, ndërkohë që shanset që të rrëzohemi nga Liga C në Ligën D janë të mëdha, sepse jemi në vend të fundit në grup.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here