CIA zbardh detajet, ja si veriu i Shqipërisë u kthye në qendër spiunazhi, Tito nisi furnizimin me armë për të luftuar regjimin e Hoxhës

0
59

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, theksohet se gjatë viteve 1950, aty operonin kryesisht agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe agjentë jugosllavë. Ndër të tjera tregohet se si në Tropojë dhe në zonat malore të Veriut kishte disa grupe shqiptarësh që ishin kundër regjimit dhe ata kishin kontakte me CIA. Por aty tregohet se si shumë prej tyre donin që të arratiseshin, sepse dimri në Veri ishte i papërballueshëm. Nga ana tjetër tregohet se si regjimi i Titos armatoste shumë shqiptarë të Veriut me shpresën se do të ngriheshin kundër regjimit të Enver Hoxhës. Në një dokument tjetër jepen të dhëna për dy operacione të cila në Shqipëri.

21 gusht 1950

Memorandum për asistent-drejtorin e koordinimit të politikave

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej Veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë.

Tropoja, qendër e spiunazhit

Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950, misioni ynë në vend dërgon një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.

Projekti OBOPUS

Objektivi: projekti OBLIVIOUS ka si qëllim ruajtjen e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë si një mjet i deklaruar për aktivitetet ushtarake dhe propagandistike të CIA kundër regjimit në Shqipëri.

Origjina: Linjat kryesore të projektit BGFIEND i aprovuar në 22 qershor 1949 nga ADPC. Plani territorial për Shqipërinë. Plani i përket operacioneve të luftës politike dhe vjen nga selia kryesore e CIA.

Situata

Që prej vitit 1948 kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të Veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri të madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. Shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA.

Propozimi

NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë, që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIA-s dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.

Detyra dhe propozime

Botimi i gazetës Shqipëria në gjuhën shqipe dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri. Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e italisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor. (Përgatitja e përmbajtjes së botimit Shqipëria është kryer sipas projektit OBTUSE, i cili mbështetet dhe asistohet nga OBLIVIOUS) Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio. Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri. Monitorimi i Radio Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës. Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork. Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIA-s, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipërisë në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE.

Grupet dhe liderët vendas

NCFA është i përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953 ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin. Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFA kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij. Qeveria komuniste e Shqipërisë të bëhet objektiv i talljeve dhe i tentativave për dezertim. Projekti OBLIVIOUS do të ketë kohëzgjatje të pacaktuar, dhe përfundimi i tij do të varet nga suksesi në objektivat e tij të përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri apo të vendosjes së një regjimi tjetër, miqësor ndaj Perëndimit.

Siguria

NCFA do të jetë organizata zyrtare që do të përdoret si mbulim për operacionet klandestine të kryera në emër të saj. Dijenia për aktivitetet: Anëtarët e NCFA janë të vetëdijshëm për mbështetjen zyrtare dhe interesin e SHBA. Dega britanike e shërbimeve është përfshirë gjithashtu në krijimin dhe funksionimin e komitetit, ndërsa qeveria greke është në dijeni të operacioneve të kryera nga Greqia kundër regjimit në Shqipëri, në emër të NCFA. Oficerë të rëndësishëm amerikanë që punojnë me shqiptarët përdorin pseudonime. Megjithëse Italia është vënë në dijeni nga Departamenti i Shtetit se SHBA mbështet qëllimet e NCFA, nuk është informuar tërësisht për mbështetjen dhe ndihmën tonë financiare. Gazeta dhe buletinet e lajmeve publikohen haptazi nga NCFA, kurse materialet për lëshime nga ajri në Shqipëri shtypen në Frankfurt në vende të sigurta. Aktivitetet klandestine të kryera në emër të NCFA nga Greqia, bëhen me dijeninë e plotë të palës greke dhe asistencën e tyre. Shqetësimi parësor i sigurisë është që mbështetja e qeverisë amerikane për NCFA të mos bëhet objekt i provuar me dokumente përpara enteve të rëndësishme si OKB apo organizata të tjera ndërkombëtare dhe artikujsh turpërues në gazeta e media. Metodat aktuale të fragmentimit të operacioneve besohet të reduktojnë rrezikun e këtij skenari në minimum.

Rrisqet

Ekspozimi ndaj OKB apo grupeve të tjera ndërkombëtare i mbështetjes për NCFA nga agjenci shtetërore amerikane, do të turpëronte qeverinë amerikane. Por për operacionet është ruajtur masa e distancimit dhe mospranimit të përgjegjësisë. Mbyllja e projektit do të sillte një problem për angazhimin e personelit të NCFA dhe tentativa të rivendosjes së tyre duhet të kryhen. Plani i katastrofës: Personeli i rëndësishëm i NCFA përfshihet në planet e katastrofës/evakuimit drejt Italisë apo vendeve të tjera në Mesdhe, por jo drejt Shteteve të Bashkuara.

Koordinimi

Projekti OBLIVIOUS përfshihet në programin për vendin e Shqipërisë dhe lidhet drejtpërdrejt me projekte të tjera kundër Shqipërisë. OBLIVIOUS është pjesë integrale e programit për vendin e Shqipërisë. Zyrtarët… mbahen të informuar për aktivitetet e NCFA dhe japin udhëzimet e tyre. Drejtimet politike të programit jepen nga Departamenti i Shtetit. Propaganda e programit aprovohet në mënyrë të përbashkët nga përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë. Ministria e jashtme britanike konsultohet për politikat me Departamentin e Shtetit.

Mënyrat e kontrollit:

Mbështetja financiare ndaj NCFA, dhe motivimi ideologjik i anëtarëve të NCFA. Anëtarëve të NCFA u kërkohet të dorëzojnë një raport të përmuajshëm të aktiviteteve të tyre sipas rregullave tona të terrenit 50-11. Përveç kësaj, të dhëna të plotë fiskale të NCFA mbahen në zyrat e tyre në Nju Jork.

Të dhëna të buxhetit

Personel, pajisje e furnizime 6000 dollarë; shpenzime të tjera operacionale 19 910 dollarë. Gatishmëria e fondeve të kërkuara: Fondet janë dhënë për programin e Shqipërisë. Valuta e huaj është dhënë nga stacionet tona lokale. Fondet depozitohen në formë ceku te llogaria e NCFA në Nju Jork. Ato administrohen dhe jepet përgjegjësi nga Komiteti. Rrogat e anëtarëve dhe të publikuesve të gazetës janë paguar nga TPTONIC. Shpenzime të tjera operacionale janë paguar nga operacioni OBOPUS (më parë i njohur si BGFIEND).

Materialet dhe komunikimet

Selia e NCFA e marrë me qera në Nju Jork. Zyra e NCVFA në Romë. Komunikimet: Departamenti i Shtetit ndihmon në çështjen e vizave, dhe departamenti i emigracionit ndihmon nga ana e tij për lëvizjen brenda dhe jashtë SHBA të anëtarëve të NCFA.

Komente të përgjithshme

Projekti OBLIVIOUS ka qenë operativ që prej vitit 1949, si nën-degë e projektit OBOPUS (i njohur më parë si BGFIEND). Qëllimet e tij janë ndjekja e përpjekjeve për përmbysjen e suksesshme të regjimit komunist në Shqipëri. Operacioni i përkushtohet disa anëtarëve të komitetit që kanë mbështetur me besnikëri politikat e SHBA, për mbështetje të vazhdueshme në rast nevoje. NCFA njihet në vend dhe konsiderohet si një pikë bashkimi e shqiptarëve në migracion. Ndër rezultatet e pritura janë ngacmimet e vazhdueshme të regjimit komunist në Shqipëri, ndjellja e shpirtit të rezistencës, dhe kur suksesi të besohet i mundshëm, të sponsorizohet grushti i shtetit.

Vlerësimi i progresit

Efektiviteti i operacioneve survejohet periodikisht nga agjenti i caktuar i agjencisë, si dhe nga shërbimet britanike. Përcaktimi i politikave amerikane e britanike për Shqipërinë bëhet nga Departamenti i Shtetit dhe nga Ministria e Jashtme britanike.

14 shkurt 1951

Rivlerësim dhe rishikim i planeve të degës OPC

Pika të përgjithshme

1. Disa ndryshime të situatës ndërkombëtare që prej hartimit të planit aktual të OPC mbi Shqipërinë, sjellin nevojën e një ri-ekzaminimi të faktorëve që përcaktojnë politikat drejt këtij vendi, si dhe të objektivave dhe natyrës së veprimit.

2. Plani origjinal kundër Shqipërisë ishte aprovuar në 22 qershor 1949, në një kohë kur pozita e Jugosllavisë në lidhje me Bashkimin Sovjetik dhe zyrën e Cominform nuk ishte e qartë, dhe kur Shqipëria ishte një faktor i rëndësishëm për mbështetjen e guerrilasve komunistë në Greqi. Asokohe objektivi kryesor i përpjekjeve ishte përmbysja e regjimit të Hoxhës me anë të një force që do të godiste shpejt, e cila do të rekrutohej nga refugjatët shqiptarë në Greqi dhe vende të tjera të Mesdheut. Në dhjetor 1949, si rezultat i zhvillimeve të reja, duke përfshirë dhe një mendësi të re të SHBA dhe Britanisë ndaj regjimit të Titos në Jugosllavi, si dhe ndalimin e operacioneve guerile anti-komuniste në Greqi, projekti për Shqipërinë u modifikua duke përcaktuar objektiva më modeste. Objektivi i përmbysjes së regjimit Hoxha është lënë mënjanë për momentin.

3. Arsyet kryesore për dorëheqjen nga projekti origjinal dhe braktisja e rebelimit të përgjithshëm me anë të ndërhyrjes ushtarake guerile, janë si më poshtë:

a) Tentativa për përmbysjen e regjimit mund të sjellë veprim ushtarak të BRSS ndaj Jugosllavisë me pretekstin e dhënies së ndihmës ndaj operacionit shqiptar.

b) Trazira të masës së gjerë në Shqipëri mund të sjellin përdorimin e njësive taktike sovjetike dhe rritje të aktivitetit ushtarak sovjetik që jo vetëm do të sillte dështimin e rebelimit, por dhe forcimin e kontrollit sovjetik në Shqipëri, dhe në zonën e Mesdheut.

4. Sipas rishikimeve, misioni për Shqipërinë duhet të përfshijë qëllimet e mëposhtme:

a) Reduktimin e rëndësisë së Shqipërisë për Bashkimin Sovjetik me anë të dëmtimit të vazhdueshëm të autoritetit të komunistëve dhe me anë të ngacmimeve të brendshme. Ngacmime të tilla kufizojnë rëndësinë e Shqipërisë në rast agresioni kundër fqinjëve të saj apo kundër vendeve perëndimore

b) Inkurajimi dhe asistimi i popullit shqiptar në rezistencën ndaj regjimit të Hoxhës dhe mbajtja e gjallë e shpresës së çlirimit prej tij. Përgatitja psikologjike për veprim të mundshëm për çlirimin e vendit nga tirania komuniste.

c) Krijimi dhe ndjellja e mbështetjes klandestine për grupet e rezistencës që mund të përdoren më pas si baza e lëvizjes për çlirimin e vendit.

5. Makineria e zbatimit të projektit të OPC kundër Shqipërisë është krijuar tashmë dhe funksionon. Ka disa operacione në zhvillim të cilat kanë dhënë rezultate, megjithë aktivitetin relativisht të vogël. Mbetet për t’u përcaktuar sipas vlerësimeve të reja, nëse është e udhës të ndryshohet masa, shpejtësia apo natyra e operacioneve.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj