Deficiti i lartë, ISSH propozon tre skenarë të rinj për pensionet e fshatit, do futet paga minimale

0
19
Pensioniste, duke mbajtur rradhe per te terhequr parate e tyre ne sportelet e nje nga pikave te shperndarjes se pensioneve. Prej disa ditesh Posta Shqiptare eshte duke aplikuar nje nje procedure te re te sherbimit te pageses se pensioneve.

Për shkak se të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë shumë me pak kontribute në krahasim me pensionin që përfitojnë është krijuar ndër vite një deficit të lartë, i cili ka vijuar të rritet edhe pas reformës së pensioneve se vitit 2014. Për të ngushtuar këtë hendek Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka propozuar tre ndryshime në skemën e pensioneve të fshatit ku njëra prej tyre me gjasë për tu zbatuar është përcaktimi i një page minimale për fshatin për efekt të pagesës së kontributeve ashtu siç aplikohet aktualisht për vetëpunësuarit në sektorin private e cila aktualisht është 2400 lekë.

Opsionet e diskutuara janë:

1-   Rritja e masës së kontributit në masën e të vetëpunësuarve urbanë, gjë që sipas argumentëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, do të sillte reduktim të ndjeshëm të pjesëmarrjes. Ulja e pjesëmarrjes do të ulte ndjeshëm mbulimin e popullsisë me elementë të sigurimeve shoqërore që nuk është shumë e pranuar nga pikëpamja sociale. Kjo do të sillte në të ardhmen jo shumë të largët rritjen e shpenzimeve për pensionet sociale që financohen nga shteti.

2-      Lënia e situatës siç është aktualisht, pra një pjesë e paguan bujku dhe pjesën tjetër e paguan shteti. Kjo do të sillte një financim të madh nga buxheti, nuk është e drejtë krahasuar me kategoritë e tjera të kontribuuesve, krijon “privilegje” të pajustifikueshme dhe prish parimin kryesor të skemës, atë kontributiv.

3-  Ngrirja e masës së kontributit sa është aktualisht, caktimi i një page minimale për bujqit që i përgjigjet kësaj mase kontributi dhe ruajtja e të gjitha kritereve dhe parametrave të formulës që është në fuqi. Duke vepruar në këtë mënyrë nuk deformohet parimi kontributiv i skemës, pensioni është produkt i kontributeve që paguhen, ulet subvencioni i buxhetit për kontributet dhe mbetet vetëm financimi i deficitit duke vendosur trajtim të barabartë midis qytetarëve, ndërgjegjësim të popullatës që pensioni nuk është një dhuratë nga qeveria, por një e drejtë që buron nga kontributet e paguara ndër vite (kursimet personale).

Për të shmangur diskriminimin midis të vetëpunësuarve ISSH ka propozuar që të vetëpunësuarit në bujqësi kanë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi pagën minimale për ta, por kanë mundësinë që mund të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi (që paguajnë të vetëpunësuarit urbanë). Pra, nëse një bujk dëshiron të përfitojë një pension më të lartë ka mundësinë e pagesës me një pagë më të lartë. Njëkohësisht të drejtat e fituara deri më tani ruhen, dmth të gjitha vitet e siguruara deri në hyrjen në fuqi të këtij propozimi do të llogariten me pagën minimale në shkallë vendi.

Në projektligjin e ri që propozohet për miratim  janë reflektuar ndryshimet ligjore që i përkasin opsionit të tretë. Ky opsion ruan sistemin, formulën e llogaritjes së përfitimeve, parimin kontributiv të skemës, rrit përgjegjësinë individuale për pensionin, garanton mbulimin me elementë të sigurimeve shoqërore, garanton drejtësinë e sistemit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.

Për realizimin e këtij propozimi është e nevojshme qe pas miratimit të ligjit të nxirret edhe një VKM ku të përcaktohet paga minimale për efekt të kontributeve të personave të vetëpunësuar në bujqësi. Sistemi informatik që llogarit dhe paguan pensionet nuk ka nevojë për ndryshime apo zhvillime për të reflektuar këto ndryshime.

 

Historia e trishtë e pensioneve të fshatit

Skema e pensionit për personat që kanë punuar në bujqësi i ka zanafillat e veta në vitin 1972, kohë në të cilën u përfshinë në skemën e përfitimit edhe anëtarët e ish kooperativave bujqësore. Kriteret e caktimit dhe masa e pensioneve kanë qenë të ndryshme krahasuar me pensionet e punonjësve të ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore. Me ndryshimin e sistemit në vitin 1993 hyri në fuqi ligji i ri i sigurimeve shoqërore, i cili ju njohu punonjësve të gjitha të drejtat e fituara nën skemën e vjetër si për pensionet dhe periudhat e sigurimit apo të vjetërsisë në punë që ishin realizuar gjatë periudhës së komunizmit.

Edhe ky ligj i trajtonte të ndara dy skemat, një skemë urbane dhe një skemë rurale duke ofruar masa të ndryshme pensioni, ku pensioni i fshatit ishte rreth ½ e pensionit urban. Në atë ligj ishte parashikuar që periudha e sigurimit e realizuar pas vitit 1994 si i vetëpunësuar në bujqësi (bujk)  merrej në konsideratë si periudhë e realizuar në sektorin urban dhe llogaritej si e tillë. Pra, personat që kontribuonin në skemë pas vitit 1994 përfitonin një pension më të mirë se ata që nuk vazhdonin sigurimin. Nëse gjysma e periudhës së sigurimit apo vjetërsisë në punë ishte në sektorin urban ose e siguruar pas vitit 1994 si i vetëpunësuar në bujqësi, atëherë automatikisht përfitohej pension minimal urban.

Ky kufi administrativ nuk ishte i drejtë pasi diferenca midis atij që kishte 17.5 vjet sigurim pas vitit 94 (që është sa ½ e peridhës së kërkuar prej 35 vjetësh)  me atë që kishte 17.4 vite sigurimi ishte shumë e lartë në masë pensioni.

Me reformën e vitit 2014 u eleminuan këto defekte dhe u vendos që të përdoreshin të njëjtat kritere dhe formulë llogaritje si për ata që siguroheshin në sektorin urban ashtu edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi. Për këtë u përcaktua një pagë referuese për vitet e punës në ish KB dhe çdo viti ju dha rëndësia e vetë në masën e pensionit duke eleminuar privilegjet për disa persona dhe kategori. Kjo u vendos në kuadër të parimit themelor që masa e pensionit është e lidhur drejtpërdrejtë me kontributet e paguara. Aktualisht, pensionet llogariten sipas të njëjtës formulë dhe për çdo vit sigurimi pas viteve 1994 ka një pagë reale mbi të cilën janë paguar kontributet ose pagë referuese për vjetërsinë në punë para kësaj periudhe duke marrë në konsideratë profesionin, shkollimin etj..

Në reformën e 2014 u përcaktua që masa e kontributit të të vetëpunësuarve në bujqësi do të rritej çdo vit derisa në vitin 2018 të barazohej me kontributin e paguar nga i vetëpunësuari në zonën urbane. Kjo për faktin se një pjesë e konsiderueshme e kontributit të bujqëve subvencionohej nga buxheti i shtetit. Ky subvencion arrinte në 60-70%  të  masës së kontributit duke u kthyer në barrë për buxhetin. Një problem tjetër është se skema e fshatit subvencionohet në masë shumë të madhe edhe në pagimin e pensioneve duke krijuar  një subvencion të dyfishtë për fermerët edhe si kontribut edhe si përfitim, gjë që është e padrejtë (unfair) për qytetarët e tjerë që paguajnë vetë të gjithë kontributin.

Për shkak të shumë arsyeve, ku më kryesorja është interesi shumë i ulët i bujqëve për të paguar, në vitet e fundit nuk është bërë rritja e masës së kontributit duke “e ngrirë” atë në një nivel prej 38.400 lekë për zonat fushore dhe 29.400 lekë për zonat malore. Një i vetëpunësuar në qytet paguan aktualisht 66.240 lekë në vit kontribut. Për të vetëpunësuarin në bujqësi diferencën e paguan buxheti i shtetit dhe për efekt pensioni këto periudha konsiderohen të barabarta për të dy kategoritë.

Subvencioni i lartë për kontributet nga buxheti i shtetit për bujqit, pjesëmarrja e ulët edhe për shkak të masës së lartë të kontributit nëse do rritej, produktivitetit të ekonomive fshatare shpesh me sipërfaqe toke të vogla dhe jo efiçiente, mungesa e iniciativave për pjesëmarrje, pamundësia për t’i detyruar të paguajnë, por lënia praktikisht mbi baza vullnetare për të kontribuar mendojmë se duhen adresuar.

Problemet e pensioneve dhe sidomos defiçitet financiare të skemave shtetërore janë shqetësim në të gjitha vendet e botës, kjo ndër të tjera  edhe si rrjedhojë e ritmeve me të cilat rritet popullsia e tretë, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë së popullatës dhe të rënieve të ritmeve të lindjeve.

Këto situata kanë shtruar nevojën e gjetjes së rrugëve të përshtatshme dhe të drejta të financimit të të drejtave të fituara, reduktimin e kostove të ardhshme të këtyre sistemeve, formulimin e sistemeve të drejta që i bëjnë kontribuesit të interesuar, u sigurojnë atyre një mbrojtje më të mirë me të ardhura në pleqëri, si dhe krijojnë përgjegjësi të përbashkët të mbulimit të nevojave jetësore në pleqëri, midis shtetit dhe individit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj