Përplasje mes KLSH dhe qeverisë në Kuvend, vartësja e Leskajt akuza për fshehje të borxhit publik, Ahmetaj nxjerr shifrat

0
552

Borxhi publik shkaktoi dje një përplasje mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Ekonomisë e Financave. Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2017”, por u vu re se dy institucionet që ishin për raportim dhanë shifra të ndryshme për borxhin publik. Për Arben Ahmetajn, borxhi publik në vitin 2017 ka shënuar një rënie me 2% sepse nga 72.3% që ka qenë, ka shkuar në 70.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Në vitin 2017 shënuam një ulje të borxhit publik. Ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë, rritja ka qenë 3.84% nga 3.4% në vitin 2016. Buxheti duhet të ulet deri në nivelin 45%. Qeveria nuk krijoi borxh të ri edhe pse ishte vit elektoral. Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind”, tha Ahmetaj. Por krejt ndryshe mendon Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në komision nuk ishte i pranishëm Bujar Leskaj, por institucioni u përfaqësua nga Manjola Naço, drejtoreshë në KLSH. Sipas saj, borxhi publik është 72% e PBB sepse vlera e detyrimeve të prapambetura nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë. “Në disa zëra buxhetorë, përfshirë deficitit dhe borxhit publik janë bërë devijime në drejtim të hartimit, zbatimit, monitorimit dhe raportimit. Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB”, tha Manjola Naço. Sipas saj, ky fakt ka ardhur nga mos deklarimi i plotë i të gjitha detyrimeve që qeveria ka ndaj biznesit, përfshirë edhe mosrimbursimin e TVSH. Ajo theksoi se fenomeni i detyrimeve të prapambetura vijon të jetë një kërcënim për buxhetin përfshirë këtu edhe ato që rrjedhin nga kontratat koncesionare.

Argumentet e Ahmetajt

Në kundërpërgjigje të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Financave tha se ato që KLSH klasifikon si borxh i prapambetur janë riskeduluar në marrëveshje me vetë kompanitë. Arben Ahmetaj shtoi se financat e shtetit janë forcuar nga viti në vit dhe këtë e certifikoi dhe tregu ndërkombëtar. “Ne skanohemi çdo muaj. Shifrat janë të skanuara edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Arritëm të emetonim një bono evropiane, me një çmim 3,5 %. Që është një sukses i ekonomisë”, u shpreh ai. Ministri e ndali theksin edhe tek risqet, ku nuk la pa përmendur edhe marrëveshjen e 17 majit. “Ka patur një tendencë për shthurje të financave publike. Një nga risqet ishte edhe marrëveshja e 17 maji, ku nuk kishte Ministri Finance. Risk tjetër janë detyrimet e prapambetura apo edhe kursi i këmbimit të lekut, që dëmtoi të ardhurat doganore me 6 mld lekë”, tha Ahmetaj. Në fund, pavarësisht mospërputhjes së theksuar në shifra, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi buxhetin faktik të vitit 2017.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here