Berisha mesazh Metës: Marrëveshja e detit është diktuar nga pala greke, nuk bazohet në traktatet ndërkombëtare

0
405

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar ditën e djeshme marrëveshjen Shqipëri-Greqi. Gjatë një interviste për mediat, Berisha i ka dërguar një mesazh Presidentit Ilir Meta që të mos e firmosë paktin e detit me Greqinë, duke mbështetur kësisoj edhe idenë e kreut të shtetit se në kushtet kur vendi është pa Gjykata Kushtetuese kjo marrëveshje duhet të shtyhet. Madje, ish-kryeministri ngriti shqetësimin se po shkohet drejt një zgjidhjeje politike-juridike dhe aspak teknike lidhur me marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas tij, pakti është i gjithi i negociuar vetëm nga pala greke dhe se nuk bazohet në traktatin e detit.

“Me marrëveshjen që pala greke i ka dorëzuar veglave të tyre në negociata, Shqipëria humbet 1300 km katror det dhe trilionat e naftës dhe gazit. Që në takimin e dytë, pala greke ka kërkuar zgjidhje politike-juridike dhe jo teknike, që Greqia kalon nga 6 në 12 milje dhe do t’i japë pala shqiptare ca ranishte dhe ujëra të pavlerë. Tre takime kanë bërë, që në të parin pala greke i ka thënë se ne s’e njohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Që në këtë moment, i bazuar në mosnjohjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është fund e krye antikushtetues. Pala shqiptare duhet të ngrihej nga tavolina dhe t’i thoshte se negociatat morën fund. Kjo përbën një padi që qeveria antishqiptare i bën institucionit të kreut të shtetit të Shqipërisë për qëndrimet e tij kushtetuese”, deklaroi ai.

Mirëpo, Berisha dozën e kritikave nuk e kursen edhe kur pyetet për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare nën qeverisjen e Edi Ramës. Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve janë vasalitete të turpshme, të cilat nuk mund të kenë as perspektivë dhe as të ardhme. “Janë marrëdhënie vasaliteti të turpshme dhe marrëdhënie të cilat nuk mund të kenë as perspektivë dhe as të ardhme. Edi Rama u soll në mënyrën më të padenjë me fqinjin tonë jugor sapo erdhi në pushtet. Por pastaj kur ata i nxorën letrat, nga të parat tek Balili, Edi Rama u mori përsipër dorëzimin e mijëra kilometrave det dhe të zonave ekonomike, të zonave të naftës dhe të gazit në detin Jon. Por edhe qeveria greke nuk duhet të mbjellë farë konflikti. Ekzistojnë të gjithë potencialet për të përmirësuar marrëdhëniet njëra me tjetrën dhe të arrihet në marrëdhënie shumë të mira miqësore. Kapja e paketës e tërë ose asgjë është një marrëzi e Kotzias, e diplomacisë greke dhe një idiotësi e pafalshme e qeverisë shqiptare dhe diplomacisë shqiptare”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here