Eksportet rriten 15.3 për qind për 9 mujorin, kryesojnë nafta dhe metalet

0
27

Eksportet arritën në 231 miliardë lekë për periudhën janar-shtator, duke shënuar një rritje prej 15.3 % me bazë vjetore. Lajmi konfirmohet nga statistikat e publikuara nga INSTAT. Për 8 mujorin rritja kishte qenë 16.1%. Dy janë grupet që po nxisin këtë rritje përgjatë gjithë vitit, “minerale, lëndë djegëse dhe energji” (që ka ndikuar në 37% të rritjes për 9 mujorin), i nxitur nga konjuktura e favorshme e çmimeve të naftës dhe shtimit të eksporteve të Bankers Petroleum dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, si rrjedhojë e gjallërimit të aktivitetit të prodhuesit të metaleve, Kurum. Ndërsa “tekstile dhe këpucë”, që është grupi kryesor i eksportuar në vend ka pasur një ecuri të dobët këtë vit, I ndikuar nga zhvlerësimi I euros, që po ul të ardhurat në lekë të eksportuesve. Për 9 mujorin, eksportet e “tekstile dhe këpucë” arritën në 93 miliardë lekë, me një rritje prej 6% me bazë vjetore, nga zgjerimet dyshifrore të një viti më pare (për 8 mujorin zgjerimi ishte 6.7%).

Ndërsa në gusht, ky grup shënoi rënie për herë të parë në më shumë se tre vjet, teksa eksportet ishin rreth 7% më të ulëta në raport me gushtin e një viti më pare. Në gusht eksportet ranë lehtë në raport me gushtin e 2017-s, ndërsa në shtator ato e morën veten fare lehtë, duke u zgjeruar me 1.8% në raport me të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm. Eksportuesit pohojnë se faktori kryesor që ka ndikuar në ngadalësimin e eksporteve përgjatë gjithë vitit është kursi i këmbimit, teksa vetëm si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros, rënia e të ardhurave ka qenë 8-10%, ndërsa kërkesa është e njëjtë me një vit më parë. Tekstilet e këpucët mbeten grupi më i madh i eksporteve në vend, me 40% të totalit, nga 44% për 9 mujorin e një viti më parë. Grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, ka udhëhequr rritjen e eksporteve këtë vit, pas një periudhe disa vjeçare kur ky grup u ngadalësua për shkak të çmimeve të ulëta të naftës në bursat ndërkombëtare dhe uljes së prodhimit nga Bankers Petroleum, që është eksportuesi më i madh në vend dhe shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj