Festivali “Metrofest”, rigjallërimi i teksteve nga arkiva e dramës shqipe

0
26

Festivali “Metrofest” përfundoi edicionin e dytë në Teatrin Metropol. Si ndodh që veprat artistike të krijuara në një epokë të caktuar t’u japin kënaqësi edhe njerëzve të një epoke tjetër, ka qenë pyetja që takoi stafet realizuese me publikun. Teatri bën me dije se do të vijojë të vendosë të ketë vëmendje në politikat edukative.

“Si një teatër me interes publik, i cili i detyrohet qytetarit nëpërmjet artit, edukimit dhe argëtimit, Teatri Metropol vë gjithmonë theks të veçantë në politikat edukative dhe sociale dhe synon për ta sjellë qytetarin e të gjitha grup-moshave edhe më pranë kulturës dhe teatrit dhe ky takim veçse ka shërbyer për të forcuar urat lidhëse me realitetin dhe shoqërinë”, shkruan teatri në përfundim të këtij festivali. Ky edicion i “MetroFest” solli pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi i dramës shqipe, si “Rrajët lëvizin” e autorit Ernest Koliqi me regji nga Rozi Kostani, “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi me regji nga Aldi Hysotoci, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha me regji nga Sonila Kapidani, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi dhe regji nga Rexhina Mollaymeri si dhe “Prangat” nga autori Halil Laze. Gjithashtu netët e këtij festivali u ndërthuren dhe me aktivitetet të tjera alternative.

“Qëllim kryesor i këtij festivali është rigjallërimi i teksteve dramatike nga arkiva e dramës shqipe bazuar në një rrugëtim zbulimesh të reja të shprehive skenike. Teatri Metropol ka si udhëheqje në veprimtarinë e tij objektivin: më shumë qasje  në kulturë nga më shumë njerëz, nga të gjithë qytetarët, edhe ata që janë të përjashtuar ose ndihen të përjashtuar nga arsyet e aftësisë financiare, prejardhjes sociale ose prejardhjes kulturore dhe këtij objektivi i takojnë edhe iniciativa të dobishme si kjo, që bashkojnë dhe lidhin hallka të një zinxhiri njerëzor për një komunitet”, vijon teatri. Sezoni i ri në Metropol do të vijoj më tej gjatë muajit nëntor me “Ditari i Ana Frank” i autorëve Frances Goodrich dhe Albert Hackett dhe “Sherlock Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludwing vepër, që do të vihet në skenë në fund të vitit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj