Festivali “Skampa” në edicionin e 20, komedia “Volpone” e para në skenë

0
677

Vepra teatrore “Volpone” çeli festivalin ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor “Skampa 2018” në  qytetin e Elbasanit. Festivali shënon këtë vit edicionin e 20, që do të mbahet nga data 17 – 22 tetor. Njëmbëdhjetë trupa teatrore, pesë nga Shqipëria dhe gjashtë nga vende të ndryshme përtej kufijve, mes të cilave nga Italia, Rumania, Greqia, Maqedonia, Kosova etj, janë përzgjedhur (mes rreth 100 aplikimeve) të ngjiten në skenën e teatrit elbasanas gjatë këtij edicioni. Komedia “Volpone” e para mbrëmë në skenën e festivalit, vepër e dramaturgut anglez Ben Jonson erdhi nën regjinë e Adonis Filipit dhe interpretimin e aktorëve: Helidon Fino, Ligoraq Riza, Muharrem Hoxha, Ilirda Bejleri, Mario Elezi, Xhuliano Brisku, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Artan Skënderasi dhe Elona Mamo. “Volpone” është loja më e mprehtë dhe komike, në lidhje me paratë dhe moralin në shekullin e shtatëmbëdhjetë, një lojë që mbetet çuditërisht aktuale edhe katër shekuj më vonë. Komedia përshkruan egoizmin e fshehur nën fjalimet moralizuese, epshin dhe ndjesinë e pronësisë, të maskuar në formën e dashurisë dhe martesës, si dhe cinizmin që shitet si drejtësi e mirëfilltë. Snobizmi, lakmia, kopracia, parazitizmi dhe lufta e përhershme mes klasave të ndryshme shoqërore janë disa nga temat që rrotullohen në vorbullën e kësaj vepre. Nën drejtimin artistik të regjisorit të njohur Adonis Filipi, ky festival organizohet nga Asociacioni i Teatrit Bashkëkohor Shqiptar ATK, në bashkëpunim me “Creative Europe” dhe teatrin “Skampa”, si dhe mbështetjen e Bashkisë Elbasan dhe Ministrisë së Kulturës. Drejtori artistik regjisori Adonis Filipi bën me dije se profili artistik i festivalit “Skampa” është eksplorimi i gjuhës së kultivuar skenike e teatrore, përmes arritjeve bashkëkohore të komunikimit artistik, alternativës dhe eksperimentit skenik e teatror. Çdo edicion ka sloganin e tij brenda këtij profili artistik, duke shënuar një sfidë artistike dhe menaxheriale të vazhdimësisë së tij, përmes ballafaqimit të ideve dhe shkëmbimit të eksperiencave. Drejtori artistik Adonis Filipi shprehet se edicioni XX vjen nën sloganin “Atlas i tranzicionit”. “Koncepti i tij është nën kontekstin e një projekti evropian me të njëjtin titull, të fokusuar në temën e ndjeshme të emigracionit”, tregon drejtori artistik Filipi.

Takim me artin teatror

Për drejtorin artistik Adonis Filipi, synimi i këtij edicioni është krijimi i një klime të shëndetshme, për t’u takuar me artin teatror. “Kjo në dobi të shtrirjes dhe zgjerimit të audiencave në ato zona që janë jashtë qendrave ku mbahet art e kulturë, përmes qarkullimit të alternativave teatrore me profil multidisiplinor, me qasje të diversitetit kulturor të përcjella nga artistë dhe individë”, pohon Filipi. Në këtë edicion është mundësuar që një pjesë e produksioneve, veç performimit në skenën e “Skampës” të shfaqen edhe në hapësirat e tjera të qarkut të Elbasanit. Në ditët në vijim do të realizohen rreth 15 performanca si dhe workshop-e të ndryshme, me një shtrirje, jo vetëm në qytetin e Elbasanit, por edhe në qytete të tjera, si në Cërrik, Librazhd dhe Gramsh. Festivali i parë ndërkombëtar i teatrit bashkëkohor “Skampa” hapi siparin në vitin 1999 në Elbasan, me sloganin “Format e reja”, në koherencë me zhvillimet integruese evropiane, si i pari festival ndërkombëtar teatror, që i çeli rrugën edhe festivaleve të tjera në Shqipëri. Ky eveniment, tashmë ka siguruar një traditë të spikatur, me biografinë dhe vokacionin artistik të tij, duke kontribuar mjaft në promovimin e artit shqiptar jashtë vendit, me pjesëmarrjen e një sërë trupash e kompanish në mjaft festivale ndërkombëtare si Itali, Rumani, Rusi, Greqi, Turqi, Belgjikë, etj, si dhe përfshirje në projekte të përbashkëta, work-shop-e dhe seminare të ndryshme.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here