CIA zbardh detajet, gjatë regjimit komunist 75 për qind e forcës punëtore ishte në bujqësi, industria u kap nga jugosllavët dhe sovjetikët

0
22

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe situatës ekonomike në Shqipëri. Në disa dokumente të deklasifikuara tregohet situata në vitin 1957 ku sipas të dhënave të amerikanëve, 75 për qind të forcës punëtore e mbante bujqësia. Po sipas tyre, në periudhë të ndryshme sektori i industrisë më shumë zotërohej nga vendet aleate, Jugosllavia fillimisht dhe më pas Bashkimi Sovjetik.

Shtator 1957

Objektivat sovjetike për ekonominë shqiptare

BRSS në Shqipëri po ndjek objektiva ekonomike në përputhje me programin e tij të përballimit të një lufte madhore. Rreth 75 për qind e forcës punëtore në Shqipëri janë të përfshirë në bujqësi. Prej vitit 1955 kolektivizimi bujqësor është përshpejtuar dhe në prill 1957 më shumë se 33% e fermave dhe 41 për qind e tokës së punueshme ishin kolektivizuar. Plani i dytë pesë-vjeçar 1956-1960 parashikon që 70 për qind e tokës të jetë kolektivizuar në kooperativat e mëdha deri në 1960 dhe 15 për qind në kooperativa të thjeshta. Zhvillimi i prodhimit bujqësor gjatë pjesës së dytë të planit pesëvjeçar raportohet si detyra më e rëndësishme e regjimit komunist. Vetëmjaftueshmëria në grurë e misër së bashku me rritjen e prodhimeve në mallrat industriale kërkohet me insistim nga autoritetet me qëllim heqjen e sistemit aktual të racionimit. Gjithsesi janë bërë plane për importe ushqimi dhe drithërash nga BRSS të cilat nëse realizohen mund të sjellin heqjen e sistemit të racionimit që në vitin 1958. Por shtimi i prodhimit në 1955 dhe 1956 ka qenë zhgënjyes për autoritetet. Për dështimet u fajësuan moti i keq dhe prodhimi i dobët i gjësë së gjallë. Për të ardhmen sistemi bujqësor pritet të kontribuojë në pjesën më të madhe të rritjes ekonomike teksa janë parashikuar mbjellja e prodhimeve që janë më të përshtatshme për Shqipërinë si pambuku, duhani e panxhar-sheqeri, ndërsa për kafshët do i jepet prioritet rritjes së bagëtive, përkundër derrave dhe dhive. Sipas llogaritjeve konsumi mesatar ushqimor i shqiptarëve nuk është më i madh se ai i kohës së paraluftës. Vendi ka qenë një importues i drithërave gjatë kohës së pasluftës. Sistemi i dorëzimit të detyruar të prodhimeve mbetet i njëjtë me atë të planit të parë pesëvjeçar. Çdo fshatar duhet të plotësojë kuotat e tij të dorëzimeve para se të mund të shesë produkte në tregun e lirë. Ndërsa mundësitë për rritje të importeve janë shumë të kufizuara prandaj rritja e standardeve të jetesës varet vetëm nga prodhimi bujqësor. Shtimi i industrive të mallrave të konsumit detyrimisht duhet të presë rritjen e prodhimit të fibrave, duhanit, sheqerit dhe mallrave të tjera.

Industria

Industrializimi i kufizuar i vendit është i përqendruar në industritë nxjerrëse dhe jo në atë të prodhimit. Kromi, bakri dhe nafta janë prodhimet kryesore minerare por vetëm kromi përbën prodhim të konsiderueshëm. Për arsye të burimeve të kufizuara financiare, industrializimi i vendit është bërë vetëm me ndihmën e jashtme nga Jugosllavia deri në 1948 dhe më pas nga BRSS dhe blloku sovjetik, ndihma e vazhdueshme e të cilave është e domosdoshme për ruajtjen e ritmeve të rritjes. Që prej prishjes me Jugosllavinë në 1948 ekonomia shqiptare është subvencionuar fort nga ekonomitë e vendeve të bllokut sovjetik me grante apo hua afatgjata. Kjo përfaqëson një ndryshim thelbësor nga ekonomia e paraluftës në vend ku tregtia kryhej kryesisht me Perëndimin dhe Italia përbënte rreth 70 për qind të volumit tregtar. Ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm i ekonomisë së vendit ishte ai i prillit të këtij viti, kur ndihmat sovjetike përfshinë dhe anulim të borxheve prej 348 milionë rubla (20 milionë dollarë) që ishin akumuluar deri në 1 janar 1957. Sovjetikët gjithashtu pranuan të zgjerojnë asistencën e tyre për 10-15 vitet e ardhshme. Industria e ndërtimit nuk është e reflektuar në statistikat shqiptare ndërsa llogaritje të mëparshme janë bazuar vetëm në rritjen e volumit të ndërtimeve. Prandaj nevojitet informacion mbi forcën e punës, produktivitetin, kostot e ndërtimit dhe organizimin e industrisë. Ndërtimi ka luajtur më parë rol të rëndësishëm në Shqipëri në vitet e paraluftës, ku përbënte rreth 65 pë qind të kapitalit të investimeve, kryesisht nga Italia. Edhe në vitet e pasluftës sektori i ndërtimit ka pësuar një rritje prej 170 për qind nga 1949 deri në 1955. Realizimi i planit ka qenë përgjithësisht i mirë por në vazhdim qëndrueshmëria e tij do të varet nga dërgesat në kohë të materialeve nga vendet satelite dhe organizimi i punës. Nëse zbatohet rritja e prodhimit të materialeve të ndërtimit, kjo do të ndihmojë në realizimin e planit dhe furnizimin me material të kantiereve të ndërtimit. Industria e ndërtimit të makinerive në Shqipëri është shumë e vogël dhe mund të karakterizohet në nivel punishtesh. Ajo nuk mund të plotësojë nevojat e brendshme edhe pse kërkesat e saj janë të kufizuara. Disa ndërtime industriale nisën në Shqipëri në tre vitet e fundit por gjithsesi në një shkallë të vogël. Komunikimet ekzistuese në Shqipëri janë përgjithësisht të përshtatshme për nevojat e vendit dhe të ekonomisë. Vetëm në rast të zhvillimit të ekonomisë do të nevojitej një zgjerim i tyre, siç është përdorimi i mikrovalëve radio apo i terminaleve telefonike.

Marrëveshja e ndihmës dhe e tregtia me Kinën

Ngjarja kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-kineze që prej kongresit të partisë, është marrëveshja tregtare e nënshkruar në prill, e cila ka si qëllim forcimin e Shqipërisë ndaj presionit sovjetik, çka dukej qartë nga propaganda që iu bë nga të dyja palët. Deklarata e lëshuar në përfundim të bisedimeve ekonomike, e përshkruar si një pakt i sinqertë i paprecedentë, thoshte se Kina pranonte të jepte një kredi prej 112 milionë rubla për financimin e 25 komplekseve industriale dhe të mjeteve bujqësor, fusha për të cilat kishte qenë esenciale asistenca sovjetike në të kaluarën. Çdo fazë e negociatave deri në arritjen e marrëveshjes finale, u shoqërua me shfaqje të miqësisë dypalëshe. Më 14 mars delegacioni shqiptar erdhi në Pekin me zëvendës-kryetar Pupo Shyti (në këtë pikë, as Pekini e as Tirana nuk kishin njoftuar emrin e kreut të delegacionit, i cili nuk kishte ardhur ende). Një banket u dha në nder të delegacionit, ku folësit kinezë lavdëruan Enver Hoxhën dhe deklaruan se Shqipëria mbështeste të njëjtat parime dhe politika kryesore të Republikës së Kinës. Ardhja më vonë e kreut të delegacionit shqiptar Abdyl Kellezi , pas një muaji, u dha atyre në tjetër mundësi të deklaronin mbëshetjen reciproke. Zëvendës-kryeministri kinez Li Sien Nien deklaroi: Çdo provokim kundër Shqipërisë është një provokim kundër të gjithë vendeve socialiste dhe kundër popullit kinez.

 

Deklarimet në media

Mbyllja e protokolleve ekonomike solli dhe demonstrata mirënjohjeje, ndërsa radio Tirana deklaronte: Populli kinez, partia e qeveria e tyre po japin një kontribut të vlefshëm në ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit kundrejt sulmeve të egra të disa elementeve devijues, të revizionistëve modernë me në krye Beogradin. Transmetimi i thurrte lavde Mao Ce Dunit dhe bënte thirrje për marrëdhënie më të afërta.

Takimi i Paktit të Varshavës

Marrëdhënia e ngushtë mes vendeve u demonstrua edhe pas takimit të Paktit të Varshavës në Moskë, që përfundoi më 30 mars. Delegacioni shqiptar aty përbëhej nga zyrtarë të një niveli shumë të ulët, të cilët u larguan menjëherë pas mbylljes së takimit. Delegacioni drejtohej nga Behar Shtylla dhe përfshinte dhe Abdyl Kellezin, i cili më vonë do të shkonte në Pekin si drejtues i delegacionit shqiptar në Pekin. Raportimet e mediave jugosllave pretendonin se mes temave të diskutuara në Moskë ishte dhe ajo e sjelljes rebele të Tiranës dhe masat që duhet të merreshin për këtë. Më 3 prill Tirana njoftoi se Shehu kishte pritur ambasadorin kinez Lo Shi Kao në të njëjtën ditë, për një diskutim mbi disa tema të pacaktuara, duke treguar se Shqipëria e Kina po qëndronin në kontakt mbi çështjen.

Kongresi i sindikatave shqiptare

Temat e qarta pro-kineze u dalluan në kongresin e pestë të partisë që u hap më 24 prill. Folësit kryesorë Marko e Nushi iu referuan në mënyrë të veçantë Bashkimit Sovietik dhe Kinës, dhe sipas transmetimeve të Radio Tiranës fjalimet për sindikatat e punës zinin vetëm një pjesë të vogël të diskutimeve. Ata sulmuan revizionizmin dhe imperializmin, duke lavdëruar unitetin e partisë me liderin Enver Hoxha, dhe në kundërshtim me linjën sovjetike të politikës së jashtme, Shqipëria mohoi mundësinë e tranzicionit paqësor drejt socializmit. Në një gjuhë të ngjashme me atë të Pekinit, shqiptarët insistonin për revolucionin e dhunshëm. Sekretari i komitetit qendror të partisë Rita Marko tha: “A mund të besohet se imperializmi, duke kërkuar një balancim forcash, të heqë dorë vullnetarisht nga interesat e tij në favor të socializmit? Vetëm revizionistët modernë dhe disa langoj të imperializmit, përpiqen të bindin popullin punëtor për një integrim paqësor të kapitalizmit në socializëm, në mënyrë që populli të vuajë për socializmin dhe të mos e arrijë kurrë. Jo, shokë. Paqja, liria e socializmi nuk mund të arrihen duarlidhur. Ato nuk vijnë si një dhuratë, por ato fitohen me luftë, përpjekje dhe aktivitet të organizuar revolucionar.”

Lëvizjet drejt izolimit të Tiranës në Evropën komuniste

Partia e Punës së Shqipërisë nuk është kritikuar ashpër nga një zëdhënës i bllokut komunist, por nga një prej komunistëve të njohur të Perëndimit, italianit Palmiro Togliatti. Në një artikull me titull “Një politikë e shtrembëruar”, jugosllavët përmblidhnin kritikën e Togliatti, në këtë formë: “Pas deklaratës së Ualter Ulbticht mbi dogmatismin dhe sektarianizmin e liderëve shqiptarë në konferencën e partive komuniste në Moskë, tani vjen një artikull nga Palmiro Togliatti ku deklarohet se në Shqipëri “çështjet jetësore deh diskutimet brenda partisë trajtohen në një mënyrë që për ne është e gabuar dhe e rrezikshme”. Artikulli i Togliatti u botua në revistën italiane Rinascita në prill 1961, dhe është transmetuar nga radio Çekosllovake në 1 prill 1961. Në artikull Togliatti deklaron: “Kështu ne mësuam nga shokët që morën pjesë në kongresin e fundit të partisë shqiptare se çështjet e jetës së brendshme të partisë trajtoheshin në një mënyrë që ne na duket e gabuar dhe e rrezikshme. Ne e thamë mendimin tonë por përgjegjësia për korrektimin nuk qëndron te ne”. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Poloninë kanë marrë një kthesë nga përkeqësimi që prej mbështetjes së fuqishme sovjetike të sekretarit të partisë komuniste polake Roman Novak, dhe kritikave të tij ndaj kongresit të partisë komuniste shqiptare. Pas zhvillimit ambasadori polak në Tiranë është larguar dhe as nuk është kthyer as nuk është zëvendësuar. Shqipëria është i vetmi vend i bllokut komunist që nuk i dërgoi mesazh zyrtar presidentit polak Cirankievic për 50 vjetorin.

Marrëdhëniet me BRSS

Marrëdhëniet e shtetit sovjetik janë përmirësuar me Jugosllavinë duke sjell mjaft zhgënjim në Tiranë. Partia komuniste shqiptare është shumë e zhgënjyer që duhet të tregojë më pak urrejtje ndaj armikut të saj të vjetër. BRSS ka nisur negociatat për një marrëveshje afatgjatë tregtie me Jugosllavinë, pesë ditë pas mbylljes së kongresit të partisë shqiptare. Negociatat u mbyllën në favor të jugosllavëve, me marrëveshjen për dyfishimin e volumit të tregtisë së vitit 1960, ndërsa me Shqipërinë, sovjetikët kanë nënshkruar një akord një-vjeçar që sjell vetëm një rritje prej shtatë për qind në krahasim me vitin e kaluar. Marrëdhëniet direkte shqiptaro-sovietike nuk kanë ndryshuar shumë që prej kongresit të partisë shqiptare në shkurt. Mos marrja pjesë e Hoxhës e Shehut në Paktin e Varshavës tregoi tensionim të marrëdhënieve, por propaganda e Moskës është përpjekur shumë për të reklamuar shërbimet e mëparshme të sovjetikëve ndaj Shqipërisë. Moska shfrytëzoi gjithashtu përvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia (21 prill 1939) për t’i kujtuar asaj borxhin e çlirimit nga ushtritë fashiste si dhe linjën aktuale të politikës së jashtme. Shqiptarëve iu kujtuan gjithashtu avantazhet e anëtarësisë në Paktin e Varshavës.

Gjithashtu, gjatë kohës kur në Pekin po përfundonte nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike mes Kinës e Shqipërisë, Radio Moska lavdëronte përvjetorin e katërt (18 prill) të deklaratës së vitit 1957 mes Shqipërisë dhe BRSS në Moskë. Ajo i kujtonte me nostalgji audiencës shqiptare “ditët plot diell” kur liderët shqiptarë priteshin me entuziazëm kudo që shkonin, duke detajuar më tej dhuratat që kishte marrë populli shqiptar si rezultat i miqësisë. Sipas llogaritjeve të tyre dhuratat arrinin 435 milionë rubla në mallra ekonomike. Ndërsa huat ekonomike që po ofroheshin nga Kina arrinin në 500 milionë rubla.

Plani operacional për Shqipërinë 1954

Shqipëria është vendi më i vogël satelit i Bashkimit Sovjetik dhe një pikë e izoluar e komunizmit, me rëndësi shumë të vogël ushtarake, përveç një kërcënimi të pallogaritshëm në kufirin jugosllav, apo në formën e një baze për të rindezur luftën civile greke. Në disa kushte të caktuara ndërkombëtare, ajo mund të shërbejë si një pretekst për konsolidimin e hegjemonisë komuniste në formën e bashkimit të mundshëm të kufirit me Bullgarinë përgjatë juglindjes së Jugosllavisë.

Objektivat afat-gjatë

Marrja e informacioneve pozitive pëe çështjet politike, ekonomike e ushtarake mbi Shqipërinë, ruajtja dhe përforcimi i shpresës së çlirimit të popullit shqiptar dhe nxitja e dëshirës për rezistencë ndaj komunizmit. Dëmtimi i strukturave politike, ekonomike e ushtarake në Shqipëri; krijim i mjeteve dhe i terrenit për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga blloku sovjetik.

Përmbledhje e inteligjencës mbi Shqipërinë: Shqipëria është një shtet tipik policor me struktura të forta sigurie. Deri në vitin 1953 popullata frikësohej aq shumë sa nuk mbështeste individët apo grupet klandestine, por më vonë u dallua një ndryshim pasi pas vitit 1953 grupet i infiltruara nisën të merrnin ndihmë të konsiderueshme nga popullata, veçanërisht në rajonet malore veriore. Ndryshimi besohet të ketë ardhur prej faktit të përmirësimit të inteligjencës dhe rritjes së kalibrit të përgatitjes së operacioneve. Ushtria e vendit nuk mund të konsiderohet një element besnik i regjimit por policia sekrete (Sigurimi) me rreth 10 000 anëtarët është një armë e fortë dhe besnike e diktaturës.

Arritjet

Me anë të grupeve të infiltruara dhe burimeve të tjera, është arritur një mbulim i përgjithshëm i objektivave të inteligjencës në Shqipëri. Me anë të fushatave të përqendruara të transmetimeve klandestine radio dhe broshurave të lëshuara nga ajri kemi krijuar një atmosferë më të mirë ku agjentët tanë të veprojnë. Gjatë vitit 1953 kami kryer rreth 20 infiltrime dhe 75 kontakte radio me agjentët. Kemi lëshuar çdo muaj tekste propagande, ashtu si dhe furnizime për agjentët në terren.

Aftësitë aktuale operacionale

Gjatë tre viteve të fundit, rreth 1200 liderë me rreth 12 000 ndjekës raportohen të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me agjentët tanë, nëse u jepen materialet dhe drejtimi i duhur. Ky numër mund të duket i lartë por duket se ka ende potencial për grupe të tjera rezistence që mund të aktivizohen në momentin e duhur. Grupe operative kanë raportuar prej vitit 1952 për rekrutimin e 31 liderëve me rreth 600 ndjekës nën komandë, dhe tentativa po bëhen për ruajten e entuziazmit të rezistencës, pa e nxituar atë në veprime që mund të jenë të parakohshme.

Veprime po kryhen për krijimin e bazave të sigurta për mbështetjen e operacioneve kundër Shqipërisë. është krijuar një bazë stërvitjeje dhe një bazë për transmetime propagande, këto të fundit të monitoruara për forcën e sinjalit dhe për monitorime të stacionit shtetëror shqiptar.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj