Opozita vijon bojkotin e Parlamentit, Ruçi nis procedurat për vendet vakante në KQZ, ndizet lufta mes PD, PR dhe LSI

0
381

Parlamenti u mblodh sërish dje, por pa praninë e partive opozitare. Opozita vijoi bojkotin, ndërsa në seancë merrnin pjesë vetëm deputetët e mazhorancës. Kjo është e disata javë radhazi që PD-LSI nuk futen në sallën e Parlamentit. Pavarësisht mungesës së opozitës, seanca plenare e djeshme vijoi punën normalisht ndërsa në minutat e fillimit, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e ndali theksin tek vendet vakante që janë krijuar tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të përfundimit të mandatit të katër anëtarëve të saj. Që prej datës 11 tetor KQZ nuk mblidhet dot për shkak të mungesës së anëtarëve. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë kryetari i KQZ, Klement Zguri, i cili përmes një letre në datën 15 tetor 2018 të drejtuar kryeparlamentarit ngre shqetësimin e mungesës së anëtarëve dhe i kërkon ndërhyrje që situata të zgjidhet sa më parë. “Sikundër ju kemi bërë me dije me shkresën tonë, 4 anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu mbaroi mandati me datë 11 tetor 2018. Duke qenë se në detyrë tashmë janë vetëm 3 anëtarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pa kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe veprimtarinë normale të tij. Presidenti i Republikës së shpejti do të marrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe KQZ duhet të fillojë menjëherë organizimin e zgjedhjeve në zbatim të detyrimeve dhe afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Për sa më sipër, lutemi marrjen e masave për plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të KQZ në një kohë sa më të shpejtë”, thuhet në letrën e Zgurit për Ruçin. Për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë ngërçit të krijuar në KQZ, kreu i Kuvendit iu drejtoi dje një thirrje kryetarëve të grupeve parlamentare që të propozojnë kandidatët e tyre për vakancat. “U bëj thirrje publike kryetarëve të grupeve parlamentare të bëjnë propozimet pa vonesë me qëllim fillimin e procedurave parlamentare për plotësimin e katër vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, tha Gramoz Ruçi.

Lufta PD-PR-LSI

Plotësimi vendeve vakante në KQZ pritet të shkaktojë një debat të madh politik. Katër anëtarët të cilëve iu mbaron mandati janë: Bledar Skënderi, i propozuar nga PS, Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, të propozuar nga Partia Demokratike, si dhe Gëzim Veleshnja, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim në 2015 kur LSI ishte në aleancë me PS. Në pamje të parë duket se thjesht do të bëhet zëvendësimi, por nuk do të ndodhë kështu. PS momentalisht është në minorancë në KQZ dhe ajo do të kërkojë 3 anëtarë zyrtarisht, pasi ja garanton ligji. Në nenin 14 thuhet se 3 anëtarë duhet t’i ketë mazhoranca dhe 3 opozita. Momentalisht në KQZ si anëtare e PS rezulton vetëm Edlira Jorgaqi, pasi Denar Biba në momentin që ndërroi vendet me Klement Zgurin kaloi si përfaqësues i Partisë Republikane. Në këtë mënyrë LSI rrezikon të mbetet pa përfaqësues, pasi PS do kërkojë që të propozojë ajo pasardhësit e Veleshnjës dhe Skënderit, në mënyrë që të shkojë në 3 numri i përfaqësuesve, siç e parashikon ligji. Nëse ndodh kjo, atëherë topi kalon në opozitë. Sipas ligjit, 2 këshilltarë i takojnë partisë më të madhe opozitare dhe i treti propozohet nga partitë tjera opozitare, pra PR dhe LSI. Basha duhet të vendosë, nëse do bëjë një ndarje të përfaqësuesve, ku një ta ketë PD, një PR dhe një LSI, apo PD të ketë 2 përfaqësues. Nëse ndodh kjo e fundit, i bie që LSI del jashtë loje, pasi nuk propozon dot asnjë emër. Në këto kushte mund të themi se do të ketë një debat të fortë PD, PR dhe LSI.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here