Pandeli Koçi: Shteti kujtohet për shkrimtarët dhe poetët vetëm pas vdekjes, vëmendja shpërfillëse dhe selektive

0
30

Në krijimtarinë letrare shkrimtarët nuk janë të vlerësuar sa duhet. Problemet me krijimtarinë nuk janë të pakta, por sipas tyre edhe mungesa e mbështetjes nga institucionet është e dukshme. Për shkrimtarin Pandeli Koçi i njohur me pseudonimin letrar Sazan Goliku, shteti duhet të jetë gjithmonë dora e kujdesshme për të ruajtur dhe nxitur pasurinë artistike, si një nga vlerat më të larta dhe shpirtërore të një kombi. Në intervistën për “SOT” shkrimtari tregon problemet që prej vitesh vijojnë në aktivitetin e autorëve shqiptarë. Ai shprehet se vlerësimi i drejtë për autorët në krijimtari kërkon jo vetëm dije nga institucionet, por dhe ndershmëri. Për shkrimtarin Pandeli Koçi situata për aktivitetin krijues i përball autorët me harresën e institucioneve. Ai përmend emra të njohur autorësh shqiptarë, që sipas tij nuk kanë gjetur mbështetjen nga Ministria e Kulturës. Për shkrimtarin ka munguar investimi edhe për bibliotekat e qyteteve, lagjeve dhe shkollave. Sipas tij, pasurimi i këtyre bibliotekave me libra të rinj padyshim që është detyrë imediate e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit, por dhe aftësisë së drejtorëve të shkollave për të gjetur donatorë për librin.

-Jeni shprehur herë pas here, që autorët shqiptarë nuk kanë vlerësimin e merituar nga institucionet. Pse sipas jush?

Vlerësimi dhe trajtimi i autorëve janë komplekse relative, për disa krijues të traditës ose bashkëkohorë ka pasur qëndrime pozitive dhe të vlefshme, por për disa të tjerë ose ia kanë lënë heshtjes ose vetëm është folur për ta në konferenca dhe përkujtimore. Por duhet të dallojmë vlerësimet për vlerat artistike të një krijuesi, që nuk bëhet nga institucionet dhe vlerësimin me anën financiare si botimet, ekspozitat ose shfaqjet, krijimi i kushteve sa më të përshtatshme për krijimtarinë, sponsorizimet e nevojshme dhe tituj të ndryshëm, etj. Kur flasim për institucionet si Ministria e Kulturës apo dhe ajo e Arsimit, universiteti publik, teatrot por dhe politikat kulturore, vëmendja e kujdesi i tyre janë me hope, selektivës dhe shpërfillës. Fati jetik i autorëve të shquar, por dhe të atyre me vlera dhe ndihmesa të rëndësishme në fushat përkatëse të artit kushtëzohet nga një sërë faktorësh subjektiv dhe objektiv. Por shteti duhet të jetë gjithmonë dora e kujdesshme për të ruajtur dhe nxitur pasurinë artistike, si një nga vlerat më të larta dhe shpirtërore të një kombi.

-Ju çfarë kërkoni për vlerësimin?

Institucionet përkatëse nëse duan të dinë se çfarë duhet për të qenë në lartësinë e kërkesave të kohës e të shembullit më të përparuar të vendeve perëndimore, nëse nuk kanë përgatitjen e duhur, nëse punojnë vetëm për xhepin e tyre, atëherë punonjësit e tyre që nga ministrat dhe poshtë e kanë në xhep dorëheqjen. Pra vlerësimi i drejtë kërkon dije dhe ndershmëri. Në Kosovë dhe Maqedoni qeveria sponsorizon shumëfishin e shkrimtarëve si te ne. Kur kushtet ekonomike në Kosovë nuk janë si këtu, kur situata në Maqedoni sidomos për shqiptarët vazhdon të jetë e vështirë për të mos thënë e diskriminuar, faktikisht le të hapen dhe të hidhen për diskutim publik listat me sponsorizime dhe realizimet e tyre. Ka shkrimtarë të njohur në pension, por që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Ministria e Kulturës për botimin e librave të tyre si Anton Papleka, Sadik Bejko, Koço Kosta, Zija Çela, Nasi Lera, Hiqmet Meçej, Musa Vyshka, Moikom Zeqo, Bardhyl Londo, Xhahid Bushati, Astrit Bishqemi, Bardhyl Xhama, Shefki Karadaku, Shefije Tigani, etj, për të mos përmendur autorë të tjerë më të rinj si Gazmend Krasniqi, Ritvan Dibra, Lazër Stani, Agim Isaku, Shpëtim Kelmendi, Primo Shllaku. Gjithashtu kujdes të veçantë duhet treguar për autorët e rinj të talentuar, që nuk kanë as emrin për të botuar librat e tyre. Atëherë si do të dalin në dritë këto vlera të së ardhmes në letërsinë tonë? Apo të mbetemi te qëndrimi nihilist “që nuk kemi letërsi për fëmijë”, “nuk po shkëlqen brezi i ri i shkrimtarëve”, çka vjen nga mosnjohja e mosndjekja hap pas hapi e krijimtarisë më cilësore nga studiuesit e kritikët letrarë. Te konkurset letrare të shpallur nga Ministria e Kulturës duhet të pranohen vetëm libra që të jenë botuar në atë vit, pra të jenë të njohura për lexuesin e gjerë dhe në juri të propozohen personalitete të studimeve dhe kritikës letrare, le të ketë një kohë më të gjatë për të lexuar dhe studiuar nga juria, e cila duhet të rifreskohet me anëtarë të rinj në çdo konkurs.

-Si po kujdesemi ne për të zbuluar, njohur dhe studiuar traditën tonë letrare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit?

Në Arkivin Qendror të Shtetit ndodhen mes shumë të tjerave dhe dorëshkrimet e shumta të krijimtarisë letrare të atdhetarit dhe studiuesit të shquar At Shtjefën Gjeçovi. Përveç botimit para gati dy dhjetë vjeçarësh të novelës së tij “Mnera e Prezës” askush nuk është interesuar për studimin dhe botimin e kësaj pasurie letrare. Ishte një shembull, por qëndrimin e vlerësimin e traditës sonë letrare nuk e shohim edhe ndaj autorëve të tjerë. Gjatë viteve pas 1990 nuk është botuar asnjë nga tragjeditë e Ethem Haxhiademit, por vetëm është vënë në skenë nga teatri i Gjirokastrës një prej tyre. Është mbajtur heshtje dhe ndaj dramave të At Gjergj Fishtës. Kur ndërroi jetë dhe shkrimtari Ali Abdihoxha, që ka lënë gjurmë në opusin e romaneve tona nuk u shkrua asnjë rresht për të, nuk u dha asnjë rresht për humbjen e tij. Ai ishte vetizoluar apo harruar? Këtë pyetje e bën edhe disa shkrimtarë për poetin e shquar Fatos Arapi, për të cilin institucionet ta nderonin pas vdekjes.

-Bibliotekat e varfra janë problem për ju dhe të tjerë autorë. Sipas jush deri tani si kanë qenë politikat institucionale për pasurimin e tyre me libra, çfarë ka munguar?

Ka munguar investimi për bibliotekat e qyteteve, lagjeve dhe shkollave, prandaj në to kemi më tepër libra të botuara para viteve ‘90. Pasurimi i këtyre bibliotekave me libra të rinj padyshim që është detyrë imediate e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit. Por dhe aftësisë së drejtorëve të shkollave për të thithur donatorë për librin, pesha më e lehtë dhe më e rëndë në botë.

 -Jeni shprehur se letërsia për fëmijë nuk ka pasur deri tani vëmendjen e duhur nga projektet e ministrisë. Në ndihmë të zhvillimit të saj si autor çfarë kërkoni ?

Po them së pari një fakt dëshpërues. Mosha mesatare e autorëve, që shkruajnë kryesisht letërsi për fëmijë është 75 vjeç. Shpesh më pyesin a ka autorë të rinj, që shkruajnë dhe dallohen për cilësinë e librave të tyre në letërsinë tonë për fëmijë? Natyrisht që ka madje me koncepte të reja për këtë letërsi, me horizonte kulturore dhe psikologjik shumë më të gjerë se sa autorët e të ashtuquajturit të realizmit socialist. Por ata nuk kanë kurrfarë përkrahje nga botuesit, si për të gjithë letërsinë shqipe, përjashto tre apo katër emra të njohur. Kryesisht ribotohen libra dhe mbi 80 përqind janë përkthime nga letërsia e huaj. Edhe një projekt i Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë për botimin e një antologjie me shkrime të zgjedhura për fëmijë për Gjergj Kastriotit Skënderbeun nuk u mor në konsideratë nga Ministria e Kulturës. Atëherë a mund të flasim për nxitje dhe përkrahje të letërsisë kombëtare?

 -Ju jeni shprehur se është problem në letërsi mungesa e kritikës letrare. Nga duhet të nisë kritika?

Kritika letrare shpesh në shtyp është kritikuar, janë bërë vërejtje dhe sugjerime se si duhet të jetë. Por asnjë nga këta shkrues, që kanë të drejtë për problemet që ngrenë nuk ulen dhe vetë të shkruajnë kritika letrare serioze, objektive konstruktive për vepra të caktuara në letërsinë tonë, e dukuri e probleme konkrete të letërsisë sonë artistike bashkëkohore. Njëanshmëria në vlerësimin e kritikës mohon pa dashur edhe ato kritika me nivel ose librat e rrallë me kritika letrare. Është ngritur zëri, që një fidanishte për krijimin e kritikëve të rinj të jetë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, një kurs për kritikën letrare më studentët më të mirë të degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ne dikur kemi pasur një praktikë të tillë, por kush e ka vënë ujin në zjarr?

-Në muajin nëntor do të zhvillohet dhe panairi i librit, çfarë prisni këtë vit?

Nëse Panairi i Librit në Tiranë do të vazhdojë të jetë vetëm një pazar i madh libri, unë nuk pres asgjë të re as këtë vit. Uroj të ketë sa më tepër bashkëbisedime për librin, autor dhe botues, rrahje mendimesh për problemet e mprehta, për cilësinë e librit si tekste dhe paraqitje teknike. Për uljen e çmimit për botime të thjeshta, për gadishmërinë e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit për të blerë libra për shkollat e thella të vendit.

-Si autor në krijimtarinë tuaj me çfarë po merreni këto kohë?

Jam duke shkruar prozë për një libër me tregime dhe rrëfeja, e prozë për fëmijë. Kam mbaruar një libër me poezi të këtyre pesë viteve të fundit, por pres ndonjë sponsorizim, ndryshe le të flejë në sirtarët e kompjuterit tim.

 Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj