Rakip Shabani: Shkëlzen Shkololli po shkombëtarizon artin tonë, në GKA ekspozohen të huajt ndërsa artistëve shqiptarë iu mbyllen dyert

0
586

Piktorët pohojnë se nuk kanë gjetur në aktivitetin e tyre krijues mbështetjen dhe vlerësimin nga institucionet. Ata shprehen se kjo vjen dhe për shkak të mungesës së vëmendjes qoftë nga Ministria e Kulturës apo dhe Galeria Kombëtare e Arteve. Piktori Rakip Shabani shprehet se artistët me keqardhjen shikojnë se si veprat e tyre nuk ekspozohen në GKA. Në intervistën për “SOT” piktori Shabani mes të tjerave pohon se më shumë ka vlerësim dhe vëmendje për të huajt se sa për artistët shqiptarë, që janë të interesuar për promovimin dhe prezantimin e veprave të tyre. Për piktorin gjendja sot tregon se në GKA dhe ministri po bëjnë çorganizim të artit. Ai shprehet se ndërsa për të huajt ekspozitat qëndrojnë nga dy muaj, për artistët shqiptarë nuk krijohen hapësira për veprat. Problem për piktorin është dhe mosblerja e veprave të artit nga GKA për të pasuruar fondin, ku sipas tij janë të huajat ata që po i blejnë punët e artistëve.

-Si po vijon aktiviteti juaj, jeni shprehur se pas disa ditësh do të bëni një udhëtim për të parë të tjera vende për krijimtarinë tuaj. Këtë herë çfarë vendi keni zgjedhur?

Unë së shpejti do të bëj një udhëtim në Kapadokio, që është një vend nga Azia e Vogël. Kam parë disa formacione shkëmbore, që i ka ndërtuar natyra dhe është një qytet i tërë me shtëpi të tilla dhe kisha, të gjitha të ndërtuara nga shkëmbinjtë nën tokë. Janë struktura vullkanike. E kam parë në një dokumentar dhe më ka tërhequr, dhe besoj do të jetë një vend piktorik dhe shumë interesant.

-Ju pohoni se GKA po vijon të ketë shumë probleme. Pse?

Galeria Kombëtare e Arteve është gjëja më serioze për artin figurativ. Në atë institucion janë veprat e artit me dinjitoze të historisë së kombit tonë. Aty ne piktorët kemi derdhur rininë tonë dhe kemi veprat e artit. Unë si artist kam 24 vepra arti në GKA. Por gjëja më e çuditshme është që mundohemi ne si piktorë të takojmë drejtorin dhe në vend që ai të vijë të na takojë vetë, del një jurist i tij dhe ai na bën takimin. Kjo ne na duket një paradoks i jashtëzakonshëm. Juristi del na jep përgjigje në vend të titullarit të GKA. Brenda aty janë veprat e artit kombëtar. Janë pasuri kombëtare dhe të gjithë turistët e huaj, që e vizitojnë paguajnë një kuotë dhe nga ky fond jeton GKA bashkë me atë buxhet çfarë jep Ministria e Kulturës. Por jemi ne artistët, që kemi veprat tona në GKA dhe e kemi ndërtuar atë. GKA ka salla dhe çuditërisht më pak dhe më të papreferuarat janë ato që janë ekspozuar pikturat e fondit. Ndërsa 2 salla të mëdha, të cilat janë bërë dhe investime vitet e fundit gjatë kohës që ka ardhur drejtori Shkololli nuk ekspozohet dhe pranohet asnjë piktor shqiptar. Hapësirat e GKA iu lihen artistëve të huaj, në këto kohë që ne flasim aty kemi një artiste nga Gjermania. Më parë aty u hap dhe ekspozita e një artisteje nga Kosova. Por aty harxhohen drita dhe ujë, paguhet titullari, nënpunësit, harxhohen fonde, dhe nuk është se ai ia lë një javë ekspozitat atyre, por dy muaj në dispozicion. Mua kjo më duket abuzuese nga titullari i atij institucioni. Çdo piktor që ka vajtur aty shqiptar ka marrë përgjigje negative për ekspozita. Drejtori i GKA kthen përgjigje kur ne interesohemi përmes punonjësve të institucionit, që nuk hapim ekspozita sepse do të mbyllet 4 vjet për arsye të rikonstruksionit. Pra sipas tij GKA do të mbyllet 4 vjet, por kur vjen puna ajo nuk mbyllet, por sallat e ekspozitave më të mira aty dhe që harxhohen para për tu mirëmbajtur ua lënë nga dy muaj të huajve ekspozita pa vlerë. Fakti tregon, që asnjë piktor gjatë inaugurimit nuk vete në GKA, sepse ka dhe ekspozita me shkronja. Pra në vend që këto salla të GKA të jenë për artistët në Shqipëri të vendosen veprat tona, sepse dihet që ka pak salla për ekspozita, ato shfrytëzohen nga të tjerët sipas interesit të drejtuesit aty. E gjitha kjo që po ndodh unë mendoj që është një abuzim në GKA aq më tepër mendohet që të ndërtohet një galeri e madhe. Problemi im nuk është ky, por ekzistenca e veprave të artit. Unë po vë re që ka një tendencë për shkombëtarizim të artit tonë. Veprat e fondit janë realiste. Ku janë vepra arti, nga ato ne mësojmë dhe historinë e kombeve. Nëse nuk do të ishte arti ne nuk do të merrnin vesh dhe historinë. Edhe ne kemi artin tonë që  e quajnë art shqiptar. Por dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj për çfarë po ndodh.

-Çfarë duhet të bëjë sipas jush ministria?

Nëse ai si drejtor  e ka menduar se e ka pronën e tij këtë institucion ai mund të bëjë ç’të dojë. Por natyrisht që besoj për këtë që ndodh ka përkrahjen e ndonjë dikasteri, qoftë të Ministrisë së Kulturës, por dhe të kryeministrisë sepse dhe atje ka këshilltarë të artit. Ka ardhur koha të flasim troç për problemet. Nëse ne duam që arti jonë të ekzistojë, unë vë re një tendencë për mohimin e të gjitha artistëve në atë institucion. Por që nga 1991 e deri më tani nuk është zhvilluar asnjë konkurs kombëtar përveçse disa ekspozitave. Ekspozita e parë që u hap pas 1991 ka qenë në kuadër të një bienaleje. Ishin aktivitete, që merrnin pjesë dhe artistë të huaj. Në bienalen e parë që morën pjesë dhe piktorë të huaj, dikush solli një qen, që e lidhi në GKA. Ai artist e lidhi qenin si vepër arti në GKA, qeni u mërzit aty dhe filloi të lihte dhe natyrisht e hoqën. Ndërsa piktori çek tha që në fund do ta tregonte veprën e tij, sepse ishte konkurs. Shkuam në fund të gjithë në një sallë lart, por ai artist u zhvesh nudo dhe urinoi aty në sallë. Por pas kësaj ai fitoi dhe çmim. Kjo është e vërtetë edhe pse kaq qesharake. Pra kaq shumë kanë degraduar pas ’90 aktivitetet e artit te ne. Pas 1991 ka pasur ekspozita, ku janë vendosur dhe vagona. Edhe sot pas kaq vitesh po në GKA, ne piktorët shqiptarë nga drejtori jo vetëm që nuk po përkrahemi, por po mohohemi. Unë pyes ky e ka hallin ky drejtor në GKA? Çfarë pret ai? Ajo GKA është e jona, është e artistëve. Ky drejtor si nuk hap ekspozita të piktorëve shqiptarë, pra sallat aty të përdoren për fondin e galerisë më tepër. Por me ç’të drejtë lë veprat e artit të kalben dhe ti hapi ekspozitë x apo y artisti që janë të huaj? Sot jemi në një situatë, që për artistët jo vetëm që nuk ka konkurse që duhet të zhvillohen nga institucione, por GKA nuk po blen asnjë vepër arti.

-Në këtë situatë çfarë ndodh?

Të gjitha punët tona po na i blejnë të huajt. Shteti jonë paska buxhet për të bërë grataçela dhe nuk paska Ministria e Kulturës për GKA, që duhet të blejë vepra arti? Nuk shikojnë këta që vijnë se çfarë godine ke, por se çfarë veprash arti kemi, çfarë muzesh kemi. Ministrat e Kulturës ikin dhe vijnë, drejtorët e GKA po ashtu ikin dhe vijnë, por veprat e artistëve mbeten aty.

-Në aktivitetin tuaj ju keni hapur ekspozita duke pohuar dhe mbrojtjen e trashëgimisë. Çfarë është shqetësuese për ju?

Ministrisë së Kulturës nuk po i bie ndër mend për GKA jo më për objekte e tjera të trashëgimisë sonë, dhe që sigurisht kanë vlera dhe janë unikale. Objektet e trashëgimisë sonë kulturore janë pasuri kombëtare, duhet të mirëmbahen dhe ruhen. Është një kishë, që në Vlorë quhet Marmiro dhe sa herë kam shkuar atje kam gjetur gomerë brenda dhe po rrënohet. Kishat duhen mirëmbajtur.

-Institucionet kanë borde, sa kanë përgjegjësi kanë me problemet që ju pohoni?

Bordi është ai që zgjedh drejtori në institucion. Por për ne artistët bordi në GKA është fantazëm, nuk e dimë a ekziston apo jo. Çfarë bordi qenka ai që lë dy muaj një ekspozitë me artistë të huaj? Stili për artin në Shqipëri është çorganizim. Promovohet arti, që nuk është kombëtar. Sa më jo kombëtar të jetë aq më i preferuar është për tu promovuar. GKA është shembull për të gjithë vendin. Por nëse aty ka ekspozita ku dikush vendos sfungjer dhe germat, kështu u bëka arti?

-Grupet e piktorëve gjithashtu pohojnë  për mungesë mbështetje, si ndikon kjo sipas jush?

Piktorët kanë mjedis për të ekspozuar vetëm në MHK dhe në galerinë FAB. Nuk ekzistojnë sot as konkurset as aktivitetet. Dikur ka pasur organizim për artin figurativ dhe kishim dhe privilegje ne si artistë, kurse tani kemi në GKA dhe ministri që po bëjnë çorganizim të artit.

 Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here