Kuvendi dështon të harmonizojë rezolutën për dialogun me Serbinë

0
593

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë nuk kanë arritur të harmonizojnë tekstin e rezolutës për kornizat e dialogut me Serbinë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin para vetës një rezolutë të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe gjashtë pika të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Rezoluta e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të mos i lejohet të negociojë me Serbinë ceshtjen e kufijeve të Kosovës. Të njëjtës rezolutë, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që t’i shtohen edhe gjashtë pika.

Bazuar në qëndrimet e ndryshme, Kuvendi mori një pauzë duke u dhënë rast grupeve parlamentare që ta harmonizojnë tekstin. Por, pas vazhdimit të seancës, shefat e grupeve parlamentare, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, konfirmuan se nuk kanë arritur marrëveshje për harmonizimin e tekstit.

Votimi në Kuvend ka sjellë si rezultat 50 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ky numër i votave nuk ka mjaftuar që rezoluta të miratohet. Menjëherë pas votimit, partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Debatet për këtë rezolutë jane permbyllur te merkuren gjatë një seance që ka zgjatur gjithë ditën.

Dallimet janë vërejtur qysh gjatë debateve të mërkurën, duke mos lënë shumë hapësirë për harmonizim ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit u ka bërë thirrje subjekteve politike t’i bashkërendojnë kërkesat në një draft rezolutë të përbashkët lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Republika e Kosovës nuk duhet të vazhdojë fazën finale të dialogut pa një qëndrim shtetëror të artikuluar në Kuvend, pa strategji dhe pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmëritë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Debatet në lidhje me dialogun me Serbinë pasojnë idenë e proklamuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilës në marrëveshjen finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të përfshihet edhe çështja, siç e ka quajtur ai, e korrigjimit të kufirit. Sipas opozitës, ideja e Thaçit për korrigjim të kufirit, ka si prapavijë ndarjen e Kosovës, edhe pse Thaçi këtë çështje e kishte mohuar në vazhdimësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here