Ligji i ri, të gjitha pronat e sindikatave në inventar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës raport qeverisë për kontratat e qirave dhe të përdorimit

0
797

Të gjitha pronat e sindikatave do të kalojnë në një proces verifikimi dhe inventarizimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, një strukturë e re kjo e cila pritet të krijohet në janar të vitit 2019, si bashkim i ALUIZni-t, Hipotekave dhe Agjencisë së Pronave. Në pr/ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë” i hedhur për konsultim, parashikohet një nen i veçantë për përditësimin e të dhënave për pasuritë e sindikatave. Kështu, në nenin 41 të këtij projektligji thuhet se ASHK, në zbatim të këtij ligji verifikon, saktëson dhe përditëson listat e inventarit të pasurive të paluajtshme, të kaluara në administrim të sindikatave, si dhe identifikon marrëdhëniet e krijuara me të tretët për këto pasuri. Kur gjatë procesit të përditësimit rezulton se pasuritë e kaluara në administrim të sindikatave, janë të paregjistruara më parë në regjistrat publik të pasurive të paluajtshme, ASHK kryen regjistrimin e tyre, sipas dokumentacionit ligjor nëpërmjet të cilit provohet e drejta e pronësisë. Produkti i procesit të përditësimit dhe plotësimit duhet të përmbajë të dhënat për numrin dhe llojin e pasurive të paluajtshme të inventarizuara, numrin e pasurive të luajtshme të inventarizuara, llojin e marrëdhënieve të krijuara me të tretët dhe nëse ka, ndryshimin e kësaj marrëdhënieje, ku përshihen: kontratat e qirave me të tretët; kontratat e përdorimit me të tretët; vënia e hipotekave mbi pasuritë, në favor të të tretëve; çdo lloj veprimi juridik, i kryer për këto pasuri, që regjistrohet në regjistrat publikë; listën e objekteve të kulturës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë kaluar apo duhet të kalonin në pronësi të qeverisjes vendore, të identifikuara; listën e të gjitha objekteve të inventarizuara; çdo informacion tjetër të nevojshëm, që lidhet me procesin. Agjencia Shtetërore e Kadastrës në përfundim të procesit të përditësimit dhe plotësimit, harton një raport vlerësimi i cili i paraqitet Këshillit të Ministrave.

Pr ligji “Për kadastrën”

Pr/ligji “Për kadastrën” rregullon funksionin publik të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, organizimin e institucionit përgjegjës për këtë funksion dhe mënyrën e administrimit të kadastrës, si regjistër publik i pasurive të paluajtshme. Në këtë ligj përcaktohen rregulla për organizimin e regjimit kadastral të shtetit; regjistrimin e pronave të paluajtshme private, shtetërore dhe publike, të të drejtave reale mbi to; përmirësim/përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme; krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës.

Si do të ngrihet ASHK

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të jetë një institucion në varësi të kryeministrit. Ajo do të funksionojë si institucion me vetëfinancim, ku krahas të ardhurave të krijuara nga vetë ajo, burime të tjera plotësuese financimi mund të jenë dhe buxheti i shtetit si dhe donacionet dhe kreditë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të administrojë fondin financiar të kompensimit, që krijohet dhe përdoret sipas ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Organet drejtuese të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri. Këshilli Drejtues ka gjithsej 7 antarë, një prej të cilëve është Drejtori i Përgjithshëm. Antarët duhet të kenë formim profesional të fushave të inxhinierisë, gjeodezisë, drejtësisë, ekonomisë, ose administrimit publik, si dhe eksperiencë pune të paktën 5 vjet në organet e administratës shtetërore. Antarë e tjerë të Këshillit Drejtues nuk janë funksionarë me kohë të plotë dhe zgjidhen përkatësisht si përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë përgjegjëse për zhvillimin urban, kabinetit të kryeministrit; autoritetit shtetëror përgjegjës për informacionin gjeohapësinor.

Regjistrimi i pasurive në kadastër

Çdo pasuri e paluajtshme regjistrohet në kadastër, duke u pasqyruar në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale. Kartelat dhe hartat që përbëjnë kadastrën administrohen në format shkresor (letër) dhe dixhital. Kartela e pasurisë mban detyrimisht të dhëna për: Pozicionin gjeografik të pasurisë; Sipërfaqen e pasurisë; Llojin e pasurisë së paluajtshme dhe kategorinë e tokës (ndërtesë, truall, tokë bujqësore, kullotë); Identifikimin e pronarit të pasurisë; Aktin nga i cili ka lindur titulli i pronësisë mbi pasurinë; Të drejtat e të tretëve mbi pasurinë dhe aktet prej të cilave ato burojnë; Çdo akt tjetër që ndryshon regjimin juridik të pronës, apo krijon të drejta apo detyrime mbi pasurinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here