Nonda Varfi: Çmimet letrare dhe përkthimet prej 5 vitesh në një qerthull riciklimi, Ministria e Kulturës s’ka një strategji

0
19

Fondet që ndan Ministria e Kulturës që janë mbështetje për librin dhe përkthimin për autorë dhe përkthyes nuk shkojnë gjithmonë atje ku duhet. Herë pas here ata shprehen për mosvlerësimin e duhur në projekte të ndryshme, një situatë që sipas tyre po vijon. Sa i takon fushës së përkthimit problemet nuk janë vetëm te mbështetja me projektet, por dhe kriteret e vlerësimit. Prof. dr. Nonda Varfi pohon se Ministria e Kulturës duhet të bëjë strategjitë e kulturës, ta shikojë si një aset të madh të kombit dhe të investojë. Por kjo duket se ka munguar deri tani. Përkthyesi i njohur prof. dr. Nonda Varfi në intervistën për “SOT” rendit një sërë problemesh në politikat e institucioneve në ndihmë të librit dhe përkthimit. Ai shprehet se problem vijojnë të jenë komisionet, që krijon ministria dhe vendosin për fituesit. Sipas prof. dr. Nonda Varfit duhet më tepër vëmendje dhe kujdes dhe për Bibliotekën Kombëtare pasi është memoria e kombit. Me aktivitetin e tij ndër vite në fushën e përkthimit prof. dr. Nonda Varfi ka 82 tituj të përkthyer, nga të cilët 32 romane pjesa tjetër në teatër, prozë e shkurtër e poezi. Po ashtu në aktivitetin e tij vjen dhe vëllimi 42 poetë shqiptarë në frëngjisht. Përkthyesi Nonda Varfi me rrugëtimin e tij në letërsinë botërore pruri në gjuhën shqipe autorët Kazantzaki, Bergman, Merime, Kamy, Sagan,Ben Jelloun, Jasmina Khadra, Ayme, Baffi, Crisinel, Maggiolo, Papini, Sepulveta, Paulo Coelho, Le Clezio, etj. Gjatë kësaj kohe ai tregon se në punën e tij po përkthen të tjerë autorë.

-Prej vitesh me punën tuaj jeni në fushën e përkthimit. Vepra të autorëve të njohur botërorë kanë ardhur në shqip me përkthimin tuaj. Këto kohë me çfarë po merreni?

Këto kohë pres që të dalin për lexuesit disa libra, mes tyre po përmend “Paladium” nga Boris Razon, “Do të të harroj çdo ditë” i autorit Vasilis Aleksakis si dhe “Për vëllezërit tanë të lënduar” autor Zhozef Andras, që është interesant sepse është një autor që ka shkruar me pseudonim dhe nuk dihet emri i vërtetë. Janë libra që kanë mbaruar. Ndërkohë që unë po përkthej “Një apartament në Paris” shkruar nga Myso dhe në një projekt të afërt është dhe libri “Martesë për qejf” nga Tahar Ben Jelloun. Këto janë projektet në vijim të këtij viti.

– Me çfarë vepre do të prezantoheni në Panairin e Librit?

Besoj që do të jetë në Panairin e Librit vepra “Për vëllezërit tanë të lënduar” nga Zhozef Andras. Dy romanet e tjera të përkthyera kanë disa probleme teknike, etj, por që do të dëshiroja që dhe ata të dilnin për sa kohë unë si përkthyes e kam mbaruar punën time.

-Sa rëndësi merr për ju zhvillimi i Panarit të Librit?

Për mua Panairi i Librit është një gjë shumë e bukur. Është një event, një ngjarje që më duket do ti ngazëllejë të gjithë lexuesit, shkrimtarët, përkthyesit dhe botuesit. Në jetën e shoqërisë shqiptare duhet të jetë eventi më i bukur, sepse është libri. Këtë e them për arsyen shumë të thjeshtë, që bibla është libri dhe libri është bibël. Pra që ne ta vlerësojmë librin është gjë e bukur.

-Çfarë mendoni për politikat institucionale të e përkthimit në vend?

Sigurisht që titullarët në institucione ikin dhe vijnë. Nëse do të bëjmë një përllogaritje, ka ministra që kanë ardhur dhe kanë ikur, kjo do të vijojë. Problemi qëndron te arsyeja. Subjekti është individi që bën politikat, me të drejtën e bërjes së politikës në kurriz të popullit. Ministrat nuk i zgjedhim ne. Ministrat i zgjedhin ata për arsye pse i zgjedhin. Kështu që kjo krijon dy mundësi. Mundësinë e abuzimit nga ata që nuk janë zgjedhur, dhe mundësinë e paabuzimit nga ata që nuk i zgjedhin. Një ministër Kulture nuk zgjidhet nga unë që të japë llogari te unë, dhe ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë në kuptimin e abuzivitetit. Ministria e Kulturës në përgjithësi do të bëjë strategjitë e kulturës dhe ta shikojë si një aset të madh të kombit, të investojë. Në rastin e librit dhe përkthimit një ministër Kulture abuziv mund të thotë, nga thesi që kam unë po nxjerr disa para që t’ia jap përkthimit. E drejta e tij dhe në rregull ministri apo ministresha. Por nuk është kjo, sepse e para paratë janë të taksapaguesve. E dyta, këto para duhet të përdoren për të dhënë një vlerë. Vlera e librit matet me lexuesin, dhe duhet të dish çfarë vlere do ti japësh lexuesit. Sigurisht që ka mekanizma justifikues, thuhet bëra tenderin, erdhën u paraqitën dhe u shpallën fitues. Unë si di kriteret. Por sot shkruajnë libra shumë autorë dhe kemi vepra. Ne jemi një popull i vogël, dhe me buxhet po të paktë. Çfarë do ti japim lexuesit? Një libër të rëndësishëm, një thriller apo në qerthull? Mjafton të bëni një analizë, një informacion për 5 vjet kush ka marrë sponsorizim, çfarë janë botuar dhe kush i ka marr çmimet. Nëse dimë këto e marrim vesh çfarë ka bërë Ministria e Kulturës. Ikni shikoni kush janë në juritë e komisioneve të Ministrisë së Kulturës, si riciklohen ata dhe kujt ia japin çmimet dhe përse japin? Ka ndonjë logjikë? Në përkthim përshembull përse jep çmim? Jep për veprën letrare apo nivelin e përkthimin? Ka ndonjë kriter Ministria e Kulturës? Në momentin që ti vlerëson veprën duhet t’ia japësh autorit dhe shtëpisë botuese që ka përkthyer veprën, ndërkohë që kur jep çmim për përkthimin duhet të vlerësosh nivelin e përkthimit dhe përkthyesin. Pra edhe një përrallë e vogël po të përkthehet apo një poezi nëse jep çmim për përkthimin duhet ta marrë përkthyesi dhe jo autori.

-Kush janë në komisione dhe si i japin çmimet?

Çmimet i japin më njeh dhe të njoh. Nuk ka nevojë ta them unë. Ju thashë shkoni në Ministri të Kulturës dhe kërkoni kush ka qenë në juri dhe kanë marrë çmime këto 5 vjet. Riciklohen ata, njëherë njëri e njëherë tjetri. Ministresha ka një thes atje, dhe këtë vit do ti japë filanit, e heq nga juria dhe vë një tjetër. Nuk jam xheloz për këtë sepse unë nuk përkthej për çmime, dhe nuk e dua prej tyre dhe sikur të ma japin nuk e marr. Sepse ka një gjë, Papën e zgjedhin kardinalët jo famullitarët e fshatit. Më duket se me këtë u shpreha qartë.

-Vit pas viti Ministria e Kulturës bën me dije se fondi për përkthimin letrar do të nxisë dhe mbështesë financiarisht përkthime të arrira të veprave të letërsisë. Sa ka shërbyer deri tani dhe është mjaftueshëm kjo mbështetje?

Ministria e Kulturës nuk duhet të niset në hapjen e këtyre filozofirave duke u nisur nga paratë. Ministria e Kulturës duhet të bëjë strategji dhe nuk justifikohet që kam këtë buxhet dhe me këtë i zgjidha problemet e kulturës, përthimit etj. Mos të thotë kam dhënë fonde, sepse nuk janë paratë e ministrisë, por janë të taksapaguesve shqiptarë dhe ato para të shkojnë në drejtimin e duhur.

-Sipas jush kanë shkruar në drejtimin e duhur paratë e ndara?

Nuk kanë shkuar. E përmenda pak më lart, në përkthim dhe në çmimet letrare janë vetëm një qerthull miqësor. Kaq. Duhen filozofira nga Ministria e Kulturës qoftë për letërsinë dhe përkthimin, si dhe gjithë sferës kulturore. Unë këto pesë vite nuk i kam parë këto, sepse është një qerthull i mbyllur.

-Bibliotekës Kombëtare i ra zjarri, më pas u përmbyt dhe pati dëmtime. Ju si e përjetuat?

Biblioteka Kombëtare është memoria e kombit. Këta njerëz, që duan të përmbysin dhe shkatërrojnë Bibliotekën Kombëtare duan të heqin memorien e kombit. Por duhet ti thuash dhe atyre në Ministri të Kulturës, që e hapni dhe njëherë bibliotekën dhe shikoni se çfarë keni atje brenda te memoria kombit. Unë vetë jam krenar që minimalisht një gjurmë do ta lë te memoria e kombit. I dhimbset Biblioteka Kombëtare Ministrisë së Kulturës, sa libra janë dëmtuar atje? Ministresha e hap ndonjëherë fondin e Bibliotekës Kombëtare katalogët on line dhe të shikojë se çfarë ka atje brenda. Jo vetëm ajo por dhe kushdo tjetër, ta hapi fondin dhe të shikojnë se çfarë kanë. Më pas të dalë të bëjë të gjitha ideologjitë e zhvillimit të kulturës.

-Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në politikat e librit?

Në politikat e librit duhet të ndryshojnë njerëzit në fillim. Po nuk u ndryshuan njerëzit nuk ndryshojnë as mendësitë. Këta njerëz janë të ngulitur në ministri duan vetëm dhe vetëm të përfitojnë pa dhënë. Duan vetëm të shesin dëngla nëpër televizione.

-Niveli i përkthimeve diskutohet jo pak, çfarë mund të na thoni?

Niveli i përkthimit nuk është detyra ime për ta gjykuar, sepse nuk mund të gjykoj homologët e mi. Në kuptimin tim në kërkesat që kam unë është që, asgjë nuk është e përkryer, por dëshira për ta bërë më mirë duhet të ketë. Kjo është detyrë e shtëpive botuese që marrin përsipër, detyrën e përkthyesit, është një përzgjedhje siç e thashë më parë. Sigurisht që në çdo punë ka dhe të meta, por ajo që kërkohet është pikërisht një përkushtim për të bërë një punë sa më të mirë. Këtu ndërlidhen, shtëpitë botuese, redaktori, korrektori, përthyesi, për të dalë një vepër cilësore. Nëse një autor shumë i mirë vjen keq në shqip, lexuesi krijon një perceptim të gabuar për autorin. Pra dëmtohet autori, por dhe vepra, dhe kjo rregullohet me një përkushtim më të madh.

Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj