Rama: Fëmijët ndalohen të jenë në lokale gjatë orarit të mësimit, masa të forta ndaj atyre që u shesin alkool

0
421

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar dje se pas mbylljes së basteve, masa të forta do të ketë dhe për alkoolin. Dje qeveria ishte në Kukës dhe pas mbledhjes së saj shefi i qeverisë dha një deklaratë për mediat. Ai u shpreh se ligji është gati dhe nuk do ketë më asnjë tolerim për përdorimin e alkoolit për personat nën 18 vjeç. Po ashtu tha se nuk do të lejohet frekuentimi i lokaleve nga fëmijët gjatë orarit të shkollës. “Sot kemi ndërhyrë në ligjin për ndalimin e tregtimit të alkoolit dhe për ndalimin e fëmijëve deri në moshën 18 vjeç në lokale gjatë orarit të mësimit. Ligji do të shkojë në parlament. Masat do të jenë shumë të rënda, duke e bërë të pamundur tregtimin e alkoolit për ata që janë nën 18 vjeç dhe duke sanksionuar rëndë të gjitha lokalet që do të shkelin këtë ligj dhe që do të pranojnë të lejojnë të hyjnë në derën e tyre vajza dhe djem nën 18 vjeç edhe gjatë orëve të mësimit, pavarësisht nëse marrin apo nuk marrin alkool, kjo është një temë tjetër. Ndëshkimet do të jenë ekstreme sepse ne besojmë që mbyllja e gjithë rrjetit të pikave të basteve dhe të lojërave të fatit nëpër qytete, nëpër zonat e banuara është njëra anë, por ana tjetër është mbrojtja e domosdoshme e adoleshentëve nga alkooli”, tha ai. Rama deklaroi se ka arsye të mendohet që gjërat kanë shkuar në një pikë ku nuk mund të tolerohen më në asnjë mënyrë dhe duhet një masë drastike, në bashkëpunim me shkollën dhe në bashkëpunim me prindërit. “Po ashtu do të ndalohet kategorikisht edhe frekuentimi i klubeve të natës nga shtetasit nën 18 vjeç. Vetëm në rastet kur do të jenë të shoqëruar me prindër apo të jenë të shoqëruar me mësues, pra me persona që mbajnë përgjegjësi për ta, përndryshe do të jetë rreptësisht e ndaluar hyrja e tyre në klubet e natës”, tha ai. Kryeministri u ndal dhe te largimi i të rinjve. Ai deklaroi se nuk është asgjë dramatike, pasi sipas tij, shqiptarët kanë qenë të izoluar dhe tani që lëvizet lirë kanë mundësi të shkojnë në vendet e BE. “Kështu që, ndryshe nga të gjithë ata që derdhin lot krokodili dhe që mund të jenë shumë më tepër shkaktarë të situatave të ikjeve nga ky vend në 30 vite, unë hyj tek ata, – e di që s’jam shumicë, – që nuk e shohin fare si tragjedi, përkundrazi, është pjesë e historisë sonë ky fenomen. Kemi qenë në bunker për gjysmë shekulli. Lavdi popullit shqiptar nuk jemi më në bunker. Jetojmë në një botë që është e hapur edhe për ne. Kështu që s’është këtu fare problemi. Problemi është si ne t’i bëjmë të interesuar ata që largohen, ata që janë larguar, ata që kanë kursyer për të investuar këtu. Pastaj se ku vendosin të jetojnë e të punojnë është e drejta e gjithsecilit”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here