Të ngelurit në veting u shpëtojnë hetimeve, juristët: Është detyrë e prokurorisë të vihet në lëvizje, ja rruga që duhet ndjekur

0
612

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri tani ka kaluar në sitë 56 gjyqtarë dhe prokurorë, nga të cilët 25 emra janë shkarkuar. Arsyetimi kryesor që ka përdorur KPK për vendimet e saj të shkarkimit ka qenë fshehja e pasurisë. Pothuajse të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë patur probleme me pasurinë, por përveç ndëshkimit që ata kanë marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shkarkim nga detyra, prokuroria nuk ka bërë asgjë për të nisur hetimet për ta. Përveç ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, për të cilin organi i akuzës nisi hetime për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, për asnjë emër tjetër prokuroria nuk është vënë në lëvizje, edhe pse fshehja e pasurisë përbën vepër penale. Juristët shprehen se në momentin që thuhet që ka fshehje pasurie, atëherë është në dorë dhe kompetencë të prokurorisë të nisë hetime. Avokati Sokol Hazizaj tha për gazetën “SOT” se organi i akuzës nuk mund të qëndrojë indiferent, por shtoi se ekziston risku që nga procesi i dytë hetimor për një të shkarkuar të “zhbëhet” vendimi i KPK. Sipas tij, nëse prokuroria nuk gjen dot prova të mjaftueshme për fshehje pasurie, atëherë vendimi i KPK për shkarkim bazuar tek fshehja e pasurisë rrezikohet. “Nëse ne themi që ka fshehje, kjo e çon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek hetimi. Por hetimi pastaj do të shkojë pastaj prapë në një proces tjetër gjykimi. Dhe në qoftë se gjykimi i dytë e ndryshon konceptin e fshehjes, kjo e rrezikon procesin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Prandaj unë me të drejtë kam thënë gjithmonë dhe kam pranuar që kur të bëhet largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të vlerësimit apo rivlerësimit të kriterit të pasurisë apo të elementëve të tij, duhet pasur kujdes në përdorimin e koncepteve. Por nga ana tjetër, edhe vetë subjektet e rivlerësimit, dua ta theksoj që kjo është e dyanshme, duhet që ta kërkojnë vetë nëse kemi të bëjmë me rastin e fshehjes së pasurisë, që është subjekt i ligjit penal, është objekt i hetimeve penale apo jo”, tha Sokol Hazizaj.

Reagimi i Gjokutajt

Në të njëjtën linjë me Sokol Hazizajn qëndron edhe avokati Genc Gjokutaj. Edhe ai gjatë një prononcimi për gazetën deklaroi se prokuroria duhet të nisë hetime për emrat e shkarkuar për shkak të fshehjes së pasurisë. “Patjetër që prokuroria duhet të nisë hetim. Kjo është në juridiksion të prokurorisë. Duhet parë rast pas rasti sepse dikush thotë ky nuk e justifikon me këtë rrogë. Ata kanë vënë një shpjegim dhe një lloj justifikimi. Nuk e pengon prokurorinë, edhe pa këtë lloj indicie, të fillojë një hetim pasuror. Kjo është një informacion më tepër pastaj. Por prokuroria mund të veprojë, prokuroria vepron edhe pa këtë lloj indicie. Ka një problem: KPK bën një gjykim mbi bazën e një të dhëne të caktuar. Por hetimi që bëjnë këta nuk mund të bazohet në hetimin e prokurorisë”, tha ai. Por nga ana tjetër, Gjokutaj shtoi se mund të ketë rrezik për rishikim të vendimit të KPK. “Nëse do të zbatojmë Kodin e Procedurës, nëse do të konsiderojmë vendimin e gjykatës për pafajësi ose vendimin e pushimit të prokurorisë për mungesë provash, por nuk dihet nëse zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale edhe për rastin e KPK. Sepse këtu hyjmë tek rasti i rigjykimit pastaj. D.m.th që del një provë e re ose një vendim që është i kundërt me një vendim të mëparshëm. Dhe kur kemi dy vendime të kundërta, automatikisht pastaj një vendim prishet dhe kalon në rishikim”, u shpreh Genc Gjokutaj./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here