Ministria e Financave nuk i rumburson TVSH-në federatës, bllokohen punimet në “Arena Kombëtare”

0
471

Arena Kombëtare” e Tiranës rrezikon të mbetet rrugëve. Shkak sipas Federatës Shqiptare të Futbollit është ngecja e punimeve për mungesë të investimit dhe “mollë sherri” mes saj dhe Ministrisë së Financave janë 2 milionë euro që duhej të rimbursoheshin nga investimi i kryer prej vetë federatës në impiantin e ri të futbollit në kryeqytet, një shumë që Komisioni i Apelit të këtij dikasteri refuzon ta lëvrojë. Ka qenë vetë Federata Shqiptare e Futbollit që ka dalë me një qëndrim për këtë çështje, një komunikatë për mediat, ku qartësohet pozicioni i saj dhe arsyeja pse kanë ngecur punimet për përmbylljen e ndërtimit të plotë dhe vënien në funksion të stadiumit të ri të ekipit kombëtar. Kështu, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se nga mosrimbursimi i TVSH-së nga Ministria e Financave i pjesës së investimit të kryer nga qeveria e futbollit, mungojnë afërsisht dy milionë euro, shumë kjo e konsiderueshme që vë në diskutim serioz përfundimin e projektit. Qëndrimi i federatës duket i qartë, por mbetet për t’u parë reagimi i Ministrisë së Financave si dikaster përgjegjës për këtë problem.

Njoftimi i FSHF-së dhe pasiguria e një investimi të përbashkët

Njoftimi i federatës shpalos qëndrimin zyrtar të FSHF-së për investimin e kryer. Në lojë janë 2 mln euro që federata i lë të nënkuptuar si një “dorë e fortë investimi për të përmbyllur punimet në “Arenën Kombëtare”. Në fakt, stadiumi i ri është fryt i një investimi të përbashkët të FSHF-së dhe qeverisë shqiptare, që krijuan së bashku një kompani që do të merrej vetëm me stadiumin, ndërtimin dhe menaxhimin e tij. Ishte një raport i koklavitur ndërmjet dy institucioneve, por që palët kishin shprehur vullnetin e përbashkët që kryeqyteti të kishte një impiant të ri ultramodern për ekipin kombëtar, një stadium që do të plotësonte të gjitha standardet e UEFA-s dhe të FIFA-s, madje ishte propozuar dy herë nga FSHGF për të pritur Superkupën e Europës të vitit 2020. “Nga Ministria e Financave vjen një lajm tjetër: Komisioni i Apelit refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo do të thotë që këtij investimi i mungojnë afërsisht 2 milionë Euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve të stadiumit vihet seriozisht në pikëpyetje”, thuhet që në fillim të njoftimit të përcjellë nga FSHF. Më tej jepen disa detaje që kanë të bëjnë me ligjin dhe interpretimin e tij dhe që federata e cilëson këtë sjellje prej një tifozi ultras. “Në bazë të VKM Nr.953, datë 29/12/2014, neni 5, pika 5, Qendra Sportive Kuq e Zi, ka bërë deklarimet kronologjike në librat e blerjes dhe shitjes të TVSH-së, duke konsideruar dhe deklaruar se qiradhënia e ardhshme do të jetë e tatueshme. Këtë shpjegim nuk po e bëjmë për Komisionin e Apelit që sillet si një grup “tifozësh ultras”, por për ata që e dinë dhe e kuptojnë këtë procedurë ligjore”, shkruhet më tej në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në fund, qeveria e futbollit në vend premton se do ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore, duke i quajtur zyrtarët e Komisionit në fjalë “burokratë të shtetit dhe të politikës”, që sipas saj kanë ende mërzitje nga kualifikimi i Shqipërisë në Europianin e Francës. “Gjithsesi FSHF do ti drejtohet Gjykatës, për këtë çështje, por është për të ardhur keq se si një grup burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk ju ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern!”, përfundon qëndrimin e saj Federata Shqiptare e Futbollit. Natyrisht, një qëndrim i tillë ndërmjet institucioneve, pra FSHF-së dhe Ministrisë së Financave, mund t’i çojë palët drejt gjyqit në mënyrë të pashmangshme. E ndërsa situata duket pa zgjidhje, stadiumi do të mbetet pa u mbyllur për një afat të gjatë kohor.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here