Sulejman Dibra: Brezi i vjetër i aktorëve është i harruar, pres role për në filma…

0
1114

Artistët e brezit të vjetër janë të harruar. Kështu shprehen herë pas here në reagimet e tyre artistë të njohur, që kanë dhënë kontributin në art për vite me radhë. Jo vetëm në teatër, por dhe në kinematografinë shqiptare kanë spikatur emra të njohur aktorësh, dhe rolet e tyre kanë mbetur në kujtesën e publikut. Aktori Sulejman Dibra ka nisur aktivitetin e tij, që pas viteve ’60 në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Fillimet e tij nisën në teatrin “Migjeni” në shtator të 1967 për të vijuar më pas me angazhimin e tij dhe me filmat shqiptarë. Në intervistën për “SOT” aktori tregon për problemet me të cilat përballen artistët e brezit të vjetër. Sipas tij ka munguar vlerësimi i duhur nga institucionet e shtetit prej vitesh dhe shumë prej tyre janë me pensione të pakta. Sipas tij edhe për zhvillimin e jetës artistike pak bëhet në vend. Për aktorin shteti duhet të investojë më shumë jo vetëm në teatër, por dhe në kinematografinë shqiptare. Nga spektatorët e Teatrit Kombëtar të para viteve ’90 ai njihet si “Arturio Ui” i Bertold Brehtit si dhe me role të tjera. Sa i takon kinematografisë nga teleshikuesit mbahet mend edhe për rolet Kasketa te “Operacion zjarri”, Bolla e zezë tek “Njësitet Guerile”, Cane te filmi “Prita”, gështenjapjekësi te “Qortimet e vjeshtës”, drejtori te filmi “Tinguj lufte”, gjenerali te filmi “Nëntori i dytë”, hetuesi te “Njerëz dhe fate”, etj. Për meritat e tij artistike, Sulejman Dibra është vlerësuar me titullin “Artist i merituar” dhe Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Gjatë karrierës së tij, artisti Sulejman Dibra ndërsa ka punuar në disa institucione, ka qenë dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve.

-Në kinematografinë shqiptare dhe në teatër keni dhënë kontributin tuaj ndër vite. Sa mendoni se jeni vlerësuar nga institucionet?

Nuk mendoj që jam vlerësuar sa duhet nga institucionet. Unë kam luajtur dhjetëra filma dhe nuk jam vlerësuar sa duhet. Aktorët e brezit tim sot janë me pensione të pakta. Shtatori i vitit 1967 ishte fillimi i punës sime si aktor profesionist në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, deri në vitin 1969. Gjatë kësaj periudhe interpretoja në drama e komedi, përmend këtu “Njerëz të ditëve tona”, “Skënderbeu”, “Lagjia e varfër”, etj. Në vitin 1969 vazhdoj punën në Teatrin Kombëtar si aktor profesionist, duke interpretuar role ku më të spikaturit janë: “Arturo Ui” në rolin e Arturos, Borofski te drama “Për ata që janë në dete”, Stefani te “Studentja e vitit të fundit”, e kështu me radhë duke numëruar rreth 50 vepra skenike. Në vitin 1970 ishte dhe momenti më i bukur në jetën time si aktor, sepse unë loza rolin e Arturo Ui. E kam interpretuar 70 herë, por ka qenë shumë i vështirë. Në kinematografi në përgjithësi unë kam lozur role karakteresh. Kam lozur më tepër role negative, por dhe pozitive. Roli më i tmerrshëm ka qenë Bolla e Zezë te filmi “Njësiti gueril”, por dhe roli i Kasketës që ka mbetur te filmi “Operacioni zjarri”.

-Në reagimet tuaja ju jeni shprehur herë pas here që mungon vëmendja e institucioneve ndaj artistëve, zhvillimit të jetës artistike. Për ty çfarë ka munguar?

Ministria e Kulturës mund të bënte më shumë për artistët. Por kjo ka munguar, jo vetëm tani por dhe më parë. Nuk ka qenë ajo vëmendje, që duhet ndaj artit dhe kulturës. Por problemi qëndron dhe se sa janë përgjigjur vetë artistët për aktivitetin artistik. Mua më vjen keq që dëgjoj sot artistët kur flasin për probleme, dhe që nuk janë pak. Në këtë kohë Ministria e Kulturës duket se po përballet shumë me reagimet e artistëve dhe kjo është e drejtë sepse shumë pak bëhet për artin. Mos harrojmë që në teatër në dimër kur ka shfaqje shumë ftohtë, kanë munguar investimet, nuk u mundua si duhet për teatrin prej vitesh. Duhet të dëgjohen hallet dhe problemet e artistëve, të angazhohesh për ti ndihmuar dhe jo vetëm të ketë fjalë. Në këto vite më thoni çfarë kanë bërë për artistët? Artistët nuk janë të vlerësuar sa duhet për aktivitetin e tyre, dhe kur them vlerësim nuk e kam vetëm anën financiare, pagat, por dhe kushtet e punës, infrastruktura që ndër vite ka qenë dhe vijon problem. Nuk është vetëm një Teatër Kombëtar, sepse kemi dhe të tjera institucione arti që duhet vëmendje. Unë s’e kam takuar ndonjëherë ministren e Kulturës, por e kam dëgjuar që flet për projekte, investime, megjithatë duhet të bëjë më shumë për aktorët. Unë kërkoj një teatër të ri kombëtar për artistët, sepse ajo godinë nuk vlen më. Ata aktorë që kanë mbetur kërkojnë teatër të ri dhe me vlera të veçanta. Ky teatër nuk po ka vlerat që duan artistët si ndërtesë për punën e tyre. Ajo u la prej vitesh pa investime dhe sot ka një gjendje të keqe.

-Shpërblimi për figurë artistike është një kërkesë prej vitesh e artistëve. Në teatër ka qenë më parë. Si mendoni?

Një tjetër problem, që duhet të zgjidhet. Edhe kjo hyn te vlerësimi i artistëve. Nuk e kanë shpërblimin artistik, por duhet të ekzistojë, duke u parë me kujdes puna dhe angazhimi i artistëve. Unë i kam dëgjuar në protesta ata dhe në lajmet që jepen, që ka dhe probleme me ligjin. Por të mos harrojmë që nëse artistëve iu krijon kushtet e punës, investon për jetën artistike dhe ndihmon, do të kemi dhe më shumë prodhimtari në art. Ne sot flasim, por unë pyes sa është bërë ndër vite për artin dhe kulturën në vend?

-Sa është bërë sipas jush?

Është bërë shumë pak nga qeveritë shqiptare.

-Ju keni qenë drejtues dhe në Cirkun Kombëtar. Më herët artistët kanë protestuar për të ruajtur statusin e tyre kombëtar. Çfarë mund të na thoni vlerësimin që duhet për cirkun?

Cirku shqiptar është pa dyshim një vlerë e artit tonë. Është detyrë e ministrisë që ta mbrojë dhe të investojë për ata artistë. Ajo çadër cirku nuk është më për artistët, e vjetruar, por sërish aty ata lozin. Por pse e bëjnë këtë? Aty është një drejtor i ri dhe me vlera të njohura, por nuk duhet harruar që cirku mbetet një institucion i vlerave të veçanta.

-Ju jeni shprehur që brezi i vjetër i aktorëve është harruar. Pse?

Brezi i vjetër i aktorëve sot nuk ka vëmendje. Them që është harruar, sepse nuk e kanë më atë vlerësim që kanë pasur. Aktorët sot me pensionet e pakta e kanë të vështirë. Aktorët sot janë elementi i fundit për t’u vlerësuar nga shteti. Sot të vlerësohet një aktor duket se është tepër e vështirë. Por për mua ata aktorë që i përkasin një brezi të vjetër mbeten të veçantë.

-Fillimet tuaja si aktor kanë nisur në teatrin e Shkodrës. Më pas keni ardhur në Tiranë, si e kujtoni jetën artistike me teatrot në rrethe?

Ishte e vështirë të jetoje në atë kohë, por jetonim. Ama dhe për teatrot ka pasur shumë më tepër gjallëri, aktivitet me shfaqjet. Artistët me shfaqjet qarkullonin në skena, por tani unë dëgjoj që jo vetëm buxhete janë pak, por dhe infrastruktura ka shumë probleme. Më vjen keq, teatri sot jeton, por me vështirësi. Më vjen mirë që do të kemi një teatër të ri kombëtar në Tiranë. Por kemi teatro në rrethe, që janë lënë në gjendje të keqe. Edhe pse janë nën varësi të bashkive duhet të ndërhyjë shteti. Janë institucionet e teatrit, dhe nuk duhet lënë pa mbështetje. Në rrethe janë kushte të vështira për punën e artistëve. Kjo sepse arti ka qenë gjithmonë tek të fundit për t’u mbështetur dhe vlerësuar nga shteti prej vitesh. Më thoni kush ka bërë sa duhet për artin dhe kulturën në vend? Nëse një aktor sot hyn në teatër për të punuar kjo është shumë e mirë, por unë pyes sa bën teatri për atë si artist? Në këtë aspekt është shumë e vështirë të jesh artist. Ndaj them, që aktorët janë të veçantë.

-Keni qenë drejtor dikur në estradën e Tiranës. Çfarë kujtoni ato vite?

Në vitin 1979 u emërova drejtor i Teatrit të Estradës së Tiranës dhe vijoja deri në 1989. Unë vazhdoj ta mendoj siç kam thënë dhe më parë, kam një keqardhje të madhe që u shkrinë estradat. Ishin artistët më të mirë në këto trupa artistike, sot nuk ka mbetur asgjë. Estradat humbën dhe ata artistë humori dikur mbetën më keq sa nuk bëhet. Teatri i estradës kishte vështirësitë e veta, por ama vlerësohej shumë nga publiku, me programacionin që ofronte estrada mbusheshin sallat plot. Kishte premiera të bukura, artistët që jepnin më të mirën e tyre.

-Në kinema roli juaj i parë ka qenë në filmin “Komisari i dritës” më 1966. Si ka qenë puna juaj me kinemanë ndër vite?

Punonim me pasion shumë. Kishim punën tonë dhe lodhjen. Kujtoj kohën kur ishte Kinostudio, bëheshin shumë më tepër filma artistikë se sa sot. Kinostudio kishte një pasuri të jashtëzakonshme të rekuizitës. Sot çfarë ka mbetur? Fare pak nga ajo pasuri për filmin. Kjo është e keqe. Në ato vite në rekuizitën e Kinostudios gjeje çfarë të doje dhe vlerësohej për çdo gjë. Sot nuk ka më. Sot janë të marrë fund. Nëse dikur bëheshin 14-15 filma në vit, sot nëse bëhet një film artistik brenda vitit është kryevepër, sepse ka shumë vështirësi. Ka pak buxhet për kinemanë shqiptare nga shteti. Pra si për teatrin dhe me kinemanë, çdo gjë varet nga politikat e shtetit se si ndihmon dhe promovohen veprat tona. Arti, teatri dhe kinemaja kërkon buxhete. Në ditët e sotme ka hyrë paraja në kinema dhe kjo e ka humbur vëmendjen për punën e aktorëve, por në kohën tonë ne nuk ishim kështu. Sot aktorët shikojnë edhe anën financiare për rolet. Është gjendja financiare me shumë probleme, që dhe i detyron për këtë.

-Skenari i filmit diskutohet shumë sot. Ju çfarë mendoni?

Kohët kanë ndryshuar shumë për kinematografinë tonë, por nuk besoj se kemi skenare filmi të dobët. Mbase duhet pak më tepër punë, por jo të themi skenarë të dobët. Ajo që është e vështirë sot është të gjesh një skenar shumë të mirë për filmin. Është shumë e vështirë për të gjetur skenare si të Ylljet Aliçkës. Por ato vite si për teatrin dhe kinemanë ka pasur autorë të mëdhenj. Ajo që është shqetësuese që dua ta përmend, si në teatër dhe në kinematografi duhet të punohet më tepër kur flasim për disiplinën artistike. Në teatër të kesh disiplinë artistike do të thotë të jesh zot aty. Sot jo ka humbur, por është zhdukur disiplina artistike. Teatri jo vetëm që kërkon një disiplinë artistike, por dhe një atmosferë të guximshme, sepse përndryshe çfarë i mbeti teatrit. Ju them, që teatri është i rrallë.

-Ju keni dalë në pension prej vitesh, por e keni vijuar jetën artistike me role të ndryshme. Një rol tani për ju si duhet të jetë?

Unë jam ndër aktorët më të vjetër të institucioneve shqiptare bashkë me Reshat Arbanën, Robert Ndrenikën dhe ndonjë tjetër. Unë pres role në kinema, por në teatër s’e besoj. Kjo sepse teatri është shumë i vështirë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here