Brenda nëntorit ngrihet KLP, Bujar Sheshi certifikohet nga ONM, Marku gati të thërrasë Këshillin e Prokurorisë

0
453

Rruga për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është zyrtarisht e hapur. Pak ditë më parë procesi i konstituimit të këtij organi doli nga ngërçi sepse prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi shprehu interesin për të qenë pjesë e KLP. Pas dorëzimit të aplikimit, Bujar Sheshi kaloi dje edhe fazën e dytë të kualifikimit për anëtar të organit të ri të drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme, së bashku me përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, e skanuan kandidaturën e Bujar Sheshit dhe arritën në përfundimin që ai mund të jetë anëtar i KLP. Sipas informacioneve të gazetës, problemi qëndronte tek fakti që prokurori vinte nga radhët e Apelit të Krimeve të Rënda dhe jo nga Apeli i Tiranës, siç parashikohet në ligj. Por pas konsultimeve, ata kanë vendosur të pranojnë kandidaturën e Bujar Sheshit, ndërsa duhet theksuar se ai ka marrë edhe pëlqimin e ONM. Tashmë rekomandimi pozitiv është në tryezën e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, së bashku me verifikimet e kryera. Në dokument thuhet se Sheshi ka ushtruar funksionin e prokurorit prej 23 vjetësh, ndërsa në kohën e kandidimit për KLP nuk ushtron funksionin e drejtuesit. Po ashtu, nga verifikimi i dosjes personale ka rezultuar që Bujar Sheshi ka marrë vlerësimin “shumë mirë” etikën dhe veprimtarinë profesionale, si edhe nuk ka asnjë masë disiplinore gjatë gjithë karrierës së tij. Për figurën e prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda është kërkuar konfirmimi dhe në Autoritetin për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit. Në dosje është shtuar dhe vendimi i KPK për konfirmimin në detyrë dhe të gjitha këto dokumente të bëra bashkë kanë bërë që ndërkombëtarët dhe Prokuroria e Përgjithshme të japin “OK” për kandidaturën e Bujar Sheshit.

Mbledhja e Këshillit të Prokurorisë

Tanimë nuk ka asnjë pengesë që Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku të mbledhë prokurorët e të gjitha niveleve për të zgjedhur gjashtë anëtarët e mbetur për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas ligjit, KLP përbëhet nga 11 anëtarë në total, 5 prej të cilëve janë zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa gjashtë të tjerët pritet të zgjidhen brenda këtyre ditëve nga Arta Marku. Sipas burimeve të gazetës, kryeprokurorja pritet të thërrasë Këshillin e Prokurorisë brenda nëntorit, me qëllim që ngritja e KLP të jetë diçka reale. Pra, me shumë gjasë ky organ do të jetë gati gjatë këtij muaji, duke i hapur rrugë pastaj edhe ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në ligj thuhet qartë se SPAK ngrihet dy muaj pas ngritjes së KLP, çka do të thotë se në muajin janar pritet që edhe kjo strukturë të jetë gati për të filluar më pas goditjet antikorrupsion në nivele të larta. Kujtojmë që deri tani ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë po haste në probleme sepse mungonte një kandidat nga Prokuroria e Apelit të Tiranës. I vetmi aplikant nga kjo prokurori ishte Luan Kaloçi, por ai u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Kjo e detyroi Arta Markun që të rihapë dy herë garën për KLP dhe në limitet e përfundimit të afatit të garës së dytë, aplikoi Bujar Sheshi. Aplikimi i tij zgjidhi një herë e mirë ngërçin për konstituimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë edhe për vetë faktin se emri i tij ishte përballur tashmë me vetingun, duke u rikonfirmuar në detyrë.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here