Filmi “Dritë” kushtuar Gjon Milit shfaqet në TIFF

0
493

Filmi dokumentar “Light” (Dritë), i realizuar nga regjisoret Yllka Gjollesha dhe Suela Bako u shfaq në TIFF 2018. Dy artistet, që iu përkasin fushave të ndryshme të artit janë bashkuar për regjinë e një filmi dedikuar mjeshtërit të fotografisë botërore me origjinë shqiptare Gjon Milit. Regjisoret Gjollesha dhe Bako më herët janë shprehur se ekipi realizues ka punuar më shumë se dy vjet. Ekipi realizues ka kërkuar gjurmët e mjeshtrit të madh në Nju Jork, Boston, ku ka takuar miq të Milit, ish bashkëpunëtorë dhe nxënës të tij të cilët kanë sjellë vlerësime dhe gjurmë jete.

Filmi “Dritë” me regjisore Yllka Gjollesha e Suela Bako si dhe drejtor artistik  Leander Ljarja u përzgjodh si një nga filmat konkurrues në NYC Independent Film Festival, në Nju Jork. Regjisorja Yllka Gjollesha më herët ka pohuar se janë takuar me njerëz të famshëm dhe bashkëkohës të tij, të cilët kishin ndarë eksperiencat e tyre me fotografin shqiptar. Eliott Erwitt, një tjetër fotograf i LiFE magazine, kishte shumë për të treguar për Milin. Edhe pse në moshë të thyer, entuziazmi i tij ishte si i një të riu kur kujtonte mësimet e marra prej tij dhe kërcimin e valleve shqiptare në festat e Amerikës së viteve ’60. Gjon Mili nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri, më 1946 ju refuzua viza e kërkuar pranë Ambasadës Shqiptare në Paris, por në të njëjtin vit, ai fotografoi udhëheqësin komunist, Enver Hoxha në Konferencën e Paqes, duke mbajtur fjalimin e tij. Çdo foto e tij është një dokumentar më vete. Nuk të mjafton asnjë minutazh i përcaktuar për të eksploruar botën e tij nëpërmjet fotografisë që ai na ka lënë. Në këtë film sillen me fakte tashmë nga një tjetër vend i rëndësishëm për të, siç ishte Franca.

“Në këtë dokumentar drita, ashtu sikurse përfaqëson edhe titullin “Dritë” do të jetë shoqëruese përgjatë gjithë kohës. Drita si një element jo vetëm për të zbërthyer teknikën e tij në realizim, por edhe faktin se si Mili përpiqej të zbërthente personazhet e tij duke u dhënë atyre një imazh krejt tjetër nga fotografë të tjerë, duke u dhënë dritë në atë pjesë që është më njerëzorja. Ai dinte të zgjidhte momentin e duhur. Ndihem me fat që po punova për figurën e Gjon Milit dhe mendoj se më shumë sesa një femër nuk mund ta zbërthente askush. Vetëm një femër mund ta kuptojë delikatesën e tij. Duket qartë që edhe frymëzimi për të ka qenë femra”, ka pohuar më parë regjisorja Yllka Gjollesha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here