KPA do të regjistrojë seancat dëgjimore edhe me video, do të krijohet arkivi elektronik dhe materialet do të shpërndahen për mediat

0
516

Seancat dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit do të jenë të regjistruara jo vetëm me audio, por edhe me video. Një gjë e tillë do të bëhet me qëllim plotësimin e kushteve për funksionimin dhe mbarëvajtjen e seancave gjyqësore, ndërsa organi kolegjial ka hapur një tender për këtë. Sipas një njoftimi në faqen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, tenderi është hapur për pajisjen e sallave të gjyqit edhe me një sistem video-regjistrimi, i cili do t’i bashkëlidhet sistemit ekzistues të regjistrimit audio. “Instalimi i këtij sistemi do të plotësojë kushtet teknike, jo vetëm për mediat që ndjekin seancat pranë Kolegjit, por do të mundësojë edhe krijimin e një arkivi elektronike seancash gjyqësore, audio–video në institucion”, thuhet në specifikimet e tenderit. Instalimi i sistemit të videoregjistrimit, përveç krijimit të një arkivi elektronike me seancat gjyqësore, do të mundësojë edhe dhënien e materialeve audio dhe video për mediat të cilat nuk do të mund të jenë të pranishme në seancë.

“Duke marrë parasysh se salla ku zhvillohen seancat gjyqësore ka hapësirë të kufizuar, në seanca të caktuara, ku ka interes të madh publik, është e pamundur që të gjitha mediat e interesuara të akomodohen në sallë. Pra, është e domosdoshme që institucioni t’ua ofrojë mediave planet audio – video, jo vetëm me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme gjatë punës së tyre (referoju “Rregullores së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për marrëdhëniet me median”, neni 1.pika 1.), por edhe në funksion të informimit publik dhe parimeve të transparencës”, vijon më tej dokumenti i tenderit të hapur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Projekti synon që në ambientin e sallës së gjyqit të shtohet shërbimi i mbikëqyrjes vizuale nëpërmjet blerjes së 2 (dy) kamerave të vëzhgimit SDI, pajisjes/pajisjeve video regjistruese SDI dhe pajisjes së ruajtjes së regjistrimeve video dhe audio (Storage NAS). Afati kohor për dorëzimin e ofertave për pjesëmarrje në tender do të jetë deri në datën 16 nëntor, ora 10:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here