Kumbaro: Në 2019 prioritet investimi, krijojmë qendër të re për librin

0
447

Buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2019  është në vlerën 2 miliardë e 165 milionë e 867 mijë lekë. Në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se buxheti ka rritje me vitin e kaluar. “Buxheti total për vitin 2019 i parashikuar është në vlerë 2 miliardë e 165 milionë e 867 mijë lekë, krahasuar me vitin 2018 kemi një rritje prej 0,8 përqind. Shpenzimet korrente janë rritur në masën 12 përqind, ndërsa shpenzimet nga të ardhurat kanë një rritje prej 17 përqind. Projekt buxheti i vitit 2019 krahasuar me atë të 2018 ka një rritje prej 156 milionë lekë nga të cilat 55 milionë lekë janë investime dhe në korrente janë 101 milionë lekë”, tha Kumbaro. Në fjalën e saj Kumbaro u shpreh se në mandatin e parë u arrit të nxirrej kultura nga gjendja e emergjencës, duke e kthyer në prioritet dhe motorr zhvillimi. Sipas ministres, gjatë viteve 2013-2018 u synua dhe u arrit të konsolidohej dhe përmirësohej struktura muzeale, të hapeshin katër objekte të reja me karakter muzeal.

“Këtë vit prioritet investimi dhe përfundimi i fazës së dytë dhe të tretë të kantierit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ky është investimi më madhor që është kryer në këto 5 vite në fushën e artit dhe kulturës. Në fakt është investimi më i madh në fushën e artit dhe kulturës në këto 30 vite”, u shpreh Kumbaro. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për 2019 Kumbaro tha se do të krijohet dhe një institucion i ri kombëtar për librin. “Ne parashikojmë që për vitin 2019 të krijojmë një institucion të ri kombëtar për t’i dhënë përparësi politikave në fushën e librit dhe edukimit. Do krijojmë qendrën kombëtare të librit dhe leximit, e cila do jetë një agjenci në nivel kombëtar për të ekzekutuar në territor të gjitha politikat dhe programet e Ministrisë së Kulturës, të cilat ne i kemi ngritur dhe tashmë kanë hyrë në vitin e tyre të katërt të zbatimit. Kjo qendër kryesisht do merret me programe edukimi, me promovimin e letrave shqipe, me nxitjen e leximit si një mjet të domosdoshëm për edukimin dhe emancipimin e shoqërisë por edhe për të zënë kohën e lirë të rinjve që ta shpenzojnë në mënyrë produktive”, nënvizoi ministrja Kumbaro. Milva Ekonomi në fund u shpreh se Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, mbështeti projekt buxhetin 2019 e prezantuar nga ministrja Kumbaro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here