Qeveria “zhduk” pikat e skrapit në rrugë dhe zona të mbrojtura, kushte të reja për vendgrumbullimin, depozitimin e përpunimin e mbetjeve metalike

0
510

Ndotja e lartë ka detyruar qeverinë të vendosë rregulla të reja për pikat e grumbullimit të skrapit. Sipas një VKM, i cili ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, tashmë të gjithë operatorët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend për grumbullimin, trajtimin apo riciklimin e mbetjeve të metaleve, do të duhet të zbatojnë një sërë rregullash të reja në këtë aktivitet me qëllim parandalimin, minimizimin e ndotjes së tokës, minimizimin e ndotjes së ajrit si dhe minimizimin e ndikimit të vlerave kulturore dhe estetike në peizazhin natyror, duke kontribuar në këtë mënyrë në mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e kërkesave mjedisore për pranimin nga operatorët të mbetjeve të metaleve, vendet e grumbullimit, të depozitimit, të trajtimit të mbetjeve të metaleve dhe aktivitetet që lidhen me grumbullimin, depozitimin dhe trajtimin e tyre, të cilat çojnë në një minimizim të vazhdueshëm dhe parandalim të efekteve negative në mjedis.

Ku duhen ndërtuar pikat e skrapit

Për vendet e grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve, vendimi i fundit i qeverisë përcakton se operatori, i cili do t’u nënshtrohet procedurave të pajisjes me leje, licenca, autorizime apo miratime për ndërtimin e tyre, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të përmbushë disa kërkesa. Për sa i takon vendndodhjes së vendeve të grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve, duhet, ato duhet të ndërtohen jo më pak se 500 m larg nga të gjitha kategoritë e zonave të mbrojtura dhe zonat e rekreacionit bashkiak, si dhe jo më pak se 500 m larg nga zonat me rëndësi për biodiversitetin, të miratuara nga autoritetet përkatëse. Operatorët e vendosur në afërsi të rrugëve interurbane duhet të marrin masa për rregullimin e peizazhit pamor, duke bërë rrethime të larta dhe duke mbjellë pemë deri në nivelin e mbulimit të plotë të pamjes nga rruga të mbetjeve të metaleve. Operatori, në varësi të veprimtarisë dhe të kushteve të lejes mjedisore specifike, që ai zotëron, për vendet ku do të zhvillohet veprimtaria e grumbullimit dhe e depozitimit e trajtimit të mbetjeve të metaleve, duhet të plotësojë këto kërkesa: Të ketë një sipërfaqe të qëndrueshme, të papërshkrueshme nga uji, lëngjet, substancat ndotëse; Të ketë impiant për trajtimin e ujërave të ndotura; Të ketë hapësira të përshtatshme për ndarjen dhe depozitimin e diferencuar të materialeve të ardhura në vendin e grumbullimit; ç) Të jetë i pajisur me një sistem të mbrojtjes nga zjarri; Sipërfaqja e veprimtarisë të jetë e rrethuar me mur, me qëllim shmangien e hyrjes në vend të personave të paautorizuar, si dhe për të parandaluar rrjedhat e ujërave sipërfaqësore brenda territorit të impiantit.

Penalizimet

Të gjithë operatorët ekonomikë, që zotërojnë një instalim ekzistues për grumbullimin, depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve të metaleve, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të marrin të gjitha masat teknike, ligjore, rregullatore për të qenë në përputhje me kërkesat e këtij vendimi. Pas kalimit të afatit të përcaktuar në çdo rast, kur nga strukturat e kontrollit, të monitorimit dhe inspektimit konstatohet mospërmbushja e këtyre kërkesave të këtij vendimi, sipas shkallës së shkeljes, ndërmerren masat ligjore dhe administrative për ndërprerjen, pezullimin, mbylljen apo sekuestrimin e instalimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here