TOB sjell baletin “Zhizel”, në nder të 85 vjetorit të lindjes së koreografit Agron Aliaj

0
10

Teatri i Operës dhe Baletit sjell në skenë baletin “Zhizel”. Rivënie historike në nder të 85- vjetorit të lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliaj. Balet me dy akte nga Adolphe Adam, TOB bën me dije se në këtë rivënie historike është ruajtur e pandryshuar struktura e koreografisë e realizuar nga origjinali dhe punuar nga mjeshtri Agron Aliaj, por është një produksion komplet i ri. “Janë prodhuar nga fillimi të gjitha kostumet, realizuar me mjeshtri nga kostumografi Ardi Asllani. Gjithashtu edhe skenografia është realizuar e re, por pa ndryshuar konceptin e veprës të realizuar nga mjeshtri Aliaj”, njofton teatri. Baleti do të jetë për publikun mbrëmjet e datave 9, 10 dhe 11 nëntor te “arTrubina”. Libreti është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Baleti është vënë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor 1841. Por “Zhizel” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi Agron Aliaj në dhjetor të vitit 1988. Solistja e njohur Ledia Sulaj tregon se në këtë vepër lëvizjet janë romantike dhe me shumë elegancë. “Baleti “Zhizel” vjen si origjinali, që ka vendosur maestro Agron Aliaj, dhe në skenë është për 85- vjetorin e lindjes së tij. Balet me skenografi të re, duke u bazuar tek origjinali dhe kostumografi të re nga Ardi Asllani. Lëvizjet janë romantike dhe me shumë elegancë. Është çdo gjë klasike, dhe është balet repertori, ku mund të shihet tek ne dhe me të njëjtën strukturë dhe libret e sheh dhe në të gjithë vendet e botës”, tregon solistja Ledia Sulaj, që në skenë do të jetë Zhizel. Në shfaqjen e këtij viti baletmaestër është Enada Hoxha, koreopetitore Alisa Gjoni, skenograf Renold Sula, kostumograf Ardi Asllani dhe koncertmaestër Enina Llozi. Solistë janë Zhizel: Adela Muçollari, Ledia Sulaj; Albert: Fatjon Lito, Anxhelo Muçollari; Hans: Dion; Gjinika; Fshatare (Pas de deux): Odeta Dishnica e Renato Lleshi, Jonida Qafmolla dhe Armando Meçi; Mirta: Rovena Shqevi, Elda Logo; Viliza: Erisa Gina e Odeta Dishnica, Elona Beqiraj dhe Jonida Qafmolla; nëna e Zhizelit: Matilda Reka; princesha: Alisa Gjoni; duka: Kujtim Hoxha.

Baleti “Zhizel”, në skenë

Libreti i baletit “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Baleti “Zhizel”, i cili është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1988 kishte në rolet kryesore Mukadez Erebara, Albana Suljemani, Ludmill Cakalli, Ilir Kerni, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi etj. Rivënia e dytë e tij ishte në vitin 1998 po me koreograf Agron Aliaj, skenografia Shaban Hysa dhe në rolet kryesore ishin Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani, etj. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertore, mjeshtri Agron Aliaj është autori i baleteve kombëtare, si: “Cuca e maleve” (1970), “Tokë e pamposhtur” (1977), “Para stuhisë” (1982), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria” (1966), si dhe baletet klasike mes tyre “Don Kishoti” (1990), “Romeo dhe Zhulieta” (1996), “Hirushja” (2002), “Katedralja e Parisit” (2003), “Liqeni i Mjelmave” etj.

Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj