Impianti fotovoltaik i Akërnisë, shpallet kompania fituese, investim privat 70 milion euro

0
464

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton përfundimin me sukses të procedurës të hapur konkuruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Zonën e Akërnisë (Vlorë). Impianti parashikon një kapacitet gjenerues të instaluar 50 MW si pjesë e masave mbështetëse dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë prej 50 MW (100 MW në total), të cilat do të jenë lirisht të tregtueshme në tregun e energjisë.

Procedura konkuruese u zhvillua në përputhje të plotë me Vendimin nr. 349, datë 12.06.2018 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e masave mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës, si dhe të procedurave për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre”, nëpërmjet një gare të hapur ndërkombëtare, të shpallur në 6 Gusht 2018, nga e cila në datën 17.09.2018, u paraqitën zyrtarisht gjashtë oferta.

Në fazën finale të vlerësimit, u kualifikuan 3 ofertues, ku sipas procesit të vlerësimit, oferta që u vlerësua me më shumë pikë si kombinim i besueshmërisë teknike, financiare, eksperiencës së ngjashme, cmimit dhe kapaciteteve shtesë të instaluara, ishte oferta e paraqitur nga bashkimi i shoqërive India Power Corporation ltd e rregjistruar në Indi, Mininig Resources FZE, e rregjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Midami Limited, e rregjistruar në Hong Kong.

Theksojmë se kompania lider e konsorciumit India Power Coporation LTd, është një nga kompanitë më të mëdha energjitike të Indisë, me eksperiencë 100 vjeçare, me kapacitete të instaluara prej 1500 MW, që përfshin kapacitetet të prodhimit të energjise termike, erës dhe energji diellore dhe e zotëruar nga Grupi Kanoria Foundation, një konglomerat ekonomik indian me një portofol asetesh prej 15 Miliardë USD, duke krijuar besueshmërine e nevojshme për përmbushjen e këtij projekti.

Projekti do ketë vlerën prej rreth 70 milion Euro dhe do të krijojë mundësi të shumta punësimi. Ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm në diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri dhe do të hapë gjithashtu rrugën për krijimin e Shqipërisë si një qendër të energjisë diellore në rajon.

Oferta e shpallur fituese, siguron nje cmim energjie për 50 MW me një vlerë prej 59.9 Euro/MW për 15 vite dhe një kapacitet shtesë prej 50 MW (100 MW në total) pa mbështetje për blerje energjie. Afati i zbatimit të investimit është 18 muaj.

Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson si sukses rezultatet e këtij ankandi pasi ka arritur të sigurojë një nga cmimet më të ulëta në rajon për këtë lloj teknologjie, (Greqia 63 Euro/MW dhe Turqia 62 Euro/MW), më e ulët se cmimet mesatare të importit në vendin tonë, dhe një kapacitet shtesë në 50 MW, duke e bërë këtë ofertë shumë të leverdishme për tregun energjitik në vend. Kjo konfirmon edhe njeherë besimin në zhvllimin e tregut energjetik shqiptar dhe klimën e investimeve në vend.

Ministria do të fillojë menjëherë negocimin e kontratës me qëllim zbatimin sa më parë të projektit të Akërnisë. Rezultatet e këtij procesi na inkurajojnë për zhvillimin e kapaciteteve shtesë në prodhimin e energjisë diellore duke zhvilluar ankande të ngajshme në një të ardhme të afërt, në zona të tjera të Shqipërisë që ofrojnë poteciale të mira për prodhimin e energjisë diellore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here