Botuesit kundër pr/ligjit për librin: Nuk u pyetëm gjatë hartimit të tij, nuk do të japim libra falas për bibliotekat

    0
    400

    Projektligj për librin është i paqartë për botues të ndryshëm. Në reagimet e tyre ata shprehen se jo vetëm që nuk kanë qenë gjatë konsultimeve që janë bërë për hartimin e tij, por e shikojnë me shumë paqartësi. Në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Kulturës parashikohet dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me prioritet dhe në fjalët e ministres Kumbaro, për botuesit nuk bëhet e qartë se si do të funksionojë. Botuesi Xhevair Lleshi shprehet se Ministria e Kulturës vijon ta konsiderojë veten si e gjithë ditur, por problemet me librin i dinë botuesit. “Unë nuk kam qenë në dijeni të projektligjit, tani që u publikua drafti e morëm vesh. Ministria e Kulturës e konsideron veten të gjithë ditur, sikur i di të gjitha, por ne jemi botues, ne merremi me librin, hallet i dimë ne jo ministria”, pohon botuesi Lleshi. Në reagimin e tij botuesi Xhevair Lleshi shton se për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit problem mbetet ana përmbajtësore. “Unë për QKLL kam problem anën përmbajtësore, sepse në projektligj duhet të bëhet e qartë. Çdo qendër mund të punojë me projektligj apo me ligj, por mund të punojë dhe me rregullore të brendshme. Nëse kjo është pjesë e rregullores së brendshme duhet të bëhet e ditur. Rregullorja e brendshme mund të tregojë se si duhet të veprohet me librin. Pra projektligji vetë nuk është i qartë deri sa nuk ka përmbajtjen, përse do jetë kjo gjë. Duhet të ishin përcaktuar disa pika konkrete se me çfarë do të merret qendra. Si do përkrahen autorët shqiptarë, si do mbrohet gjuha shqipe, si do jetë përkujdesja për librin, kush janë fondet që jep qendra. Por nuk flet asgjëkund, dhe kjo është përmbajtja”, pohon botuesi i njohur Xhevair Lleshi. Në projektligjin që ka publikuar Ministria e Kulturës, neni 6 parashikon që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, krijohet dhe funksionon si person juridik publik, buxhetor, me statusin e institucionit qendror, në varësi të Ministrisë përgjegjëse për librin. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, do të përcaktohet me vendim të Këshilli të Ministrave.

    Dorëzimi i librave

    Një pikë tjetër që kundërshtohet nga botuesit është dhe dorëzimi në Bibliotekën Kombëtare nga 3 kopje për çdo botim. Botuesi Xhevair Lleshi shprehet se nuk duhet të ketë dhurim librash me detyrim. “Asnjë libër nuk duhet të dorëzojmë për bibliotekat. Ne i kemi çuar se na e detyron ligji, nuk na jep ISBN. Biblioteka Kombëtare le të blejë sa të dojë, të blejë atë që i duket e rëndësishme. Si vendoset në ligj dhe jo pa shpërblim? Nuk është e rregullt, përse kërkohet falje dhe dhuratë libri kur ministria lekët për të blerë librat i siguron me ligj, dhe këto vlejnë për të gjitha bibliotekat e bashkive. Jo të blihen fshesa dhe kompjutera, por libra. Nuk duhet të çojmë ne asnjë kopje libri në Bibliotekën Kombëtare. Duhet të marri vetë biblioteka 10 -20 kopje që ti shërbejë njerëzve, kujt i vlen tre? Tre libra i merr për ti mbyllur jo për t’ia dhënë lexuesit. Bëje ti si ministri ligjin si duhet. Edhe bibliotekat që janë në varësi të bashkive duhet ti blejnë dhe jo vetëm dhurime”, pohon botuesi Lleshi. Një tjetër botues, Frano Kulli gjithashtu shprehet se ka munguar një tryezë konsultimi në hartimin e projektligjit. “Unë nuk jam njohur me projektligjin për librin. Nuk di të kem qenë në ndonjë  takim, tani ministria thotë konsultim”, pohon Kulli. Sipas tij dhe dorëzimi i kopjeve të botimeve në biblioteka nuk është i drejtë. “Ka qenë 5 kopje me detyrim më parë, ne e kundërshtuam, por unë se kuptoj pse duhet ti çojmë pa para librat në biblioteka. Kjo nuk është e drejtë. Tjetër gjë çfarë dhurojmë ne me dëshirë, pse duhet ta sanksionojë me ligj”, pohon botuesi Frano Kulli.  Sipas projektligjit të gjithë botuesit, entet botuese dhe mjetet e informimit publik, shtetërore ose private, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të dorëzojnë, pa shpërblim, në  Bibliotekën Kombëtare, nga 3 (tri) kopje për çdo botim. Për tekstet shkollore ata detyrohen të dorëzojnë 3(tri) kopje për çdo botim të parë, dhe 2 (dy) për ribotimin, duke paguar edhe tarifën e shërbimit postar, kur është i nevojshëm”. Po ashtu të gjithë botuesit, entet botuese dhe mjetet e informimit publik, shtetërore ose private, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të dorëzojnë, pa shpërblim në bibliotekat publike pranë njësive vendore, ku ushtrojnë veprimtarinë, 2 (dy) kopje për çdo botim, duke paguar edhe tarifën e shërbimit postar, kur është i nevojshëm.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here