Mbyllen diskutimet mes Shqipërisë dhe BE për procesin “screening” për Kapitullin 24, në fokus drejtësia e siguria

0
622

Shqipëria dhe Bashkimi Europian kanë mbyllur diskutimet sa i takon procesit “screening” për Kapitullin 24. Për këtë çështje, zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko u shpreh se në Bruksel u bë prezantimi i parë zyrtar i gjithë legjislacionit të BE-së për Kapitullin 24 “Liria, Drejtësia, Siguria”. Ky takim, tha ajo, konsistoi në prezantimin të detajuar të të gjithë “acquis” së BE-së për të gjitha fushat që mbulon ky kapitull.

“Duke marrë parasysh se në disa vende fqinje, të cilat janë aktualisht duke negociuar, periudha nga “screening” në çeljen e negociatave ka qenë relativisht e gjatë (pothuajse dy vjet), si dhe duke marrë në konsideratë që takimi zhvillohet pothuajse 7 muaj para çeljes së mundshme të negociatave për anëtarësim, ky takim për palën shqiptare pati rëndësi si nga pikëpamja politike dhe strategjike, por edhe teknike, pasi procesi do të vijojë me një punë të mëtejshme në drejtim të analizës së legjislacionit shqiptar në raport me atë të BE-së duke na vënë në avantazh”, tha Kuko. Ekspertët e Komisionit Europian, sipas saj, shpjeguan elementet kryesorë të Direktivave të “acquis”, sipas nënfushave kryesore të këtij kapitulli në drejtim të: bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale dhe civile; migracionit, azilit, kufijve të jashtëm dhe Kodit Schengen; politikës së vizave; luftën kundër krimit të organizuar përfshirë trafikimin e armëve, qenieve njerëzore, konfiskimi i aseteve, bashkëpunimin me Europol, Cepol, etj., luftën kundër drogës, luftën kundër terrorizmit.

“Baza dhe aktet ligjore të Kapitullit 24, që përfshijnë: konventa, vendime të Komisionit dhe të Këshillit, direktiva, marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe, rezoluta, rregullore, protokolle, propozime legjislative dhe zbatuese, raporte të komisionit, plane të veprimit, etj., përllogaritet në një total prej 400 aktesh”, tha Kuko. Sipas saj, nga ky takim shpjegues treditor, është marrë angazhimi për fillimin e menjëhershëm të një procesi intensiv pune, për një analizë të detajuar të legjislacionit shqiptar në raport me atë të BE-së, i cili do të fokusohet sipas fushave të “acquis” për Kapitullin 24. Referuar kalendarit të përcaktuar nga Komisioni Europian, pasi procesi i mësipërm të jetë konkretizuar me ngritjen e grupeve të punës dhe administrimit të konkluzioneve paraprake të tyre mbi raportin e legjislacionit të brendshëm me “acquis”, sipas fushave përkatëse (gap analyses), Kuko tha se takimi i radhës do jetë në formatin bilateral, brenda tre muajve të ardhshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here