Ali Aliu: Përzgjedhja e vlerave në letërsi, në një gjendje kaotike

0
589

Autorët dhe krijimtaria letrare duhet të ketë më tepër vëmendje nga institucionet. Janë politikat e librit ato që ndikojnë në zhvillimin e krijimtarisë, por duket që në Shqipëri problemet vijojnë. Edhe Panairi i Librit që përfundoi në Tiranë riktheu vëmendjen te problemet me autorët shqiptarë dhe librin. Akademiku i njohur Ali Aliu shprehet se panairi duhet konsideruar si një festë e librit edhe pse ka probleme kur flasim për vlerat e krijimtarisë. Në intervistën për “SOT” akademiku Ali Aliu shprehet se mes Kosovës dhe Shqipërisë vijon mosnjohja e autorëve, kjo duket dhe në konferencat e që zhvillohen për letërsinë. Problem sipas tij janë dhe çmimet letrare, që janë degraduar. Për akademikun Ali Aliu edhe bashkëpunimi mes dy Akademive të Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka qenë i duhuri në projekte të ndryshme. Duke folur për letërsinë akademiku i njohur shprehet se ka një gjendje kaotike kur flitet për përzgjedhjen e vlerave në letërsi, sepse mungon kritika.

-Edhe këtë vit nuk munguat në Panairin e Librit në Tiranë. Ishte edicioni i 21, për ju sa rëndësi ka panairi?

Për mua panairi është një festë e librit. Dhe njëkohësisht i rikujton edhe njëherë mungesat dhe vështirësitë tona, natyrisht edhe arritjet dhe botimet e autorëve të rëndësishëm. Por ajo që ne e konstatojmë gati për çdo panair vazhdimisht është që në fushën e krijimtarisë, të kulturës, por kjo vlen dhe për në arsim, nuk janë krijuar komunikime krejtësisht normale dhe të hapura. Kishim një konferencë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte proza romanore shqiptare në njëzet vitet e fundit. Ishte e përgatitur mirë nga ana e Akademisë dhe gjysma e referuesve ishin nga Shqipëria, kishte nga Maqedonia dhe të Kosovës. Ajo që ra në sy pa përjashtim 6-7 referues që ishin nga Shqipëria kryesisht flisnin për një autor dhe vepër nga Shqipëria. 6-7 nga Kosova bënin një bilanc, një përshtypje për romanin në përgjithësi. Unë kisha një kumtesë, poetika e ironisë në romanet tona. Në fillim m’u duk që të jetë temë e lehtë, më doli me pritshmëri më të shumta edhe e përgatita në një kohë të gjatë. Mua m’u desh që të përmend të paktën ja 10 autorë në Shqipëri dhe Kosovë bashkërisht për këtë poetikë romanore. Të gjithë këta të Shqipërisë kishin ardhur me një roman, kujtoj një nga Shkodra, tjetri me një roman tjetër. Pra ne na çalon një mbyllje e tillë në vetvete edhe si autorë. Kam përshtypjen se autorët lexojnë shumë pak, se nuk njohin shumë. Kjo është ajo që mungon dhe njeriu nuk ka një vizion, nuk ka një ide një çelës të mundshëm se si mund të tejkalohet. Por këto duhet ti zgjidhim në mënyrë institucionale, të mos ketë ende pengesa, pasi çdo vit përsëritet kur vijën botuesit nga Kosova në Tiranë kanë probleme me doganën dhe e kundërta. Gjithnjë po diskutohet të hiqen doganat, por nuk hiqen.

-Sa rëndësi ka bashkëpunimi mes dy akademive dhe sa është bërë deri tani?

Ne në Kosovë përfunduam një projekt të rëndësishëm që ishte fjalori enciklopedik i Kosovës. Në plane afatgjatë kishim që para dhjetë vitesh, që me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë të bëhej enciklopedia kombëtare shqiptare. Nuk na eci, disa vite e shtynim projektin, kontakte dhe biseda. Nuk na ecte më shumë si plogështi e ASH. Edhe atëherë vendosëm që të paktën ta bëjmë fjalorin enciklopedik njësoj si të Shqipërisë. Shqipëria e ka bërë gjoja si të hapur fjalorin enciklopedik shqiptar, dhe prej 8 mijë zërave 700-800 janë zëra të Kosovës. Por megjithatë është fjalor enciklopedik i hapësirës së shtetit të Shqipërisë. Ne e bëmë fjalorin në Kosovë, që është pak më i vogël në zëra se fjalori i Akademisë së Shqipërisë. Kishte mandej zëra, që si Shqipëria bëri një fjalor enciklopedik gjithëkombëtar, Kosova bëri një fjalor përjashtues por që nuk është. Ne nuk na ecën. Momentalisht Akademia e Shqipërisë, nuk është edhe e arteve dhe e albanologjisë. Akademitë e tjera ekzistojnë më shumë për shkencat kombëtare, për shkencat filologjike kombëtare të gjuhës, ndërsa në Shqipëri kohët e fundit ka pranuar profile të kësaj natyre si Floresha Dado, por nuk e kanë Akademi të Shkencave dhe të Arteve. Momentalisht kanë dhe një fatkeqësi tjetër, janë gati një vit pa kryesi. Kryetari dhe nënkryetari bënë një gabim, i kaloi mandati njërit dhe ndërruan vendet, dhe besoj me të drejtë ndërhynë. Unë jam dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe në fillim u bë një komision që të komunikojë me instancat shtetërore të zgjidheshin problemet, por nuk u bë asgjë. Kishte mosmarrëveshje në vetë anëtarët e Akademisë së Shkencave brenda dhe ajo gjendja po vazhdon. Funksion tani me sekretarin shkencor, ja këto janë vështirësitë e komunikimit mes nesh.

-Si studiues i letërsisë, çfarë ju shqetëson në krijimtarinë letrare?

Unë jam lexues i letërsisë, dhe jam në një moshë të atillë që tashmë intensitetin dhe mundësitë për të lexuar si dikur më janë kufizuar, dhe e kam rrudhur numrin e shkrimtarëve që i ndjek. Unë me ata që merrem jam që nga fillimi, dhe i ndjek vazhdimisht. Në fillim ka qenë një rreth më i gjerë autorësh, dhe si kam ndërruar që nga fillimi Luan Starovën apo Kim Mehmetin, kam ndjekur në Prishtinë me dhjetëra autorë që nga fillimet por dhe autorë në Shqipëri. Unë e kam kufizuar tashmë këtë, por më interesojnë dhe risitë se çfarë ka letërsia. Ne vjet organizuam një konferencë “Prurjet e reja në letërsinë shqipe” dhe ishte shumë interesante. Kur bisedon me disa shkrimtarë të brezit më të moshuar, brezit tim apo dhe më pas, shpesh thonë nuk ka gjë. Por nuk është e mundur që s’ka gjë. Tani ka një vështirësi që botohet shumë, dhe kemi një mani të botimeve. Secili që ka mundësi të botojë, boton libër. Nuk është e dëmshme sikur ne të kishim një sistem vlerësimi normal, një lexim normal të atyre që merren me letërsinë, të kritikës, mediave, që t’ia lehtësojnë përzgjedhjet lexuesit. Mungon një mekanizëm i tillë dhe për këtë nuk lodhet kërkush. Mendimet janë të hapura dhe secili mund të shpallet poet i madh, autor i madh, vepra e tij e madhe, bestseller lexojeni, promovime të panumërta. Shikoj dhe në panaire libri, që të presin që te hyrja, autori të pret vetë duke thënë te x sallë të lutem do flitet për romanin tim. Një çrregullim total, një gjendje kaq kaotike nganjëherë në përzgjedhjen e vlerave në letërsi. Nuk është e vërtetë se nuk ka vlera në letërsi, por duhet të gjenden të kërkohen. I mbytën shumica e mediokritetit, janë me numër të madh mediat për promovime dhe fjalë të mëdha, eksluzivitete, njësoj si në rrjetet sociale sa më shumë klikime. Tani unë u përballa me këtë gjendje, që drejt t’iu them sa vij që takohem me njerëz në panaire, por aq më zë dhe frika. Unë e respektoj çdo autor dhe të gjithë duan që të thotë dikush nj fjalë për ata, por ti se thua dot, sepse kur nuk ka kritikë letra ka probleme.

-Po institucionet si mund të ndikojnë me politikat e tyre në zhvillimin e letërsisë?

Institucionet tona janë të pafuqishme. Në këtë rrjet mediatik të pavarur, nuk mund t’iu imponojë kush atyre që të bëjnë faqen e kulturës. Sa i takon ndihmës për librin në Maqedoni ka një sistem shumë më të mirë se sa në Shqipëri për të ndihmuar autorët Atje ka një grup të Ministrisë së Kulturës që punon 6 muaj për aplikimet e të gjithë botuesve me botimet e vitit që vjen, çfarë kanë në plan të botojnë, letërsi kombëtare dhe të huaj. Në fund ata përzgjedhin veprat e autorit që do përkthehet, autori kombëtar etj, nuk i financon të gjitha, por një shtëpi botuese që ka aplikuar me 30 mund ti kalojnë 10 apo 15 varet nga cilësia. Ato që i propozon ky komision i financon komplet ministria si autorin dhe shtypshkronjën. Por në Shqipëri me Ministrinë e Kulturës kjo nuk është. Por çmimet e letërsisë janë tjetër problem.

-Pse keni kritika për çmimet letrare?

Dikur unë kam qenë vetë një zë problematik i një çmim kombëtar të Ministrisë së Kulturës në Tiranë para disa vitesh. Më vjen keq që atë kohë unë kam dhënë dorëheqjen nga juria. Atë kohë unë isha për një libër të radhës të Zija Çelës dhe një pjesë ishin për autor tjetër. Ne ishim 7 anëtarë dhe mua nuk m’u duk normale ai vlerësim. Unë atë kohë dhashë dorëheqjen nga juria dhe bëra dhe një deklaratë për mediat. Shikoni se çmimet kështu do të shkojnë, unë për ty dhe ti për mua. Blihen anëtarët e jurisë. Kam pasur një shije të keqe dhe me çmimin e këtij viti që mban emrin e Kadaresë. Pra janë politika të mbyllura për të mos thënë korruptive për çmimet në Shqipëri, pra janë degraduar. Institucioni nuk mund ti imponohet jurisë, sepse votat janë të fshehta të jurive.

-Sa ka përgjegjësi Ministria e Kulturës në promovimin e autorëve dhe në politikat e librit?

Ministria e Kulturës  bën shumë pak për autorët shqiptarë, duke thënë dhe kritikën kryesore që financojnë në mënyrë simbolike. Jeta e veprës dhe vlerave që janë shpirtërore kanë mbetur në margjina të përditshmërisë. Në qendër është politika. Nëse kjo është atmosferë kudo edhe ministria do të ndjek atë.

-Sa jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur me Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që u bë me anëtarë të dy akademive?

Ka qenë një këshill me gjuhëtarët dhe në Akademinë e Kosovës kemi katër seksione, dhe seksioni jonë ka deleguar anëtarë në atë komision për gjuhën. Ne në mbledhjen e fundit Rexhep Ismajli na informoi që i pushon aktiviteti këtij këshilli.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here