“Fatmira Hajdari shiti gjakun e burrit për t’u bërë gjyqtare”, Izet Haxhia me deklarata të forta nga gjykata, ja çfarë u vendos sot

0
1269

Shtyhet sërish seanca për kërkesën e Izet Haxhisë për rigjykim për dosjen “Azem Hajdari”. Shkak i shtyrjes ishte kërkesa e Haxhisë dhe avokatit të tij për përjashtimin e trupit gjykues që përbëhet nga; Valdete Hoxha relatore, Astrit Haxhialushi, Genti Shala.

Ish-truproja i Berishës është shprehur në gjykatë seancën e sotme se kërkon një trupë gjykuese që të ketë kaluar vettingun dhe se nuk pranon që ta gjykojnë kolegët e Fatmira Hajdarit. “Dua të gjykohem nga gjykatës që kanë kaluar vettingun” tha ai, raporton gazetari Arsen Rusta, ndërsa në seancë nuk u lejuan mediat.

Gjithashtu Haxhia ka lëshuar akuza të forta edhe në drejtim të gruas së Azem Hajdarit. Ai tha se “Fatmira Hajdari shiti gjakun e burrit për t’u bërë gjyqtare. Nuk pranoj që të më gjykojnë kolegët e Fatmira Hajdarit”. Tashmë pritet vendimi për trupën gjykuese. Më parë kanë qenë vetë gjyqtarët që kanë kërkuar që të mos e gjykojnë këtë dosje, por drejtuesi i Apelit Hysni Demiraj ka refuzuar. Prokurore e çështjes është Fatjona Memcaj.

Izet Haxhia, i dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, kërkon rigjykim pasi pretendon se i janë shkelur të drejtat në një gjykim i cili është zhvilluar në mungesë dhe sipas tij, pa prova. Izet Haxhia u ekstradua nga Turqia në Shqipëri në maj të këtij viti për t’u përballur me dënimin çerekshekullor dhe akuzat e drejtësisë shqiptare për “vrasjen e shekullit”.

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kërkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha. Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar ish-njeriun e tij të besuar se është ai vrasësi i Azem Hajdarit, sëbashku me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin. Ndërsa nga ana tjetër, Izet Haxhia kërkon të zbulohet personi që nxori Azem Hajdarin nga selia e PD mbrëmjen e 12 shtator, duke hedhur dyshime të forta te ish-kryetari i PD, Sali Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here