Dosja “Hajdari” drejt “kalendave greke”, Izet Haxhia akuza se drejtësia është kapur nga Berisha e Meta, kërkon përjashtimin e trupës gjykuese

0
407

Rigjykimi i çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit po zvarriten pafundësisht. Izet Haxhia ka kërkuar rigjykim për këtë dosje sepse ai vetë është dënuar me 25 vite për vrasjen e ish-deputetit demokrat dhe këtë dënim e cilëson si të padrejtë. Pasi Gjykata Penale e Tiranës pranoi kërkesën e Izet Haxhisë për rivendosjen në afat të çështjes, në Gjykatën e Apelit nisën procedurat për rihapjen e dosjes, ku do të vendoset nëse çështja do të rigjykohet apo do të mbetet në fuqi vendimi për ish-truprojën e Sali Berishës. Por seanca e djeshme gjyqësore, e cila ishte edhe seanca e parë, rezultoi një dështim. Izet Haxhia dhe avokati i tij mbrojtës, Bashkim Nikolla kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese. Sipas tyre, trupa që përbëhej nga Valdete Hoxha, Astrit Haxhialushi dhe Genti Shala nuk mund ta gjykojë kërkesën e Izet Haxhisë sepse kanë konflikt interesi për sa kohë janë kolegë me bashkëshorten e të ndjerit, Fatmira Hajdari. Bashkim Nikolla akuzoi se gjyqtarët janë të ndikuar nga politika. “Ka një dënim të padrejtë dhe të ndikuar nga pushteti politik. Kemi të bëjmë me një rast të veçantë. Në korridoret e kësaj gjykate enden familjarët e viktimës për të cilin ne po flasim. Nuk mund të ketë gjykim të drejtë në këto kushte. Të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate janë krijesë e politikës dhe çështja që unë mbroj me Izet Haxhinë ka rryma të brendshme dhe të forta politike. Asnjë nga gjyqtarët aktualë nuk mund ta gjykojë këtë çështje”, tha ai.

Akuzat e Haxhisë

Ndërsa Izet Haxhia i cilësoi gjyqtarët e Gjykatës së Apelit si të kapur nga dyshja Berisha-Meta. Ai akuzoi Fatmira Hajdarin se ka bërë pakt me Berishën për tu bërë gjyqtare. “Unë kërkoj përjashtimin e trupës gjykuese sepse ju jeni kolegë të Fatmira Hajdarit. Ajo ka bërë një pakt të turpshëm me Sali Berishën dhe ka shitur gjakun e bashkëshortit për tu bërë gjyqtare. Ju jeni gjyqtarë të paktit Berisha-Meta, jeni kamikazë të Berishës. Prandaj unë kërkoj të gjykohem nga gjykatës që e kanë kaluar vetingun”, deklaroi Izet Haxhia. Mirëpo kjo kërkesë mund t’i kthehet në boomerang Izet Haxhisë sepse zvarritet çështja pafundësisht. Kujtojmë këtu që trupa e parë gjykuese që u caktua për të shqyrtuar kërkesën e Haxhisë për rihapjen e dosjes përbëhej nga Fatmira Hajdari, Shkëlqim Mustafa dhe Andi Civici. Ata u dorëhoqën me argumentin se kishin konflikt interesi. Por kërkesa e Haxhisë për tu gjykuar nga gjyqtarë që kanë kaluar vetingun kërkon kohë të realizohet, duke qenë se gjyqtarët e Apelit nuk janë futur akoma në sitë. Izet Haxhia është akuzuar se ka një pakt me Sali Berishën që të mos rihapet çështja dhe kjo kërkesë e tija për përjashtimin e trupës gjykuese dhe gjykimin nga gjyqtarë që kanë kaluar vetingun i shton akoma më shumë dyshimet.

Kërkesa e trupës gjykuese

Edhe vetë trupa gjykuese e përbërë nga Valdete Hoxha, Astrit Haxhialushi dhe Genti Shala ka kërkuar të dorëhiqet. Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë relatorja Valdete Hoxha në seancën e djeshme, ku u shpreh se nuk mund ta gjykojë këtë çështje për shkak të konfliktit të interesit sepse është kolege me Fatmira Hajdarin. “Kemi shkaqe papajtueshmërie. Dorëheqjen e cilësojmë si ligjore. Jemi kolegë dhe kërkojmë që çështja të gjykohet në mënyrë të paanshme dhe objektive”, tha ajo. Por këtë kërkesë të trupës gjykuese nuk e ka marrë parasysh kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj. Sipas tij, nuk përbën shkak ligjor miqësia me bashkëshorten e të ndjerit sepse gjyqtarët vërtetë janë pjesë e një gjykate, por nuk punojnë në të njëjtin kolegj me Fatmira Hajdarin. Në këto kushte, trupa momentale nuk mund të kryejë asnjë procedurë deri në momentin që një trupë tjetër të gjykojë kërkesën e saj për dorëheqje. Problemi qëndron tek fakti se nuk është caktuar asnjë datë se kur mund të ketë një seancë tjetër gjyqësore ku të vendoset fati i Izet Haxhisë.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here