Arkeologët japin alarmin: Shqipëria e rrezikuar nga gërmimet klandestine

0
579

Problemet me arkeologjinë vazhdojnë, por arkeologët japin alarmin dhe për gërmimet klandestine,  që bëhen në zona të ndryshme të vendit. Përballë kësaj situate edhe pse duket se në disa vende se ka përmirësime, përgjegjësia sipas tyre për dëmtimet dhe grabitjet shkon të institucionet përgjegjëse. Në reagimin e tij prof. dr. Skënder Muçaj shprehet se gërmimet ndërsa në disa zona janë pakësuar në të tjera vijojnë akoma. “Numri i gërmimeve klandestine ka rënë, janë zona pak a shumë, që e kanë vazhduar këtë punë, që është zona e Mokrës, Librazhdi, në veri ka disa zona që mendojnë se ka pasuri dhe vijojnë gërmimet. Por në të përgjithshmen ka një ndryshim me vite më parë. Tani nuk përjashtohet dhe ndonjë që vijon akoma duke menduar se do të gjejë thesare, që është i sëmurë mendor, por në përgjithësi janë raste të rralla”, tregon arkeologu Muçaj. Grabitja e trafikimi i objekteve arkeologjike është e paligjshme, dhe sipas arkeologut Skënder Muçaj me shumë rëndësi është dhe ndërgjegjësimi i njerëzve për të ruajtur këto vlera të trashëgimisë kulturore. “Kjo nuk është meritë më shumë e DRKK se sa vetë ndërgjegjësimit të njerëzve për ta ruajtur pasurinë arkeologjike. Ka dhe nga ata që janë të sëmurë mendor dhe e mendojnë ende ta bëjnë këtë gjë, pra gërmimet klandenstine,  por ka dhe nga ata që e mendojnë ta bëjnë tregti këtë punë. Unë nuk kam qenë në Kolonjë këto vitet e fundit që ka qenë problem i madh dhe nuk flas dot. Ndërsa një pjesë të Korçës e kam parë që para 3 vitesh”, shprehet arkeologu Muçaj. Një vit më parë edhe në zonën arkeologjike të Gradecit në Kolonjë banorë ngritën alarmin për gërmimet klandestine. Sipas banorëve të cilët ngritën alarmin, dyshohet se fadromat po kërkonin për flori.

Trashëgimia si plaçkë tregu

Për prof. Neritan Cekën gërmimet klandestine kanë sjellë jo pak pasoja për trashëgiminë kulturore në vend. Mes problemeve të shumta që kanë sot monumentet e kulturës, sitet arkeologjike, etj, shqetësues është dhe fakti që sipas tij nuk po ndalohen gërmimet klandestine. Me një qëndrim të ashpër ndaj institucioneve përgjegjëse dhe Ministrisë së Kulturës për dëmtimet në fushën e arkeologjisë prof. Neritan Ceka shprehet se para pak javësh të tjera gërmime ishin bërë në zonën e Dibrës. “Para dy javësh kam qenë në fshatin Kalisë të Dibrës me profesor Muçaj dhe pamë që një kishë e shekullit të 15, gjysma e saj është shkatërruar me buldozer nga thesarkërkuesit ditën për diell. Dhe në një zonë që është e populluar sepse kisha është në fshat. Por nuk kanë bërë asnjë hetim. Natyrisht që e kemi referuar dhe në Ministrinë e Kulturës, por nuk ka ndonjë shqetësim, dhe ajo i sheh këto gjëra si pjesë të shkatërrimit të monumenteve që po ndodh në Shqipëri. Kisha është në një zonë që kalohet dhe shkohet dhe me makinë”, vijon prof. Ceka. Sipas tij përgjegjësia është e Ministrisë së Kulturës që përballë këtyre dëmtimeve nuk ka sa duhet bashkëpunim dhe me policinë, sepse trafikimi i objekteve është i paligjshëm. “Trashëgimia kulturore po shikohet si plaçkë tregu. Kudo është i njëjti problem, qendrat arkeologjike me gropa nga klandestinët, kanë një liri të plotë dhe policia si konsideron pjesë të detyrës së vet. Gërmimet klandestine janë me ligj të ndaluara. Ka një sektor të policisë që merret me trafikimin, sepse gërmimet klandestine janë pjesë e trafikut, por këta po i shikojnë sikur janë punë qejfi. Ka me dhjetëra raste, përmend këtu Amantian, Matohasanaj në Luginën e Vjosës, etj. Para pak ditsh më mori dikush në telefon dhe më tha për një tjetër gërmim në një zonë që nuk më kujtohet” vijon arkeologu Ceka. Mungesa e kujdestarëve të monumenteve sipas prof. Neritan Cekës gjithashtu ka bërë që të shtohen problemet me monumentet. “Vjedhja e monumentit është antikombëtare. Përgjegjësia e ministrisë, që duhet të bashkëpunojë me policinë për këto që ndodhin. Më parë që bëheshin verifikime ka pasur kujdestarë të monumenteve, që bënin punë të jashtëzakonshme. Ruanin monumentet, sidomos në raste kishash edhe një tjegull kur binte përpiqeshin ta vinin në vend, ndërsa tani bie tjegulla dhe çatia apo gjithë kisha dhe nuk pyet njeri”, vijon arkeologu Ceka.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here