Ambasadori i BE rrëzon opozitën: Të ndalen sulmet ndaj vetingut, zbatimi i reformës kërkon kohë, presim luftë ndaj korrupsionit

    0
    536

    Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka rrëzuar dje pretendimet e opozitës se reforma në drejtësi ka dështuar. Prej disa muajsh si Partia Demokratike, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë sulmuar reformën në drejtësi, ndërsa e kanë quajtur procesin e vetingut farsë dhe të kapur nga mazhoranca qeverisëse. Por ditën e djeshme Brukseli i ka hedhur poshtë këto pretendime. Gjatë një interviste për “European Western Balkans” ka kërkuar hapur nga politika shqiptare që të ndalin presionet ndaj drejtësisë, mesazh ky që i adresohet opozitës, pasi kjo e fundit ka sulmuar fort reformën në drejtësi. Në këtë kontekst, Soreca i tërhoqi vëmendjen opozitës, duke i vënë në dukje faktin se zbatimi i reformës në drejtësi kërkon kohën e vet. “Reforma e drejtësisë është një reformë shumë komplekse. Ajo ka ndryshuar një të tretën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe po hyn thellë në fuqinë e Kushtetutës së këtij vendi. Pra, është komplekse dhe prandaj ne duhet të kemi durim në mënyrë që të lejojmë autoritetet e pavarura që të verifikojnë, magjistratët, ta bëjnë këtë punë. Natyrisht, kjo duhet të bëhet në ritmin që i lejon Shqipërisë të arrijë renditje të rëndësishme të qershorit të ardhshëm. Prandaj, mendoj se tani është një çështje e fokusimit të thelbit të reformës së drejtësisë që është në gjendje të krijojë të gjitha institucionet që ka parë kushtetuta dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ndihmuar dhe mbështetur institucionet e Shqipërisë për ta bërë këtë”, deklaroi ambasadori.

    Lufta ndaj korrupsionit

    Duke u ndalur tek procesi i integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ambasadori Luigi Soreca ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë, sidomos sa i takon përmbushjes së kushteve të kërkuara nga BE, siç është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, ambasadori ka kërkuar që të intensifikohet lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta, pasi sipas tij, BE po pret të shohë rezultatet konkrete. “Shqipëria ka bërë përparim shumë të rëndësishëm në vitet dhe muajt e fundit, por ende ka shumë për të bërë. Veçanërisht në fushat që janë identifikuar nga Këshilli në qershorin e kaluar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është vendimtare dhe nuk ka kohë për të humbur. Reforma e drejtësisë duhet të vazhdojë, është një proces elastik dhe të gjithë duhet të punojnë në të njëjtën drejtim”, u shpreh Soreca.

    Krimi i organizuar

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca vijoi më tej duke e ndalur theksin tek krimi i organizuar. Gjatë fjalës së tij, Soreca vlerësoi luftën e qeverisë ndaj krimit të organizuar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ndërsa kërkoi që të vijohet me tej duke e luftuar krimin me zero tolerancë, pasi është edhe një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në javët dhe muajt e fundit, Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Policia e Shtetit në Shqipëri kanë pësuar një sërë veprimesh të rëndësishme kundër krimit të organizuar. Ne e mirëpresim këtë, kjo është ajo që BE-ja dhe vendet anëtare përveç nga Shqipëria, dhe kjo duhet të mbahet. Prandaj, Ministria e Brendshme plotësisht funksionale që do të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar është thelbësor për të siguruar që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian”, nënvizoi ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.

    Rigels Seliman

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here