Besim Tula: Tirana nuk ofron asgjë për artistët vizualë,e turpshme të paguajmë dhe qeranë e sallës për ekspozitën “Nëntori”

0
624

Piktori Besim Tula shprehet se Tirana nuk ofron asnjë gjë për artistët vizualë. Sipas tij, edhe kuratorët e huaj nuk paraqesin më interes për vendin tonë dhe janë zvogëluar vendet e ekspozimit. Në intervistën për “SOT”, piktori Besim Tula, me aktivitet prej dekadash në artet pamore shprehet se veprimtaritë që organizohen sot për artin nuk kanë lidhje me ecjen e kulturës dhe artit të kultivuar. Me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës, piktori Besim Tula shprehet se është e turpshme që artistët e grupimit “Nëntori” nuk janë ndihmuar për ekspozitën, që këtë vit u zhvillua në edicionin e 21. Sipas piktorit, shumë veprimtari të arteve pamore janë shuar, për arsye të ndryshme objektive dhe subjektive, të cilat pa dyshim që gjallëronin jetën e artistëve pamor, por ekspozita “Nëntor” ka vazhduar pa ndërprerje duke bërë hapa përpara. Për piktorin drama vazhdon, sepse artistët krijojnë në një vend të që nuk gjejnë mbështetje.

-Ekspozita “Nëntori” mbylli edicionin e 21 në galerinë FAB. Për ju si u përcoll këtë vit, punët e artistëve pjesëmarrës dhe ajo që spikati në krijimtari?

Artistët pjesëmarrës janë profesionistë, që kanë arritur të krijojnë një identitet të tyre në krijimtari. Artistët me përvojë të gjatë në krijimtari si Ksenofon Dilo, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Gazmend Leka, Aleksandër Filipi, Robert Guci, Bashkim Dervishi, Buron Kaceli etj, krahas një përpunimi të hollë të profesionit kanë dhe një filozofi të tyre. Ndërsa të rinjtë janë në formim të rrugës së tyre. Eksperimentimi në këtë moshë është çelësi i gjetjes së vetes në art. Formati i madh dhe bollëku i krijimeve është karakteristikë e kësaj moshe. Tek të rinjtë ndjej një tërheqje. Ndikojnë në këtë rast dhe sakrifica që ju duhet të bëjnë për të siguruar jetesën, mungesa e kushteve. Ndonjërit prej tyre i duhet të paguajë qeranë e shtëpisë, të luftojë për bukën e gojës, pa studio apo vend pune dhe mbi të gjitha nuk i pret ndonjë e ardhme e madhe artistike. Nuk duhet të harrojmë që tek brezi ynë i ri ka dhe talente, që mund ti afrohen A. Salës apo A. Pacit, por që janë të detyruar të shuhen në vendin tonë. Me gjithë këto sakrifica në ekspozitë ka prurje të mira të artistëve të rinj. Intensiteti koloristik, diferencat e qarta plastike dhe guximin kompozicional e gjejmë tek vepra e Brikena Bërdos. Nuanca të shumta koloristike arrin të krijojë Andi Hila. Qartësia e idesë dhe interpretimi plot variacione të penelatës janë prioriteti i diptikut të Artan Bucës. Orlis Vathi si gjithmonë i koncentruar, që mendimi të vizualizohet. Pastoziteti i ngjyrës dhe ndërhyrjet plot kontraste tonale të së qartës dhe të errtës dhe ngjyrës janë arritje në veprat e tyre dramatike të Dea Tilit dhe Erina Dibrës. Realiteti i kohës ndjehet në krijimet e shumë artistëve, ku tema si ndotja e atmosferës, realiteti pa shpresë, virtualiteti, vështirësia ekonomike e jetës, emigrimi etj, janë subjekte në këtë ekspozitë. Ato janë të ndjeshëm ndaj çdo fenomeni, që vështirëson jetën e njeriut.

-Jeni shprehur se është aktiviteti më jetëgjatë në artet pamore, por i pambështetur nga institucionet. Çfarë mund të na thoni?

Po ky është aktiviteti më jetë gjatë në artet tona pamore. Ka vazhduar me konseguencë dhe duke rritur cilësinë prej 21 vitesh. Sivjet mund të themi pa frikë se ka qenë një ekspozitë me nivel të lartë. Shumë veprimtari të arteve pamore janë shuar, për arsye të ndryshme objektive dhe subjektive, të cilat pa dyshim që gjallëronin jetën e artistëve pamor. Ekspozita “Nëntor” ka vazhduar pa ndërprerje duke bërë hapa përpara. Që me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nga Ministria e Kulturës ne nuk kemi marrë asnjëherë mbështetje për një katalog. Vetëm një pagesë qeraje për sallën në Muzeun Kombëtar, që është një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe asnjëherë tjetër. Unë nuk e kuptoj arsyen. Ose janë zyrtarë të paaftë ose matrapazë, që financojnë ato që njohin.

-Keni qenë kritik ndaj politikave që ndjek Ministria e Kulturës në art, me çfarë vështirësish janë përballur artistët në aktivitetin e tyre?

Jemi të detyruar të bëjmë ekspozitën me lekët tona. Imagjinoni që Ksenofon Dilo, Zef Shoshi, Hasan Çapari, Gazmend Leka, Aleksandër Filipi, Kujtim Buza, Buron Kaceli etj, që janë pjesë e historisë sonë të artit e deri tek me të rinjtë si Orlis Vathi, Artan Buca, Brikena Bërdo, Dea Tili, Eniela Veveçka etj, paguajnë kuotën për qeranë e sallës, posterin, ftesën, diçiturat e veprave etj. Besoj që kjo është anormale dhe turpshme për një Ministri Kulture. Mendoj që edhe sikur të na kërkonin të shkonim për të aplikuar nuk do të ishte ndonjë privilegj i madh.

-Dhe çfarë duhet të ndryshojë sipas jush?

Sistemi. Me sa kam marrë vesh shumë nga pushtetarët, që drejtojnë nuk janë të fushave përkatëse. Po kështu dhe ministrja e Kulturës vjen nga fusha e përkthimit ku krijimtaria nuk njihet si proces. Imagjino se çfarë vizionesh vetjake mund të këtë ajo për të zgjidhur problemin e madh të ecjes përpara të artit. Drama vazhdon. Jemi në një vend të varfër, por kemi 140 deputetë dhe çereku i tyre nuk kanë folur një herë apo të dëgjosh ti referohen një filozofi, ekonomisti apo sociologu në diskutimet e tyre. Alergji nga kultura. Me këtë temë para disa vitesh kam realizuar një punim. Duhet vizion tjetër. “Në qoftë se artistët dëshirojnë të ndryshojnë botën, çështja duhet shtruar kështu: arti a është i aftë të ndikojë në botën që jetojmë? Kemi dy përgjigje thelbësore për këtë problem. E para është: arti mund të rrokë imagjinatën dhe të ndryshojë ndërgjegjen e njerëzve. Në qoftë se ndërgjegja e njerëzve ndryshon, atëherë ato që ndryshuan do të ndryshojnë botën në të cilën jetojnë. Arti në këtë rast u kuptua si një lloj gjuhe që u lejon artistëve të shpërndajnë një mesazh. Ky mesazh në qoftë se e marrim me mend se ka hyrë në shpirtin e spektatorëve shikues, mund të ndryshojë ndjeshmërinë, zakonin dhe etikën e tyre. Kjo është mund të themi një kuptim idealist i artit – i ngjashëm me kuptimin tonë ndaj fesë dhe impakti i saj mbi botën”. (nga Boris Groys) Pasi e lexon këtë tekst të estetit, kritikut, shkrimtarit dhe filozofit Boris Grojs e shikon se jemi vite dritë larg për të përparuar në jetë dhe pastaj në art në vendin tonë.

-Si e shikoni sot Galerinë Kombëtare të Arteve, ka artistë që pohojnë se ka mbyllur dyert?

Unë mund të kem qenë mbase ndër të vetmit, që emërimin e drejtorit të ri e prita me gëzim. Mendova që ky mbase mund të jetë më objektivi, pasi nuk banon këtu dhe kjo i jep mundësi që të mos ketë detyrime miqësore apo klanore. Mendoja që mund të ishte më i duhuri për këtë periudhë. Siç e kam shprehur dhe më parë Galeria Kombëtare nuk mund të kthehet në një sallë ekspozitash. Në thelb ajo ka evidentimin dhe argumentimin e vlerat të artit tonë shekullor të ruajtur në fondin e saj, duke ballafaquar arritjet e një periudhe në raport me një periudhë tjetër, të rejat që erdhën prej saj, etj. Është jeta e artit tonë krahas linjës ajo mund të organizojë dhe ekspozita që lidhen me jetën e këtyre veprave duke konfrontuar periudhat , zhanret etj. Është historia e jonë e artit. Këto natyrisht kërkojnë pasion për t’u bërë. Në kontestin e tyre mund të futej dhe ndonjë piktor apo skulptor i kohës. Në Luver nuk ka hapësirë për të organizuar ekspozita piktorësh. GKA është Luvri ynë. Po të përjashtojmë ekspozitën e Edi Hilës, dy të tjerat mendoj se nuk kishin arritje artistike që ja vlejnë për Galerinë e Artit. Flaka ende është në kërkim të gjuhës së saj, ndërsa artistja gjermane është e nivelit mesatar për Gjermaninë, ku këtu më parë kanë ardhur artistë të nivelit të lartë si Jansen, Hahn, pedagogët e shkollës së Dyseldorfit etj. Dmth po kthehemi tek ideja e mëparshme që në galeri të hapen ekspozita me artistë, por sipas shijes së drejtuesit.

-Sa përgjegjësi ka dhe ministria, sepse e ka institucion në varësi?

Meqenëse ministrja nuk është profesioniste nuk besoj se ka qenë zgjedhje e saj drejtuesi. Mendoja se GKA do të bënte një jetë më aktive në promovimin e veprave të fondit tonë jashtë shtetit.

-“Onufri” për 2018 asnjë lajmërim deri tani nga institucioni. Çfarë mund të na thoni?

Mbyllja e konkursit “Onufri” ishte rezultat i pritur i kësaj veprimtarie. Historia është kjo: në vitet e para mbas ‘90 ajo vazhdoi për inerci si pasuese e ekspozitave që bëheshin në kuadrin e çlirimit të vendit. Pastaj me ardhjen e dr. prof. Gëzim Qendros në drejtimin e këtij institucioni falë pasionit të tij u bë dhe ndërkombëtare. Me ikjen e tij ajo erdhi duke u zbehur nga mungesa e pasionit dhe buxhetit për të. U kthye në një barrë për institucionin e GKA, duke u bërë ekspozitë e cunguar nga pjesëmarrja. Kuratorë të papërgjegjshëm të huaj apo të vendit me banim jashtë e kthyen në një veprimtari qesharake, kur në këtë konkurs të përvitshëm arti u ekspozua një vepër e bërë në vitet ‘70 etj. Harku i degradimit erdhi duke u rritur. Drejtuesit duke mos pasur kurajo për ta mbyllur si veprimtari se mund t’iu hapte probleme, e kthyen në një aktivitet që bëhej sa për t’u hequr qafe. Galeria nuk kishte asnjë arsye përse të merresh me një veprimtari të përvitshme, kur ka objektiv tjetër. Ky konkurs për disa kohë mendoj që ti hiqet statusi ndërkombëtar dhe të organizohet nga ministria. Duhet të jetë veprimtaria vizuale më e fuqishme e vendit tonë, ku dëshira për të marrë pjesë të ishte e madhe dhe seleksionimi serioz. Fituesi i këtij konkursi të ishte artisti, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias në atë vit, siç bën festivali i RTSh për Festivalin Europian. Atëherë aktiviteti do të ripërtërihej dhe do të gjallëronte ecjen përpara të arteve vizuale. Më vonë mund të bëhej një veprimtari e përbashkët dhe me Kosovën. A mundet që një zyrtare ministrie me rroge shtetërore, e cila është e njëllojtë si të punosh dhe si të mos punosh të dëshiroj të jete një Paolo Baratta i Shqipërisë? A thua mund ta kuptojë ministria dhe nëpunësit e sektorit të arteve pamore, që krahas problemeve me leximin e librit, fonisë së teatrit dhe ditës pranverës ti shtojnë vetes dhe këtë. Të shohim…

-Me këto probleme që ju pohoni në art dhe kulturë, për ju edhe ky vit si po mbyllet për artistët?

Tirana nuk ofron asnjë gjë për artistët vizualë. Kuratorët e huaj as që paraqesin më interes për Shqipërinë. Janë zvogëluar vendet e ekspozimit. Veprimtaritë popullore që organizohen për artin nuk kanë lidhje me ecjen e kulturës dhe artit të kultivuar. Gjatë kësaj periudhe tek shumë të rinj ka lindur ndjesia e të ikurit apo emigrimit jashtë vendit. Kjo në sferën e artit vizual është pika më e dëmshme. Armiku më i madh i një piktori është shqetësimi. Imagjino se si mund të krijosh në këtë presion. Kjo ndjesi ul mjaft dëshirën për të bërë gjëra të rëndësishme në krijimtari.

-Sa janë dëgjuar deri tani sipas jush artistët për problemet që kanë pohuar nga Ministria e Kulturës?

Me një rrogë gjashtëdhjetë mijë lekëshe dhe me një vend pune të diskutueshëm deri sa të fitojë partia, që do të marrë pushtetin, zyrtarët nuk mendoj se kanë seriozitet të dëgjojnë artistin. Po kështu dhe ai artist, që mezi ka siguruar një vend pune që di ai se çfarë ka hequr, nuk besoj se është një kundërshtar i hapur i pushtetit. Megjithatë po ju bëj një kundër pyetje. Kujt i intereson të përparojë kultura?

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here