Violeta Kongo dhe Fatmir Tufina çelin ekspozitën “Dy Paleta”, kompozime dhe peisazhe në 50 punime në Muzeun Kombëtar

0
520

Ekspozita me piktura “Dy Paleta” është çelur për publikun këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar. Punimet e dy artistëve Violeta Kongo dhe Fatmir Tufina janë ekspozuar në muze, duke u prezantuar për herë të parë. Janë rreth 50 punime, kompozime dhe peisazhe që janë realizuar nga Kongo dhe Tufina, një krijimtari që ka marrë vlerësimin e të pranishmëve që në hapjen e ekspozitës. Piktorja Violeta Kongo tregon se kjo ekspozitë ka të veçantën e saj sepse është një duet paletash, që ka munguar në jetën artistike. “Në jemi të dy piktorë dhe njëkohësisht dhe miq Fatmirin, por diskutojmë shpesh për krijimtarinë tonë. Nuk janë hapur ekspozita të dy artistëve me palete, duet. Janë bërë kolektiv ose janë personale. Ne menduam pse të mos krijojmë një risi dhe të bëhen dy palete. Fatmiri me një krijimtari komplet të ndryshme, vlerësojnë njëra- tjetrën dhe teknika të ndryshme, dhe besoj se qëndrojnë mirë dy autorë të ndryshëm në këtë ekspozita, por sigurisht që ka dhe pika të përbashkëta. Kështu që ne e gjykuam që të sjellim dhe një risi të tillë, pasi një duet paletash nuk është bërë ndonjëherë ekspozitë”, tregon piktorja. Krijimtaria e piktores Violeta Kongo prezantohet me piktura që janë të realizuara në tre teknika, të përziera në telajo, vizatim dhe akuarel në mëndafsh, por të vëna në kornizë të trajtuara si pikturë kavaliteti. Ndërsa punimet e piktorit Fatmir Tufina janë të gjitha të realizuara në vaj. Rreth 50 punime janë ekspozuar për publikun, dhe sipas piktores Voleta Kongo janë realizimet e fundit në krijimtarinë e tyre. “Unë dhe piktori Fatmir Tufina, në një ekspozitë! Po, ç’na bashkon? Pasioni, emocionet dhe nuancat e kapshme e të pakapshme të mendimeve të përbashkëta që kanë regëtirë brenda paletave tona. Sigurisht, edhe një miqësi e mirë”, bën me dije për ekspozitën Kongo.

 Krijimtaria e artistëve

Ekspozita “Dy Paleta” me veprat e realizuara nga Violeta Kongo dhe Fatmir Tufina prezantohet për publikun në muajin e fundit të vitit. Një ekspozitë që sipas tyre u çel kur ishin krijuar kushtet për të prezantuar punimet. “Për artistët nuk ka rëndësi koha. Vjen një moment që piqet puna që ke bërë dhe të detyron të dalësh në publik. Nuk kishim asnjë përcaktim, por dhe sallat janë të planifikuara për ekspozita, dhe u gjet një mundësi për këto data. Dëshira dhe synimi për të bërë ekspozitën ka qenë shumë më përpara, por sipas mundësive që kemi pasur për ekspozimin u hap tani”, tregon piktorja. Në aktivitetin  saj Violeta Kongo është e njohur për punën në shallet e mëndafshta, e cila nëpërmjet ngjyrave krijon shalle personale, të cilat mund tu përshtaten shijeve të ndryshme. Si një artdashëse Nadire Buzo shprehet se të dy artistët sjellin në ekspozitë horizontet e tyre intelektuale. “Teknika e artit sot nuk ka emër. Emri i teknikës që përdor piktori ka veç emrin e tij. Të dy artistët secili në teknikën apo përzierjen e teknikave, Violeta dhe Fatmir, sjellin në ekspozitë horizontet e tyre intelektuale. Të padukshmen e gjendjeve që jetojmë i bëjnë të dukshme përpara publikut. Realitetin e jetës, deformimet e kohës ku ne gjejmë veten. Violeta Kongo dialogon në këtë ekspozitë me piktorin Fatmir Tufina, apo edhe me piktorë të tjerë jashtë kësaj ekspozite, me gjuhën e veçantë të saj. Violeta dhe Fatmir Tufina, “Dy Paleta” të ndryshme ku përzihen ngjyrat, njëra kombinimin violet me gjithsej dhe tjetra, me okrën e kafen e lehtë nga Fatmir, shfaqën për vizitorët, forcën krijuese të shpirtit, të kthyer në ngjyra, të hedhura bukur në tablotë e secilit rëndesën e peshës së kohës, bëjnë forcat e padukshme ti shohim qartë, duke na dhënë një dialog të këndshëm me artin e tyre të bukur”, shprehet Buzo. Ekspozita që u çel më datë 30 nëntor do të qëndrojë deri më 1 dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar./ Julia VRAPI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here