Drama “Tri gra dhe Misugi”, në Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë

0
21

Drama “Tri gra dhe Misugi” vijon në skenat teatrore në qytete e Kosovës. Mbrëmja e datës 10 dhjetor, shfaqja me regji nga Suela Bako është në Teatrin e Qytetit në Gjilan, më 11 dhjetor – teatri “Adriana” në Ferizaj dhe 12 dhjetor teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë. “Tri gra dhe Misugi”, dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue e pati premierën në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për të vijuar dhe në skena të tjera teatrore. Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tri personazhe, aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët vjen nën interpretimin e aktorëve Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj.
Në një shfaqje të konceptuar si teatër brenda teatrit, përmes distancimit në intervalet mes monologjeve (letrave) zbërthejmë marrëdhënien njerëzore aktor – regjisor me kompleksitetin e saj, e cila shkon në rrafsh paralel me rrëfimin e personazheve të Inoues. Kjo shfaqje vjen e dramatizuar nga Anxhela Çikopano e Suela Bako. Si regjisore Suela Bako më herët me media është shprehur se ka qenë një vepër që e ka menduar për ta realizuar në skenë para disa vitesh. “Veprën e kam menduar që para 13 vitesh. Nuk kam mundur dot ta sjell më parë në skenë, kam tentuar herë pas here, por nuk ka qenë e mundur ta realizoja. Më në fund erdhi momenti për ta sjellë në skenën e teatrit për publikun”, pohon regjisorja Suela Bako. Për herë të parë si regjisore në skenën e teatrit, Suela Bako tregon se ka qenë një punë shumë impenjative për realizimin e shfaqjes. Sipas regjisores, publiku do të gjejë më shfaqje dashurinë, pasion, trishtimin dhe dhimbje. “Kam një ndjesi timen që nuk do të flerë i qetë ai që do të vijë të shohë këtë shfaqje, sepse autori ka hyrë kaq thellë te femra dhe mashkulli, dhe të gjithë e ndjejnë veten brenda veprës të përfshirë. Është kaq pranë nesh me ato që përcjell vepra”, shprehet mes të tjerave regjisorja Suela Bako. Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen si një shfaqje brenda shfaqjes.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj