Bllokimi i tenderave për të inkriminuarit përplas mazhorancën, deputetët kundër penalizmit të biznesmenëve që kanë shlyer dënimin

0
449

Të gjithë investitorët turistikë ose operatorët menaxhues të turizmit do të përjashtohen nga përfitimi i fondeve publike, nëse janë të dënuar nga gjykata për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, mashtrimin, falsifikimin, trafikun e drogës. Një nismë e tillë është ndërmarrë nga mazhoranca dhe dje u diskutua në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese projektligji, por nuk munguan debatet. Projektligji në fjalë kërkon që të gjithë personat e inkriminuar të mos kenë mundësi të marrin pjesë në proceduat garuese për tenderat. Por disa deputetë të mazhorancës ndajnë një mendim ndryshe. Deputeti Robert Bitri, i cili vetëm pak ditë më parë iu bashkua zyrtarisht grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kërkoi në mbledhjen e djeshme të komisionit që një njeri që ka shlyer dënimin për veprat e mësipërme, të mos përjashtohet nga përfitimi i fondeve publike. “Ky precedent të vë ty në një ballafaqim shoqëror që t’i me këtë precedent që ke, nuk je një figure që duhet të përfitosh nga fondet publike”, deklaroi Robert Bitri. Të njëjtin qëndrim me të ndau edhe deputeti i PDIU, Dritan Bici, i cili pak kohë më parë u përfol se do t’i bashkohej zyrtarisht grupit të PS. Bici në fjalën e tij u shpreh se një person që i shlyer të gjitha detyrimet për gabimin e kryer, nuk ka pse të ngelet me damkë gjithë jetën dhe të mos përfitojë nga tenderat. “Tani një njëri qëllon që shkel ligjin dhe gabon e bën edhe burgun, ai i kryen që të gjitha këto dhe s’ka asnjë borxh shoqërisë, pastaj ngel tërë jetën me njollë, ngelet i bllokuar, unë për vete nuk jam dakord”, theksoi Dritan Bici.

Reagimi i Shalsit

Por për të qetësuar situatën dhe për të shuar debatet brenda mazhorancës, kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi sqaroi se një nismë e tillë është marrë nga qeveria për të mos lejuar cenimin e konkurrencës. “Pse kemi ardhur tek një vendim i tillë? Kemi ardhur sepse siç e tha dhe përfaqësuesi i ministrisë cenohet konkurrenca. Është cenuar konkurrenca”, tha ai. Në fund të diskutimeve dhe debateve, u arrit dakordësia që projektligji të votohej. Pak ditë më parë ky projektligj u diskutua edhe në Komisionin e Ligjeve, ku midis të tjerash u theksua se parashikohet që të përjashtohen nga përfitimi i fondeve publike operatorët jo vetëm kur janë dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale, por edhe rastet kur personi i dënuar është administrator ose anëtar i strukturave drejtuese të kompanisë.

Përmbajtja e ligjit

Në ligjin që po diskutohet në komisionet parlamentare është përcaktuar mënyra sesi do të bihet në gjurmët e një operatori ekonomik, i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar, mashtrimin, falsifikimin, trafikun e drogës. Sipas ligjit, operatorët përpara garës do të duhet të paraqesin një vërtetim gjyqësor që tregon se nuk janë të dënuar. “Me qëllim plotësimin e kushteve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, operatori ekonomik duhet të paraqesë dokumentacionin, si më poshtë: a) Vërtetim nga dosja gjyqësore ose një dokument, të lëshuar nga një autoritet kompetent, që vërteton kushtet e parashikuara në pikat 1 dhe 2, shkronjat “a”, “b” dhe “c””, thuhet në ligj.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here