“Dyfytyrësia e pafytyrësisë”, Ardit Bido iu përvishet keq pedagogëve: Dashnorë të lirisë akademike, ju harroni diçka…

0
366

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ka komentuar protestën e studentëve ditë e sotme, në Tiranë dhe në rrethe.

Përmes një komenti në profilin e tij në Facebook, Bido shprehet se logjikisht sipas tij duhet të ketë tarifë për provimet e mbartura.

“Jo sa është sot, doemos me vendim senati, por që gjithsesi, me bindje të plotë duhet të jetë!”, shprehet Bido.

Teksa e quan mëse normale dhe mbështet protestën e studentëve, më tej kreu i Arkivave u drejtohet pa u kursyer aspak pedagogëve.

“Dyfytyrësia e pafytyrësisë”, zgjedh ta quajë Bido, ndërsa u drejton atyre disa pyetje. “Po ju, mor miq, çfarë debati keni ngritur në senatin akademik, apo në opinionin publik, që sot qenkeni kaq të ngazëllyer? Kur ngrini duart në forume universitare, pse nuk reagoni e as ju shkon ndërmend të reagoni, e i aprovoni, e i shpërdoroni si pa të keq të mirat që duhet t’u shkojnë studentëve dhe sot me pafytyrësinë e dyfytyrësisë brohorisni si me gjasme dashnorë të lirisë akademike?”, shprehet Bido ndër të tjera.

Komenti i plotë:

Dyfytyrësia e pafytyrësisë

Studentët kanë disa ditë në protestë me disa kërkesa konkrete. Është e drejtë e padiskutueshme e kujtdo të jetë pro këtyre kërkesave, ose kundër tyre. Ose qoftë edhe diku në mes. Unë, për shembull, jam 100% dakord me kërkesat për konviktet, për uljen e tarifave, apo edhe për kërkesa që nuk janë shfaqur dhe që duhet të shfaqeshin: mungesa e bibliotekave funksionale online dhe onsite, mungesa e sistemeve të sekretarisë elektronike për të cilat janë harxhuar miliona euro dhe janë jashtë funksionimit, mungesa e ngrohjes dhe e aparaturave minimale, si projektor e kompjutera, për një mësimdhënie dinjitoze. Sikurse, për bindje, jam që duhet të ketë tarifë për provimet e mbartura si një formë shkurajuese. Kujdes! Jo sa është sot, doemos me vendim senati, por që gjithsesi, me bindje të plotë duhet të jetë! Ish student jam, kam pasur edhe unë provime për përmirësim, si edhe dy provime të mbartura. E prapë mendoj se duhet të jetë.

Ajo që nuk mund të diskutohet është fuqia e studentëve për të protestuar. E drejta dhe fuqia e tyre.

Mirëpo, dyfytyrësia e pafytyrshme e disa profesorëve është mbresëlënëse. Po ju, mor miq, çfare debati keni ngritur në senatin akademik, apo në opinionin publik, që sot qenkeni kaq të ngazëllyer? Kur ngrini duart në forume universitare, pse nuk reagoni e as ju shkon ndërmend të reagoni, e i aprovoni, e i shpërdoroni si pa të keq të mirat që duhet t’u shkojnë studentëve dhe sot me pafytyrësinë e dyfytyrësisë brohorisni si me gjasme dashnorë të lirisë akademike? Ju, klanet, klikat, grupazhet, pengmarrësit e botës akademike, na dilkeni në krah të studentëve, për vendimmarrje që keni qenë pjesë e s’dëgjuam një fjalë për interes të studentëve?

Harroni diçka të thjeshtë. Studentët janë aq fuqi e madhe, sa nuk kanë nevojë për mbështetje false që u shkon për shtat në betejën e radhës së konjukturës për interesat e ngushta personale a të klikës e grupazhit. Dhe këtu, nuk kam mundësi të them “po guxoni, dilni kundër”. Sepse, ju keni dalë kundër kur ishte koha e vendimmarrjes në senat dhe dilni sot pro, me fjalë boshe, në tentativën e shëmtuar për të marrë peng, veç botës akademike, edhe fuqinë e studentëve.

Po e mbyll, me një shprehje që studentëve ua them shpesh: mos prisni nga ne! Profesorë të brumosur në komunizëm, a qoftë edhe brezin tim, të traumatizuarit e çmendurisë ku kallashi ishte ninullë e refugjatët ishin bashkëudhëtarë. Mos na dëgjoni madje pa hequr nga maska jonë dyfytyrësinë e pafytyrshme e pafytyrësinë e dyfytyrshme të fjalës boshe, që kundërshton veprën konkrete. Nuk ia vlen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here