Euro arrin tjetër rekord të ulët të dekadës, zbret nën 124 lekë, si pritet deri në fund të vitit

0
429

Monedha e përbashkët europiane ka shënuar një tjetër rekord të ulët për dekadën, duke u këmbyer poshtë 124 lekëve. Kjo është dita e dytë radhazi që euro humbet pikë gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot me 123.95 lekë.

Ilirjan Ligacaj, Drejtor i Thesarit në Union Bank, shpjegon për Monitor se rënia e euros po nxitet nga disa faktorë të bërë bashkë. Së pari kemi hyrë në muajin e fundit të vitit dhe raporti i këmbimit euro/lekë fillon të preket nga efektet sezonale. Ai thotë se gjatë këtij muaji pritet që euro të vijojë të jetë në nivele të ulëta. Arsye tjetër është edhe qarkullimi i ulët i lekut në ekonomi, gjë që e ka bërë më të shtrenjtë përkundrejt valutave.

Ndërkohë që edhe Banka e Shqipërisë është tërhequr nga ndërhyrjen në tregun vendas. Monedha e përbashkët ka zbritur sot në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2008, duke arritur në këtë mënyrë një rekord të ri të 11 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.95, me një rënie prej 0.16 lekë në raport me ditën e mëparshme.

Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një sërë ndërhyrjesh të jashtëzakonshme, duke tërhequr më shumë se 100 milionë euro nga tregu, duke e stabilizuar kursin për pak muaj në nivelin e 126 lekëve. Por, që nga mesi i shtatorit, kur Banka e uli intensitetin e ndërhyrjeve dhe më pas sinjalizoi tregjet se do e linte kursin të lirë, euro ka shënuar një rënie të vazhdueshme graduale, duke vendosur sot një rekord të ri të dekadës së fundit.

Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, niveli minimal historik i euros ka qenë 120.9 lekë dhe është arritur në dhjetor të vitit 2007. Më pas euro u forcua, e ndikuar kryesisht nga transferimi i ftimeve të kompanive celulare jashtë vendit, duke arritur rekordin prej 141.8 lekëve në maj të vitit 2011 dhe u stabilizua për disa vjet në kuotën e 14 0 lekëve. Më pas euro filloi sërish rënien në mesin e 2016-s, duke reflektuar ofertën e shtuar pas kultivimit masiv të kanabisit në vend.

Që nga mesi i 2016-s, euro vetëm po humb pikë, si rrjedhojë e ofertës së lartë të euros në raport me kërkesën për të dhe qarkullimin e ngadaltë të monedhës vendase.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here